Organizata Ndërkombëtare e Punës lëshon alarmin se gati 60 për qind e vendeve të punës në Shqipëri janë vulnerabël dhe nuk sigurojnë të ardhura për punonjësit. Në raportin e fundit “Parashikimi Social dhe Punësimi Botërore” ILO thotë se, në Shqipëri ka 700 mijë punonjës vulnerabël, të cilët janë ose të vetëpunësuar ose punonjës të familjes, pa një kontratë formale punësimi. Sipas ILO-s, këto vende pune, përveçse janë të rrezikuara nuk garantojnë të ardhura të mjaftueshme për punonjësit si dhe kushte të përshtatshme pune. Sipas statistikave zyrtare, në total Shqipëria ka 1 milion e 104 mijë të punësuar. Kjo do të thotë se 57.8 për qind e të gjithë të punësuarve janë vulnerabël. ILO thotë se Shqipëria është vendi me peshën më të lartë të punës vulnerabël në rajon. Në Maqedoni dhe Bosnje numërohen vetëm 200 mijë të punësuar që nuk kanë kontratë të rregullt pune, ndërsa në Serbi shifra është 400 mijë vetë, ndërsa si peshë specifike kjo përbën më pak se 20 për qind të punësimit total të këtyre vendeve.
Sipas ILO-s pesha e lartë e punësimit vulnerabël është e lidhur direkt me varfërinë. “Punësimi vulnerabël shpesh karakterizohet nga të ardhura të pamjaftueshme, produktivitet i ulët dhe kushte të vështira pune, që cënojnë të drejtat themelore të punonjësve”, thuhet në raportin e ILO-s.
Papunësia te të rinjtë është një plagë e kahershme në vendin tonë, por jo vetëm. Kriza ekonomike botërore e dhjetë viteve më parë ka bërë që shumë shtete europiane të zhyten në një spirale të rrezikshme sa i përket papunësisë, dhe të rinjtë janë gjithmonë më të prekurit. Shifrat e fundit zyrtare në vendin tonë flasin për një normë papunësie të të rinjve në 26.4%.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2015, kur preku rekordin prej 34.2%, norma e papunësisë te të rinjtë ka pësuar një rënie të ndjeshme. Por në këtë pjesë duhet të themi se shifra nuk është reale, pasi në pjesën dërrmuese bëhet fjalë vetëm për formalizim të vendeve të punës, si pasojë e reformës dhe jo punësim real. Gjithsesi, këto janë shifrat.
Me një papunësi te të rinjtë në 26.4%, në rast se Shqipëria do të ishte pjesë e familjes së përbashkët europiane, do të ishte vendi i 5-të me papunësinë më të lartë në këtë drejtim, pas Greqisë, Spanjës, Italisë dhe Qipros.
Tre prej këtyre shteteve shkuan në prag falimenti dhe u shpëtuan vetëm nga kreditorët, ndërkohë që Italia shkoi shumë pranë kolapsit.
Kur bëjmë krahasimin nuk duhet të harrojmë as faktin se, të dhënat e Eurostat i referohen grupmoshës nga 15 deri në 25 vjeç, dhe jo 15 deri në 29 si Instituti jonë i Statistikave. Pra, nëpër Europë, të rinjtë e moshës nga 25 deri në 29 vjeç nuk hyjnë në këtë statistikë, dhe këta janë grupmosha që ka më shumë predispozicion për t`u punësuar, për shkak të arsimit dhe eksperiencës. Në kushte të barabarta situata do të ishte krejt tjetër, e ndoshta Shqipërinë do ta shihnim në krye të kësaj liste.