“Në Tiranë jam ndjerë si ‘Beatles’”- Koncerti i Albano Karrizit në 1989 dhe takimi me Kadarenë! Pandi Laço: S’kishte moderator, e drejtonin vetë, ai dhe Romina! Policia i kërkoi të ulte ritmin sepse….

UVIL ZAJMI/ Kanë kaluar 35 vite nga ai koncert i paharruar, kur në shtatorin e vitit 1989, për herë të parë në Shqipëri, në Tiranë dhe në një stadium, si ai kombëtar “Qemal Stafa”, do të organizohej një shfaqje madhore muzikore. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Protagonist, një personazh, personalitet të njohur të pëlqyer, të preferuar shumë popullor jo vetëm në muzikën e lehtë italiane, por edhe në Shqipërinë e brezave: Albano me gruan e tij, amerikanen, Romina Pauer. Fitues i festivaleve të Sanremos, protagonist absolut në evenimente, spektaklet në Itali e mbarë botën ata ishin ftuar të jepnin dy koncerte “live” në kryeqytet.

 

Me Pallatin e Kongreseve dhe tjetrin me “Qemal Stafën”, dëshmitar dhe publikun e madh, një koncert unikal për kohën, që do të ishte një sinjal i madh për ndarjen e dy epokave, një shpresë më shumë për një hapje me botën, në marrëdhëniet Shqipëri-Itali. Kryeqytetasit do të kishin fatin, ta shihnin nga afër, të ndiqnin, dëgjonin zërin e tij, që vetëm në radio e televizion kishin pasur mundësinë të komunikonin. Pastaj takimi Albanos me Ismail Kadarenë, dhe konsiderata e tij: “…në Tiranë jam ndjerë si Beatles”.

MUZIKA E LEHTË ITALIANE, HIT PARADE E LUTAZIT

Ka qenë dhe mbetet një ndër preferencat, frekuentimet, njohjet pa limite të saj me brezat, të rinj, të reja në Shqipëri. Nga Beniamino Xhili te Modunjo, nga Nila Pizi te Klaudio Vila, etj. Një brez pasionant, i etur për kulturirë, modë, art, sport, me veshin, te radioja, për të marrë informacion e dëgjuar edhe muzikë. Një traditë artistike, të përcjellë, trashëguar edhe nga ata që studiuan, u diplomuan në shtetin fqinj, folës të gjuhës, por jo vetëm. Me njohje edhe për muzikën klasike, kryeveprat e kompozitorëve italianë Verdi, Pucini, Rosini, madje mjaft vepra të tyre si Traviata, Berberi i Seviljes, janë shfaqur edhe në Tetarin e Operës e Baletit, me artistë të njohur shqiptarë. Gjithashtu, edhe në filmat italianë të ndjekura në kinematë e vendit, admirues të aktorëve të njohur, nga Sofia, Loren te Xhina Lolobrixhida, Kluadia Kardinale, Rosana Podesta, Marcelo Mastroiani, Raf Valone, etj.

Por, muzika, ajo e lehtë ka qenë një tjetër marrëdhënie, komunikim, që i ka lidhur shoqëruar shqiptarët nga festivalet e Sanremove, Teatro Dieci, Canoznissima, Un disco per l’estate, Cantagiro, etj. të ndjekura në kanalin Rai 1 në ato pak televizorë dhe në radio. Nga këngëtarët, Celentano, Doreli, Endrigo, Boby Solo, Litëll Toni, Albano, Leali, Di Bari, Dalla, Mal, Ranieri, Morandi, Don Baki, Batisti, apo Mina, Dalida, Sania, Zaniki, Berti, Kazeli, Milva, Vanoni, Pravo, Cinkueti, etj, etj si dhe grupet nga Nomadi, Aluni del Sole, Dik Dik, Camaleonti, Formula 3, Franco i Franco IV, Riki e Poveri, I Pooh, Mati Bazar, etj. Por, Hit Parade, ka qenë emisioni radiofonik më i ndjekur. Çdo të premte ora 12.50 dhe të hënën, përsëritje ora 13.20, drejtohej nga Lelio Lutazi, e paharruar shprehja e famshme e tij “Hiiiit Pareeeeid”. Dhjetë këngë, disqet më të shitura italiane dhe të huaja në Itali. Apo prezantuesit, nga Korrado te Alberto Lupo, Majk Bonxhiorno, Pipo Baudo, etj. Por do të jetë fillimi i vitit 1973, nga do të vijë ndarja shkatërruese, kur pas Festivalit të 11-të të këngës në RTSH, fjalimeve të diktatorit Hoxha, kundër shfaqjeve të huaja në kulturë dhe art, do të regjistrojë shkëputjen me Perëndimin, midis tyre edhe me Rai-n, duke i mbyllur kanalet e televizionit italian, për të lejuar vetëm lajmet e orës 20.00.

Vite, me ngjarje, pësoja të rënda për artistë, këngëtarë, drejtues, prezantues, kompozitorë deri edhe me burgime. Mbyllje totale me botën, në art, sport, në gjithçka. Do të shpiket zhurmuesi i vendosur te 15-katëshi në Tiranë, dhe pas viteve 80-të do të ketë përhapje ilegale, kanoçja e famshme, por vetëm për frekuencën UHF të JRT (Jugosllavia). Ajo që do të mbajë gjallë lidhjet me botën, do të mbeten valët e radios, të pazëvendësueshme për ne shqiptarët. Që bashkë me televizorin kanë qenë një dritare e vërtetë në komunikimin tonë me botën.

Albano Karrizi Romina Pauer Tirane 2

ALBANO, ARDHJA E PARË

Ka qenë viti 1985. Në librin e Zenepe Lukës, “Dashuria shqiptare për Albanon”, lidhur me ardhjen e tij të parë në Shqipëri, dhe cilat ishin lidhjet e tij me këtë vend, këngëtari i njohur tregon: “Në pranverën e 1985, ndërsa ndodhesha në Spanjë për disa koncerte, bashkë me familjen time, një ditë morra në telefon shtëpinë në Celino, prindërit për t’i pyetur si janë. Më thonë se babai kishte vajtur në plazh me vëllain. Gjithçka normale, por unë nuk isha e qetë. Një natë më parë kisha parë një ëndërr me babain duke vdekur dhe që më lutej ta ndihmoja. Ishte një ankth i madh. Telefonova sërish në shtëpi, më thonë se gjithçka është normale, babai nuk ishte aty, kishte dalë me miqtë e tij. Duke ditur “filozofinë” e prindërve për të mos i shqetësuar fëmijët kur ata janë jashtë me punë, nuk i besova. Vetëm kur u ktheva e kuptova që babi kishte pasur probleme në zemër, kishte pësuar një infarkt. Por ishte mirë.

Papritur në një çast më thotë: “Dëshiroj të kthehem në Shqipëri, para se të bëhem shumë plak për të udhëtuar”. Një dëshirë e babait, ishte një urdhër për mua. Marr kontakt me ambasadën shqiptare në Romë dhe konsulli më fiksoi një takim me ambasadorin, Bashkim Dino. Ishte një takim shumë i përzemërt, dhe kemi biseduar gjatë. Ai më kërkoi qëllimin tim në Shqipëri dhe çfarë lidhje kishte pasur babai im me fashizmin. Më tha, gjithashtu, se unë isha shumë popullor në vendin e tij, por vizën mund ta merrja pas gjashtë muajve. I tregova se unë kisha vetëm një javë mundësi dhe që shëndeti i babait nuk ishte shumë i mirë. Një ditë më pas, më njoftuan nga ambasada, duke më thënë se autoritet shqiptare e kishin pranuar kërkesën time.

U nisëm me anije nga Brindisi për në Greqi zbritëm në Igumenicë dhe me makinë vazhduam drejt Janinës, në kufi me Shqipërinë. Një udhëtim i gjatë, ndërkohë babai kishte nisur të përmirësohej te merrte energji. Një mrekulli për të, që po rikthehej në ato vende pas kaq vitesh. “Jeta është vërtet e çuditshme, sa e lehtë është të kthesh këtu pas kaq vitesh”- komentonte ai duke tentuar të fshihte emocionet. Ishte shumë i prekur. Ecte përgjatë rrugëve të Shqipërisë, duke u rikthyer mbrapa në kohë. Ka qenë perëndim kur u futëm në qytetin e Gjirokastrës. Babi ishte i lumtur si një fëmijë në festën e Krishtlindjeve, infarktinuk ekzistonte, ishte zhdukur. Babai dukej i ripërtërirë, plot entuziazëm. Sheshi qendror i qytetit ishte plot me njerëz që shëtisnin. Të nesërmen dy funksionarë shqiptarë na shoqëruan për në Elbasan e Përmet. Kishim vendosur të bënim të njëjtin udhëtim, itinerar që kishte bërë babai shumë vite më parë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka ishte si më parë. “E shikon këtë urë, e kanë ndërtuar italianët”- më thoshte. Pastaj mbi këtë kodër mbetën të vrarë nga forcat greke tre shokët e mi, pasi këtu ishte vendqëndrim ynë. Dy shoqëruesit shqiptarë dëgjonin të mrekulluar nga rrëfimet e babai tim. Edhe ata shpjegonin se si lindi dhe u konsolidua rezistenca shqiptare kundër armikut. Në Sarandë, një qytet i vendosur përballë ishulli grek të Korfuzit, babai dha një intervistë për televizionin shqiptar”.

NJË FOTOGRAFI MBI TË NJË AUTOGRAF

Ndërkohë, Gazmend Mullahi, kompozitori i njohur, shoqëruesi i Albanos në atë udhëtim të parë të tij për në Shqipëri, shton: “Me Albanon, të atin dhe nënën e tij, udhëtuam edhe për në Tiranë. Një vizitë, takim paradite me artistë në RTSH, dhe në mesditë në Institutin e Lartë të Arteve, u improvizua një takim pa zhurmë, i thjeshtë, i shpejtë me një grup studentësh, që mbushën sallën qendrore të koncerteve. Personalisht edhe unë, bashkë me një mikun tim, Leonard Gjermenin, kam qenë në atë mbrëmje, në atë sallë. Rreth një orë ka vazhduar, ai takim surprizë me Albanon, përballë, të ulur në një tavolinë të vendosur në skenë. Një takim interesant, ku foli i ati, më pas ai dhe pastaj bisedat me studentët, të pranishëm.

Nuk këndoi, por për të dalë, duke ngjitur shkallët qendrore të sallës, të gjithë e rrethuan, me dëshirën të komunikonim me të, dikush t’i merrte në një letër të improvizuar firmën. Nga ajo mbrëmje, kam një kujtim të veçantë: “Një fotografi personale, mbi të nënshkrimi, firma e tij. E kisha marrë për atë qëllim”. Jemi në vitin 1985, kur diktatori kishte pak muaj që kishte ndërruar jetë. Jemi në një situatë të brendshme të tensionuar, asgjë nuk ka ndryshuar në rrafshin politik, marrëdhëniet me botën, hapjen, dhe kur ende çdo veprim, sjellje e padëshiruar e konsideruar nga sistemi, kishte pasoja për individin. Më parë, viti 1977, vetëm Marinella, këngëtarja e njohur e muzikës së lehte greke kishte qenë në një turne në Shqipëri me koncertet e saj në Pallatin e Kongreseve. Një tentativë pak vite më vonë, me këngëtarin e njohur italian Klaudio Vila për një koncert në Tiranë, por pikërisht në atë muaj, vdes Hoxha dhe koncerti do të anulohet. Ndërkohë, në shtator të atij viti, në një atmosferë të tillë Albano do të vijë në Shqipëri. Por, jo për të kënduar. Të nesërmen largimi, kthimi për në Sarandë, pa jehonë, zhurmë, as në gazetë, televizion, radio mjetet informues të kohës nuk u dha asnjë informacion”.

KONCERTET NË TIRANË, AI NË “QEMAL STAFA” SINJAL I MADH SHPRESE

Ato kanë qenë dy shfaqje spektakolare. E para, të mërkurën 20 shtator në Pallatin e Kongreseve, e dyta të nesërmen, e enjte 21 shtator në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Koncertet e Albanos me gruan e tij Romina në Tiranë do të regjistrojnë një moment të rëndësishëm social, epokal, për shqiptarët, një sinjal, në ndarjen e dy sistemeve, epokave dhe për këtë arsye ato mbeten dy ngjarje të mëdha historike. Për herë të parë koncert i një këngëtari perëndimor në Tiranë dhe në stadium; për herë të parë, në skenë, kryeqytetasit do të kenë përballë do të prekin, do të dëgjojnë live një artist të admiruar ndër vite, Albanon, të parë e dëgjuar vetëm në televizion e radio. Për herë të parë, një skenë e improvizuar me drita, ndriçim si kurrë më parë; garderobë, veshje moderne, estetikë, modë, erë parfum, çka për shqiptarët deri pak muaj më parë, ishte e ndaluar dhe me pasoja. Pastaj tekstet e këngëve: Nga ato me sloganet e rëndomta “Bushtrisë, Bushtricë, nga ty shoh botën” dhe kur “Mësuesi dashurohej me një kooperativiste”, tek ato krejt ndryshe në përmbajte, melodi, interpretim, lirshmëri skenike, gjithçka.

Transmetimi televiziv nga TVSH me ngjyra, i parë edhe ky. Dy zëra të mrekullueshëm, përballë një spektatori të panumërt, të ulur, në këmbë, në sektorin përballë të stadiumit. Një atmosferë e jashtëzakonshme, dhe kush ka qenë atë mbarmë në stadium e kujton mjaft mirë. Deri tek interesimi, vështirësia për të gjetur një biletë, dhe shitja e tyre tek sportelet e biletave të sportit. Po në librin e tij, “Dashuria shqiptare për Albanon”, me kureshtjen për ditur diçka më shumë, lexojmë: “Në Shqipëri unë gjeta motivin për këngën “Saranda, Okinava”. Sapo u ktheva në Itali bashkë me Rominën dhe kompozitorin Vito Pallavicini vendosëm të kompozojmë një këngë dedikuar tmerrit të luftës. Saranda, Okinava, si dëshmitare të dy fëmijëve, baballarët e të cilëve kanë qenë në atë luftë: babai im në Shqipëri dhe i ati i Rominës në Japoni. Një këngë emocionuese, një kujtim shumë i bukur. Pastaj koncerti i parë në Shqipëri. Gjithmonë më kanë pyetur nëse ishte një dashuri për këtë vend, apo një sfidë për të qenë i pari këngëtar nga një shtet perëndimor që kërkon të sfidojë regjimin? Sigurisht të dyja bashkë. Të rikthehesha në Shqipëri për të dhënë dy koncerte me 19 dhe 20 shtator 1989, ishim këngëtarët e parë nga perëndimi që kishim këtë privilegj. Autoritet vendase na vunë në dispozicion Pallatin e Kongreseve për koncertin e parë, ndërsa për të dytin, stadiumin kombëtar. Ka qenë një ngjarje e paharruar, e jashtëzakonshme, ashtu si edhe takimi me shkrimtarin Ismail Kadare.

Sapo kisha lexuar librin e tij “Il generale dell’armata morta”, dhe isha shumë kurioz ta takoja. Në faqet e këtij libri unë gjeta babain tim, historinë e pabesueshme të tij në Shqipëri. Kadare erdhi të më takojë në hotelin ku unë qëndroja. Ishte bashkë me gruan dhe vajzën. Me një fizik të vogël, por me një zemër të madhe. Ai dinte të fliste shumë mirë edhe me heshtjen e tij. Pastaj koncerti i dytë. Atë mbrëmje stadiumi ishte i tej mbushur, ngopur me spektatorë, me spikerin që komunikonte titujt e këngëve në shqip, ndërsa unë dëgjoja zemrën të më rrihte shumë fort. Romina ishte me bronkit, por atë mbrëmje këndoi si të ishte në një formë të shkëlqyer. Publiku nuk ndalej duke duartrokitur e kënduar. Kur Romina po këndonte dhe isha në pritje të futesha në këngë, më afrohet një person i sigurisë dhe më një italishte gati perfekt më thotë: “Ju do të jeni përgjegjësi i vetëm nëse këtu ndodh diçka e papritur. Çfarë duhet të bëj e pyes? Ju më sugjeroni ta ndërpres koncertin”- i përgjigjem. Jo, jo nuk thashë këtë,- m’u përgjigj, duke më hedhur një shikim shumë të ashpër. Dy orë e gjysmë koncert, pa asnjë incident duke më rikthehej në kujtesë atë që kam parë në një koncert të Mik Xhekerit. Në Tiranë lashë kujtime të bukura falë edhe ndjeshmërisë, mesazheve që përcillnin këngët e mia. Si mund ta harroja Shqipërinë, Tiranën, aty ku jam ndjerë si të isha Beatles”.

REAGIMI I SHTYPIT SHQIPTAR

Edhe për gazetat, shtypin e kohës, ishte një befasi, që në faqet e tyre, të shkruhej të flitej për një koncert të një këngëtari italian të zhvilluar në Tiranë. Vetëm me Marinelën, këngëtaren greke, dhjetë vite më parë. Në faqet e atyre pak gazetave të kohës, lexojmë: “Mbrëmë këngëtari italian Albano Karrizi, e shoqja Romina Pauer, dhe grupi i tij dhanë një koncert në stadiumin “Qemal Stafa” në kryeqytet.

Pjesëmarrësit e mirëpritën koncertin për interpretimin me nivel artistik të këngëve, dhe melodive nga Albano e shoqja Romina dhe grupi i tij. U pëlqyen dhe u duartrokitën sidomos këngët “Toka ime”, “Saranda Okinava”, “Nën diell”, “Liria”, etj. Në fund të koncertit këngëtarëve miq, iu dhuruan buqeta me lule”.

******

Pandi Laço: “Me këngën “Liberta”, u dogj stadium”

Regjisori, moderator, autori i njohur i teksteve të këngëve, në atë kohë punonjës në RTSH, i rikthehet atyre koncerteve, duke i rrëfyer me dëshirë e pasion, pasi të tilla i kujton: “Edhe pse kanë kaluar 35 vite, i kam të paharruara ato shfaqje, sidomos atë në “Qemal Stafa”, shprehet Laco

Z. Pandi, çfarë ishin ato dy koncerte?

Ishte bërë një marrëveshje, me ambasadat, Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, TVSH, që Albano të jepte dy koncerte live ë Tiranë, njërin në Pallatin e Kongreseve dhe tjetrin në stadium. Dhe TVSH të kishte të drejtën e transmetimit. Pa asnjë detyrim tjetër financiar, koncerte falas.

Ardhja, mikpritja ku u vendos këngëtari i famshëm?

Albano, Romina, grupi i tij me instrumentistë, teknikë u sistemuan në hotel “Dajti”. Para shfaqjeve ata bënë prova, si në pallatin e Kongreseve dhe paradite në stadiumin kombëtar. Ajo e dhënë në Pallatin et Kongreseve u transmetua direkt nga TVSH, ndërsa ajo e stadiumit më vonë dhe me disa montime.

Koncerti i parë, cila ishte atmosfera?

Në shfaqjen e parë hyrja ishte vetëm për zyrtarë, një seleksionim i personave, dhe me ftesa, jo bileta, siç veprohej asokohe. Madje në një çast gjatë shfaqjes, kur Albano ftoi disa të rinj të afroheshin dhe të uleshin me të në ato shkallë e vogla që ngjiteshe në skenë, disa të pranishëm në shenjë mosaprovimi u larguan nga salla, duke e lënë shfaqjen.

Vetëm 24 orë më pas, jemi në koncertin e dytë

Nuk kishte moderator, por e drejtonin vetë, ai dhe Romina. Albano ishte veshur me një kostum blu, kishte të lidhur me fasho dorën e majtë , ndërsa Rominën me një fustan të gjatë ngjyrë të kuqe. E shoqëronte një grup instrumentistësh, që kryenin edhe rolin e koristëve.

Ka një moment tensioni thoni ju?

Poshtë, në fushë polici e madhe. Kulmi arriti me këngën “Liberta”, kur entuziazmi i publikut ishte i papërmbajtur, duke djegur edhe këmishat, situata u tensionua. Kam qenë aty, kur forcat e policisë të shumtë në numër, i kërkuan Albanos të ulte ritmin, se mund të kishte probleme me njerëzit të ekzaltuar në ekstrem.

Keni edhe një detaj personal, familjar

Gruaja ime shtatzënë 6-muajshe me vajzën, ka qenë e pranishme në stadium. Nuk kishim parë asnjëherë në Tiranë një shfaqje të tillë dhe në stadium. Një atmosferë elektrizuese, situatë e ndezur jashtë çdo limiti.

Cilat ishin këngët, ato provokuese?

Ai këndoi mjaft këngë të njohura të repertorit të tij. Mbi 23 të tilla ka kënduar. Nga ato të fillimit të karrierës dhe sukseset e fundit, kryesisht ato të kënduara me Rominën, si “Felicita”, “Il Ballo del qua, qua”, ”Nell sole, Mattino”, ”Prima note d’amore”, “Sharzan”, “Felicita”, ”Acqua di mare”, “Sempre, Sempre”, “Saranda Okinava”, “Amara terra mia”, “Ci sara”, “Liberta”, “O sole mio”, etj.

******

Met Kruja: “Pati kërkesa për një koncert tjetër”

Ish-inxhinier i njohur i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, i pranishëm ato ditë në organizimin e atij koncerti të Albanos për “Panorama” shprehet: “Hera e parë për ne, nuk kishim eksperiencë për një koncert në stadium. Skenografia, fonia, deri te gardëroba i sollën ato. Pastaj ndriçimi tjetër problem. Nuk pati asnjë incident”.

Z. Kruja, nga një ndeshje tek një koncert muzikor?

Ishte një urdhër, orientim nga zyrtarë të lartë të shtetit, dhe për këtë qëllim, drejtori Osman Palushi, na mblodhi si administratë e na tha se në stadium do të ngrihej një skenë, për një koncert që do të jepte një këngëtar i njohur italian, Albano me gruan. Sigurisht që ne pranuam por duke marrë masa, që të mos prishje, dëmtohej fusha. Nuk ka qenë e shtunë, apo e diel që të kishte ndeshje, por mes jave. Duhej një angazhim nga të gjithë ne, që nuk ishim më shumë se dhjetë punonjës, dhe pak ditë në dispozicion. Na mungonte një eksperiencë e tillë.

Kush u angazhua me montimin e skenës

Skena u montua, prej tyre, pasi elementët për ngritjen e skenës, projektorët, foninë, skenografinë deri veshjet, gardërobën e sollën vetë, me mjete transporti nga Italia. Ka qenë një skenë e madhe me parametrat e domosdoshme të mjaftueshme, për këngëtarët, grupin, muzikantët, akustikën. U vendos që skena të ishte me pamje nga sektori përballë, dhe jo tribunës qendrore. Për faktin se ai sektor ofronte mundësinë për një numër të madh spektatorësh. Ndërsa në fushë, u vendosën rreth 200 karrige, për zyrtarët, njerëzit e artit. Koncerti ka filluar rreth orës 19.00 dhe ka vazhduar më shumë se dy orë.

Problem ndriçimi, shfaqja vazhdon deri vonë

Po, pasi stadium nuk kishte ndriçim artificial. Ata sistemuan projektorët, kurse ne i garantuam teknikëve të tyre pandërprerje të energjinë elektrike, madje u angazhua edhe enti qendror i Tiranës. I liruam dhomat e zhveshjes së lojtarëve, arbitrave të stadiumit ku ata vendosën materialet dhe që të ishin në dispozicion të tyre.

Një biletë dhe shumë kërkesa

Kishte kërkesa të madha për bileta. Një e tillë kushtonte rreth 30 lek të vjetra madje u përdorën biletat e ndeshjeve për atë koncert. Një fluks i paparë, të gjithë donin të ishin në atë shfaqje.

Z. Meti, një koncert, shumë entuziazëm, por edhe kujdes e vëmendje

Nuk pati asnjë incident, përkundrazi, gjithçka nisi dhe u mbyll normalisht. Pa asnjë dëm material. Njerëzit u kënaqën. Madje pati kërkesa që Albano me Rominën të jepnin edhe një koncert tjetër, por nuk u realizua.

/Gazeta Panorama

Exit mobile version