Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (LDKPKI) pasi në 3 vite nuk ka bërë asnjë kallëzim për zyrtarë të lartë që nuk kanë deklaruar të ardhurat.
Hetimet kanë nisur kryesisht me akuzën e shpërdorimit të detyrës nga institucioni i ILDKPKI sepse nuk ka bërë asnjë kallëzim ndaj zyrtarëve që fshehin apo nuk justifikojnë pasurinë e tyre.
Oficerë të Prokurorisë së Tiranës sekuestruan dje gjatë paradites të gjithë praktikën që ka ndjekur ky institucion tre vitet e fundit. Hetuesit do të marrin në pyetje edhe zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive nëse do të jetë e nevojshme gjatë hetimeve. Ganaj është produkt i kontrollit të plotë të qeverisë ndaj Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Një nga vendimet e para të marrë nga Rama sapo ai erdhi në pushtet ishte pikërisht emërimi i njeriut të tij në krye të këtij institucioni. Qëllimi ishte i qartë, kapja e ILDKP-së. Kjo solli një përplasje të ashpër mes opozitës dhe pozitës që paralajmëroi që atëherë se emërimi i Ganajt ishte bërë pikërisht për të mbyllur skandalet e qeveritarëve me deklaratat e tyre të pasurisë. Prej tre vitesh ILDKP mund të thuhet se nuk ekziston më. Ajo është kthyer në një zyrë të pushtetit që vetëm legjitimon deklaratat e gënjeshtërta të pasurive të zyrtarëve të lartë.