Në qarqet me turizëm shpenzimet e familjeve u rriten më shpejt, kryeson Durrësi

Në qarqet që kanë më të zhvilluar sektorin e turizmit shpenzimet mujore të familjeve janë rritur më shumë se në qarqet e tjera, sipas rezultateve të Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare 2023 nga INSTAT.

Qarku i Durrësit njohu rritjen më të madhe të shpenzimeve mesatare për familje me 2023 me 7.3 për qind në krahasim me vitin 2022. Durrësi po zhvillon një model të qëndrueshëm të turizmit. Me një ofertë të zgjeruar për të gjitha kategoritë Durrësi mbetet ofruesi më i madh i shërbimeve turistike bregdetare.

Shumë hotele kanë kontrata të rregullta me të agjencitë e huaja dhe shesin në avancë. Oferta e punësimit po rritet çdo vit dhe sezoni po zgjerohet përtej muajve të verës duke bërë që gjithnjë e më shumë persona të angazhohen me punë në zinxhirin e turizmit. Këto zhvillime janë shoqëruar edhe me rritjen e pagave, duke ndikuar pozitivisht buxhetet e familjeve në ketë qark.

Korça ishte qarku i dytë në vend për rritjen e lartë te shpenzimeve të familjeve. Në vitin 2023 shpenzimet mesatare mujore të një familje në Korçë ishin 85,398 lekë me rritje vjetore 6.6 për qind.

Korça prej vitesh ka zhvilluar një turizëm gjithë vjetor me një ofertë të larmishme të natyrës, klimës dhe që tërheq gjithnjë vizitor si në dimër dhe në verë. Korça edhe në vitin 2023 u rendit qarku i dytë pas Tiranës për nivelin e lartë të shpenzimeve të familjeve.

Gjatë viteve të fundit Korça ka përmirësuar thellësisht nivelin e saj të jetesës në krahasim me qarqet e tjera duke u renditur pas kryeqytetit.

Rritja e shpenzimeve të familjeve ka qenë evidentë për Elbasanin dhe Vlorën me mbi 5% secila në vitin 2023 në krahasim me 2022, teksa në qarqet e tjera rritja e shpenzimeve të familjeve ka qenë shumë modeste.

Në tre qarqe, Gjirokastër Berat dhe Kukës rritja mujore e shpenzimeve të familjeve ka qenë më pak se 0.6%.

Kukësi qarku më i varfër i vendit edhe për vitin 2023 mbeti i tillë ku shpenzimet e familjeve mbeten thuajse të njëjta me vitin 2022.

Në Tiranë, Dibër dhe Fier shpenzimet mujore të familjeve shënuan rritje me 2.2-3.5%.

Në vitin 2023, njësitë ekonomike familjare të qarkut Tiranë, shpenzojnë më shumë për konsum, mesatarisht 108.098 lekë në muaj.

Qarqet e tjera me shpenzime të larta mujore për konsum janë Korça me 91.034 lekë në muaj për familje dhe Durrësi me 89.561 lekë.

Qarqet me shpenzimet mesatare më të ulëta mujore për konsum janë Kukësi me 73.225 lekë për familje dhe Dibra me 74.479 lekë.

Në vitin 2023, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 91.675 lekë. Ky tregues është 3,7% më i lartë se në vitin 2022. Shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 68.4 miliardë lekë në muaj./Monitor

Exit mobile version