Zamir GJURGJI
Që ‘Rilindja’ ka vdekur e ka mbaruar nuk përbën më lajm. As shifrat e ofruara shatra-patra nga INSTAT-i, as buxheti me hije e në hije i një qeverie në rënie të lirë, as fjalori me ‘libër shpie’ i Brisit të Tatimeve, as lajlelulet e Elisës së çudirave të Doganës, as Lali Erin që ia kalon në aktoriadë edhe Luftar Pajës, as arsimi që puqet me shëndetësinë në morgun e kësaj të fundit… Janë kronologji për nekrologji.
Parlamenti është vendi ku lëshohen kuja e piskama për shkak të kufomës së pakallur të drejtësisë me paterica Devilesh, teksa Rama i LSI-së kërkon t’ia lerë topin në derë Ramës së PS-së. Përkthimet anglisht-shqip kanë rënë në fushë manjetike. Laja ka shkuar në drejtim të paditur, Luja s’di ku ta kërkojë më parë. Nuk është e nevojshme të dëgjosh a lexosh gazetar-politikanët Blushi përtej të majtës e Patozi përtej të djathtës që të bindesh se ka pllakosur zia. Mjafton të dëgjosh Taulantin për të kuptuar se nuk është e këshillueshme që fëmijët të lihen pranë kufomës që dergjet ende pa çarçaf m’u në mes të Parlamentit. Mjafton të shohësh fytyrën e Rencit të Italisë pas JO-së referendare, për të kuptuar se mosha e dytë e çiftit të selfi-kllounëve Renzi-Rama ia kishte me t’futme të parës e të tretës.
“Renaissance pour l’Europe”, e projektuar nga kryerilindasi francez Francois Hollande katër vite të shkuara në Paris, është duke dalë krejtësisht nga qarkullimi politik i së majtës “progresiste”, siç po përgatitet z.Hollande të dalë “nga dera e pasme” e presidencialeve franceze.
Në fakt është një vdekje e paralajmëruar kjo e rrugës së tretë. Projektuesi i saj, z.Anthony Giddens, e pati deklaruar publikisht gjashtë vite më parë se neolaburizmi i rrugës së tretë ka vdekur dhe se kufomës i duhej vënë ‘çarçafi i bardhë’; e për më tepër, me emertesën e të vdekurit nuk duhej abuzuar. Por Shqipëria është vendi i çudive, është orvatur të mbajë e mbartë komunizmin edhe kur kishte rënë ‘de jure’ në vendorigjinë e vendorgji. Ideologjia në vendin tonë nuk dorëzohet edhe kur kryeideologu kthente potkonjtë nga dielli. Ka gjithmonë një shpresë-vegim edhe kur të dhënat flasin ndryshe.
Për të ideologjizuarit tanë shpresa-vegim nuk vdes e fundit, ajo rilind e para. Edhe kur zezohej Çaushesku, të singjashmëve tanë u dukej se ishin në ëndërr. Nuk e besonin se komunizmi mund të vdiste, prandaj edhe kufomës nuk ia hiqnin tubat. Ç’rëndësi kishte a vegjetonte a jetonte, rëndësi kishte të mos shpallej vdekja, dita e saj. Sepse ideologjia ka vetëm ditë lindjeje, nuk ka ditë vdekjeje. Në të kundërt s’do të ishte ideologji ngadhnjimtare që s’pret shpëtim nga Zot e Mbret. Në fund të fundit, kur kallej nën dhe, kishte gjithmonë një shpresë shpëtimi, mrekullie. Do ringrihej Ai, do ringjallej Ai, do rilindej Ai. Janë në pritje të gjithëpushtetësisë së Zotit të tyre, Xhorxh Soros, që e ka shpallur publikisht veten Zot i Rilindur i Gjithësisë. Mbeten në pritje të (epi)krizës së (ri)lindjes.
Sado të përpiqet opozita t’i japë zgjidhje teknike kufomës, s’do bëjë gjë tjetër veçse do vonojë procedurat që rëndom kryhen për ditën e vdekjes.Gjendja Civile nuk punon me shpejtësinë e erës, përkundrazi. E vetmja shpresë mbetet Mrekullia! Duhet provuar. Nuk ka lindje pa kriza, madje krizat janë simptomat e saj. Ka kohë ende deri sa të zbresë bredhi nga majat e maleve. Deri atë çast, të mandatuarit do të kryqëzojnë gishtat, duke bërë lutjet e rastit tek “Zoti” 80 e kusur vjeçar i (si)fatit të tyre. Eshtë lufta finale, vendimtare nën dhe…ringrihu Xhorxh Soros, ngadhënjimi është me Ne!