NGA DASHNOR KALOÇI
Publikohen disa dokumente arkivore që bëjnë fjalë për ngjarjen e shumëpërfolur të 4 shkurtit të vitit 1944, e njohur ndryshe si “Masakra e 4 shkurtit”, me procesverbalet e grupit hetimor që u ngarkua nga qeveria e asaj kohe për zbardhjen e asaj ngjarje, të kryesuar nga Prokurori i Shtetit, Tod Gjini, nga Durrësi, Sekretari i Prokurorisë së Durrësit, Tofik Kazanilla, (u caktua aty në mungesë të Sekretarit të kësaj Prokurorie, Pandeli Kosova), zv/ kryetarit të Bashkisë Nikolla Kotte, të cilët u shoqëruan nga toger Dik Cami, i ngarkuar prej Qarkkomandanti të Xhandarmërisë, major Sybi Topallit, për të siguruar grupin hetimor.
Nga procesverbalet që janë mbajtur prej këtij grupi hetimor që nga data 5 shkurt e deri më datën 16 shkurt 1944, rezultojnë gjithsej vetëm 14 persona të vrarë, ku 10 prej tyre ndodheshin në morgun e Spitalit Civil të Tiranës që në datën 5 shkurt, kurse katër të tjerë u gjetën disa ditë më pas, të vrarë në rrugët e Tiranës, apo dhe të groposur në periferi të kryeqytetit në afërsi të rrugës nacionale Tiranë Elbasan.
Ngjarja e datës 4 shkurt e vitit 1944, ku në rrugët e Tiranës u gjetën të vrarë, nga të shtëna armësh disa persona (për numrin e tyre ende nuk ka një shifër të saktë), e cila njihet ndryshe dhe si “Masakra e 4 shkurtit 1944”, është një ndër ngjarjet që prej vitesh ka ndezur debate. Memorie.al po publikon disa dokumente arkivore me procesverbalet e Prokurorit të Shtetit të asaj kohe, që u ngarkua për hetimet dhe zbardhjen e asaj ngjarje. Procesverbalet në fjalë, janë mbajtur në datë 5 shkurt 1944, një ditë pas vrasjeve që u kryen në Tiranë dhe përfundojnë në datën 16 shkurt.
Nga këto hetime rezultojnë gjithsej vetëm 14 persona të vrarë, ku nga këta, 10 kufoma ndodheshin në morgun e Spitalit Civil të Tiranës, që më datën 5 shkurt dhe vetëm dy prej tyre ishin të paidentifikuar. Kurse trupat e pajetë të 4 personave të tjerëve, u gjendën disa ditë më pas në vende të ndryshme, si në lumin e Tiranës, apo dhe të groposur në periferi të qytetit në afërsi të Rrugës së Elbasanit, ku nga këto dokumente nuk rezulton të jenë identifikuar se kush kanë qenë, por i paqartë mbetet dhe numri i tyre. Dosja hetimore me procesverbalet e prokurorit të Shtetit, Tod Gjini, për ngjarjen e 4 shkurtit 1944.
PROCESVERBAL
Mbi lajmërimin që na është bërë nga ana e autoriteteve të S.P. (sipërpërmendura) se në spitalin civil të këtushëm janë transportuar disa kufoma personash, të vrarë ditën e datës 3 dhe ditën e datës 4 të muejit Fruer 1944, në rrugët e kryeqytetit prej personave të padiktuem: sod me datën 5/ 2/1944 ditën e shtunë paradreke, i nënshkruemi Prokuror i Shtetit Tod Gjini, asistuem prej Sekretarit të Prokurorisë së Durrësit, Zotit Tofik Kazanilla, në mungesë të Sekretarit të kësaj Prokurorie, z. Pandeli Kosova, që është provizorisht me shërbim pune gjyqit të posaçëm, për Mbrojtjen e Atdheut, i shoqnum dhe prej togerit të Gjindarmërisë, zotit, Sadik Camit, i delegum prej Qarkomandantit, z. major Sybi Topalli, për të shoqnu titullarin e kësaj Prokurorie, me kryemjen e hetimevet rreth vrasjeve të kryera më datën e tregueme më sipër, dhe prej zv/kryetarit të Bashkisë z. Nikolla Kotte u drejtova për në Spitalin e vendit ku prej personelit t’atij spitali na ka njoftuar se disa kufoma janë përcjellë n’atë spital dhe vendosën në dhomën e të vdekunve, vizitimi i të cilëvet është bamë prej mjekut z. Suljemanit nga Dibra, prej të cilit na u çel dhoma e destinume për të vdekunit dhe u panë të shtrirë dhjetë kufoma personash me veshje të ndryshme civile nga të cilat u identifikuen me anë të personave të interesuem.
” Vangjel Capo, i biri i Andonit dhe i Valës nga Fieri, vjeç 22
” Tod Shkurti, nga Fieri vjeç 25
” Hasan Rexhep Çeliku, vjeç 34, Kryepunëtor pranë Ministrisë P. Botore nga katundi Mullet i Tiranës.
” Sokrat Vangjel Tako, i biri i Aleksandrës vjeç 43 nga katundi Novosel i Përmetit dhe banues në Tiranë rruga Mihal Grameno.
” Mihal Jani Koço, i biri i Margës vjeç 23 nga Dhuvjani i Gjinokastrës, banues në Rrugën e Kavajës në Tiranë.
” Vinçenzo Apel, i biri i Feliksit dhe i Kleopatrës lindun në Sarandë dhe banues në Tiranë,rruga e Dibrës nr.6 vjeç 20, komisjoner
” Reveni Ludoviko Carlo, i biri i Marijes nga Italija, banues në Tiranë vjeç 26
” Gjergj Legisi, i biri i Frrokut dhe i Diles lindun në Katundin Kthjellë të Mirditës vjeç 45 banues në Tiranën e Re, Lagjen Llagami 43 Nga kufomat mbeten dy të paidentifikuara, të cilët…(nuk kuptohet shkrimi).
” …………K.M. vjeç 22 ………me këpucë me syprinë të zezë ….e çorape të zeza pantallona ushtarake, majë katrore bojë kafe……triko leshi me mëngë bojë kafe, xhaketë civile kafe të mbyllur me vija pak të dukshme.
” Moshë mesatare vjeç 34 flokë gështenjë, fytyrë pak të hjekun, i rrum pa mjekër, me një shall leshi jeshil, xhaketë civile dhe pantallona në boj të kafes i veshun nën rrobë me pixhama të bardhë e me vija të kuqe, nji triko leshi në bojë të linit e pa mëngë, jelek bojë kafe, këmishë me ngjyra dhe me vija, këpucë të zeza civile ushtarake, çorape bojë kafe të Europës.
Dy kufomat e të paidentifikueme do të mbeten në dhomën e të vdekunvet për eventualitetin e identifikimit prej të interesuemvet që do të bahet njoftimi me mjetet e volia e të rastit dhe të gjendjes së shkaktueme nga rrethanat e tashme të turbullta për vendin t’onë.
Të gjitha kufomat e naltpërmënduna u kontrolluen dhe nuk u gjetën përsipër dokumenta ose shenja që të tregonin idenditetin e tyne. Kufomat që të gjitha ishin të prishuna prej plumbash t’ë armëvet zjarrit automatike (armë ushtarake), në vende të ndryshme të trupavet të tyne.
Nga Drejtoria e Spitalit Civil të këtueshëm u kërkue që të vijë mjeku vizitues të lëshojë raportin relative mbi vizitimin e kufomave dhe mbi konstatimin e vdekjes së tyne.
Ju tregue N/Kryetarit të Bashkis se kufomat pasi të qëndrojnë të ekspozuara për identifikim në kohën që mundësisht të mbeten të paprishuna të jepet urdhën të varrimit të tyne.
Për vërtetim u mbajt një procesverbal i cili si u lexua u pranua dhe u nënshkrua si vijon:
Tiranë, më 5/2/1944
Sekretari i Prokurorisë Durrësit
(T.Hoxhmilla) Prokurori Shtetit
(T.Gjini)
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
PROCESVERBAL
Sod më datën 6/2/1944 ditën e Djel prej personave të interesuem:
Mentor Xhemal Sojli nga Struga banues në Tiranë, rruga e Spitalit, vjeç 24
Shaqir Huta, vjeç 70 pensionist banues në Tiranë,lagjia Sulejman Pasha, Rruga e Marjanit
Bajram Ramazan Shkodra, marangoz, banues lagjia Xhami Sherif, rruga Hodo Bej, nr.102 Tiranë, na bahet e ditun se natën e datës 3-4 i 2/1944 prej organevet të forcave qeveritare qenë tërhequn nga shtëpitë e tyne:
” Xhemal Sojlin, atë i të parit
” Haki e Maliq Huta, djemtë e të dytit
” Fadil Rada, punëtor vjeç 22, të cilët nga hetimet që kanë bërë, nuk ndodhen nëpër burgjet ose vend tjetër të K/ qytetit.
Personat e interesuem nga informatat që kan kqyrun se në kodrinat e ndodhun pranë pyllit që ndodhet në rrugën publike Tiranë-Elbasan ku janë përqendrue Ushtrinat Gjermane janë transportue dhe varrosur disa kufoma të vrarë natën e datës sipër tregueme dhe mejtojmë se midis tyne kufomavet do të jenë edhe pjesëtarët e familjeve të tyne të zhdukuna natën e ngjarjes s’përmëndun, dhe kërkuen që të veprohen në vajtjen në vënd për konstatim të faktit nga ana e Titullarit të kësaj Prokurorije.
Mbi këtë lajmërim, tue pasun parasysh randësin e gjëndjes së krijuar nga fakti i ngjarjes dhe nga ana tjetër përqëndrimi i Ushtris Gjermane në vendin ku do të shkohet simbas tregimit të të interesuemvet, ku u kërkua ndërmjetsimi i Prefektit të vendit për eventualitetin e një pengimi për vajtjen në vend nga ana e Ushtrisë Gjermane, që përfundoj në mos pasjen e asnjë pengimi nga ana e autoriteteve ushtarake Gjermane dhe njëkohësisht nga ana e Z. Prefektit u autorizue Komanda e Qarkut të Gjindarmërisë së Kryeqytetit që për shkak të rastit të rëndësishëm t’shoqnohet Titullarit të Prokurorisë nji fuqi e mjaftueshme nan komandën e nji oficeri. Komandanti i Qarkut Major Z. Subi Topalli në bazë të atij autorizimi dhe mbi kërkimin t’onë na vuni në dispozicion oficerin e komandës Z. Dik Cani.
Mbasi nji veprim i vajtjes në vendin e treguem për konstatimet e rastit kërkonte përveç kohës së gjat dhe nji pregatitje njerëzish e mjetesh e u vu në dijeni Komanda Bashkis vendit e cila na njoftoj se ishte gadi për të vënë në dispozicion personelin dhe mjetet: kështu të nesërmen në mëngjes datë 7/2/1944 ditën e Hanë i nënshkruemi Prokurori i Shtetit Tod Gjini i shoqëruar prej Sekretarit të Durrësit, Z. Tofik Haxhimillës, Togerit Gjindarmërisë Z. Dik Camit me një fuqi prej 15 gjindarësh dhe dy nën Oficerash dhe të N/Kryetarit të Bashkisë z. Nikolla Kota, u drejtuem për në vendin e përmendur me nji autoveturë e me dy autokamjona që vuna në dispozicion prej Bashkisë si dhe nji numër punëtorësh, 10-12 punëtorësh me mjetet e nevojshme, vendi i cili ndodhej në rrugën publike Tiranë-Elbasan në nji distancë prej 3- 4 kilometra jashtë kryeqytetit, me të arritun në vendin e përqendrimit të ushtrisë Gjermane aty u ndaluem prej ushtarakëve të gjermanëve të shërbimit, të cilët të njoftuem për qëllimin e vajtjes lejuen kalimin dhe kështu të udhhequn prej nji ushtaraku gjerman u drejtuem në vendin ku thuhej ishin të vendosura në dhe kufomat e pretenduara.
Mbi pyetjet verbale që u banë ushtarakëve Gjerman me anën e z. Mentor Sojliut i biri i Xhemalit që dinte gjuhën gjermanisht, ushtaraku deklaroj se pikërisht n’at vend, d.m.th. aprokasimativisht 4 kilometro jashtë kryeqytetit, dy ditë para janë sjell nji numër kufomash prej njerzvet që nuk mund të caktonte dot personat dhe veshjen e tyne dhe lëshuen mbi rrugën publike, ku u panë shenja gjaku pak të vjetruara, këto kufoma mandej janë futur në dhe prej puntorvet Italjan që janë në shërbim të Ushtrisë Gjermane dhe punojnë në vepra ushtarake atje pranë për të mos ngrënë prej kafshëve të egra, jashtë rrugës në një distancë 2-3 metra afër rrugës publike, vend i cili dukej punue rishtas. Ky ushtarak me një fuqi të armatosur dhe një autoveture dhe me nji kamion ka parku natën aprokasimativisht në orën 10 ose 11 dhe i ka nxjerrë kufomat dhe mandej janë largue në drejtim të qytetit ku kanë ardhur.
Mbas këtyne informatave u bë dhe hapja e vendit dhe u konstatue se në kët vend pak kohë përpara se të veprohej në gërmimin e tokës deri në nji metro thellësi, nja tre metro gjerësi dhe dy metra gjatësi, pasi u hoqën dhënat u panë shenja gjaku të grumbullue dhe të trazueme dhen e njomë dhe ujët e shiut që kishte ra tan natën dhe janë gjetun dy pallto, një mushama, dy shami duersh, dy kapela republike, dy rrypa sofesh balltinash, të gjitha këto ende të zhytuna në baltën e njomë në mënyrën që janë tërhequn e nxjerrë pjesë pjesë, jashtë këtij vendi me një distancë dy tre metro janë gjetun dy letra njoftimi të vëllazënve Huta. Mbas këtij veprimi negative nuk u ba nevojë të vazhdohet në gërmimet dhe gjurmimet e tyne nga shkaku u gjëndjes baheshin të pamunduna e prandaj iu dha fund veprimit dhe u kthyem mbrenda në qytet.
Për vërtetim u mbajt procesverbali, i cili u këndue dhe u nënshkrua si vijon:
Tiranë më 7/2/1944
Sek. Prok. Durrës Tog. Gjind N/Krye. Bashkis Prok. Shtetit
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
PROCESVERBAL
Sod më datën 16/2/1944 në Zyrën e Prokuroris, para meje Prokuror i Shtetit Tod Gjini i asistuem prej Sekretarit Islam Alimehmeti, u paraqitën të quajtunit Zenel Ismail Reka, sheqerxhi banues në Tiranë, lagjia Xhami Sherif, rruga Mezini dhe Gjyle Shkalla, e veja e Selim Ferrës banuese në Tiranë pranë të parit dhe deklaruen se djali, Ali Selim Ferra i biri i Gjyles Shkallës, vjeç 18 tabelashkrues i pamartuem, asht zhdukun nga shtëpija n’orët e mëngjezit të datës 4/2/1944, i marrun prej fuqinash të armatosuna dhe kufoma e tij asht gjetun në lumin e Tiranës afër Saukut (fundi i lumit) prej karrocjerrvet që nuk u dihen emnat e tynë të cilët rastësisht ku banin ranë e kanë parë kufomën e përmendun, mbas këtij lajmërimi u urdhërua transportimi i kufomës për në banesën e vet, mbas këtij transportimi së bashku me mjekun u shkua në banesë për vizitimin e kufomës prej mjekut Nasi Kajana në përfundim të cilit u lëshua rraporti datë 16/2/1944 nga i cili konstatohet se vdekja asht shkaktue prej plagëve të plumbave.
Për vërtetim u mbajt ky procesverbal mbasi u këndue dhe u nënshkrue si vijon:
Tiranë më 16 /2/1944
Sekretari i Prokuroris Prokurori i Shtetit
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
PROCESVERBAL
I mbajtun mbi pyetjen e dëshmin e Gjindarmë Hamit Januzit dhe Xhemal Preçit, efektiv i Kompanisë së Zyber Litës dhe me shërbim në Post-Komandën e Medrezes.
Viti njëmijë e nëndëqindë e dyzet e katër, ditën e xhuma, më datë 4 Fruer/1944 ora 15 në Zyrën e Zonë Komandës Gjindarmërisë rrugës së Dajtit, neve të nënshkruemit, N/ toger Mero Bido, Komandant i Zonës së Parë dhe Aspirant, Mahmut Hasi, ndihmës i saj zone, verbalizojmë si vijon:
U urdhënue prej Gjindramë Hamit Januzi, i biri i Januzit dhe i Humes vjeç 20 lindun në katundin Reç të Peshkopisë dhe me shërbim efektiv i Dedashmentit të Gjindramërisë së Lumës dhe provizorisht bujtës në Postën e Medrezes të kësaj Zonet, i cilli deklaron si vijon:
Unë bashkë me shokun tim Xhemal Preçin, sonde prej orës 2-3 deri në ora 5 pa gdhi sabahi ishim me shërbim gjat Rrugës së Dibrës, aty ora 2 e 30 e sa minuta, pamë një patrullë të Gjindarmërisë së Kosovës, të përbamun prej katër vetash, me të cillët simbas parrullës që kishim u murrme veshtë dhe nevet kaluem në Rrugën Bardhyl ku mbas pak minutash dëgjuem disa krisma armësh dhe u kthyem në drejtim ku patëm ardhun, ku aty rreth shtëpisë së Ferhat Halilit pamë një person të vramë dhe patrolla e kosovarëvet ishte largue prej atij vendit. Ushtarakët e patrullës nuk i njof edhe me i pam, mbasi ishte errët, as kufoma e të vramit nuk e njoftim as që e dimë kush asht. Rrethanat se si dhe pse e kanë vramun nuk i dimë. Nuk i kemi pamun me sy kur u vranë, vetëm e dimë se qetër njeri andej parit nuk kishte përveç Ushtarakëvet në fjal. Tjetër nuk kemi me than kto me nënshkrimin tem i vërtetoj.
Aspirant N/toger Dekllaruesi Hamit Jonuzi
U muarr në pyetje Gjindram Xhemal Preçi, i biri i Xhemalit dhe i Sibes, vjeç 30 lindun në Katundin Reç të Dibrës dhe me shërbim si i naltpërmënduni, i cilli u pyet dhe pik për pik vërteton thanjet e të parit Gjindarmit Hamit Januzit, mbasi nuk pat tjetër me thanë këto që thash i vërtetoj me gishtin tim mbasi nuk di shkrim e këndimë.
Aspirant N/toger Dekllaruesi Xhemal Preçi
U muerr në pyetje si dishmitar i qujtuni Mustafa Kobeci nga Dibra dhe banues në Tiranë, Furrxhi vjeç 46, i cilli dekllaron si vijonë: Mbrëmë isha në furr tue pjek bukët, dhe ndigjova disa krisma pushkësh aty pranë murit, por nga frika nuk dola jashtë. Në mëngjez pashë një të vram dhe mbasi nuk e njofta se kush ishte ky dhe as që i dij se kush ishte ky. Tjetër nuk kam me thanë, këto me nënshkrime i vërtetoj. /Memorie.al