Nga Ervis Iljazaj
Tashmë mosbindja, kaq shumë e propaganduar nga PartiaDemokratike duket si nje term i harruar dhe askush nuk flet më për të. Po ashtu edhe kërkesa për qeveri teknike, ngjan si një kërkesë nostalgjike që nuk dëgjohet në asnjë fjalë në retorikën publike të zotit Berisha. Protestat ndaj qeverisë ja kanë lënë vendin protestave ndaj SPAK. Me sa duket kjo është beteja kryesore e Partisë Demokratike duke dhënë një mesazh jo elektoral dhe të gabuar në prag të zgjedhjeve parlamentare. Mirëpo opozitarët dhe pjesë e elektoratit gri kërkojnë largimin e qeverisë Rama dhe jo të SPAK-ut, ashtu sikurse e ka si ofertë kryesore politike Partia Demokratike.
E gjitha kjo retorikë, pra çështja juridike personale e Sali Berishës, po kthehet tashmë në një betejë për Partinë Demokratike. Në fakt Berisha ka më shumë gjasa ta fitojë betejën e tij me mjete jurdike dhe jo politike. Nuk kuptohet se përse e bën këtë luftë politike ndaj SPAK kur koha ka treguar se ajo nuk ka asnjë efekt. Ndërkohë që nëse përdor mjetet juridike, ka më shumë shanse të dalë i fituar dhe të mos përfshijë partinë më të madhe opozitare në betejat e tijpersonale.
Kur ndodhi skandali i “Watergat”-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Nixon u vu në gjendje akuze nga Kongresi, ai dha dorëheqjen menjëherë dhe nuk priti që ky proces të mbaronte. Shumë bashkëpunëtorë të tij, votues dhe të afërt i kërkuan që ai ta bënte betejën juridike dhe mos të dorëhiqej. Mirëpo ai u përgjigj këtyre zërave se nëse do të vazhdonte këtë betejë nuk do të kishte më kohë të merrej me qeverisjen e Amerikës sepse procesi do t’i hante shumë kohë. Dhe për mua u shpreh ai, amerikanët dhe Amerika janë më të rëndësishëm se sa fati im personal.
Një gjest i madh politik për dikë që vërtet ka përzemër fatet e vendit dhe të partisë së tij. Po të hidhemi në kontekstin shqiptar, po ndodh totalisht e kundërta. Sali Berisha jo vetëm që nuk u dorëhoq pasi u shpall non-grata dhe ju hap një proces gjyqësor, por përkundrazi, e përdori forcën e tij politike, partinë dhe ndjekësit e tij për betejën e tij personale juridike.
Edhe sot kur u paraqit në SPAK, Berisha thirri një protestë përpara dyreve të drejtësisë, pikërisht për të treguar forcën politike të tij duke berë bashkë fatin e tij personal me atë të forcës së tij politike.
Sali Berisha deri në shkallën e fundit të drejtësisë ka prezumimin e pafajësisë dhe është një një njeri i pafajshëm, por nga ana politike statusi i tij, raporti i tij personal me ndërkombëtarët dhe me drejtësinë po i konsumon shumë energji Partisë Demokratike.
Të gjitha energjitë, forcat dhe aksionet po përdoren për mbrojtjen e tij dhe jo për betejën politike që PD do të duhet të bënte me qeverinë e Ramës. Fokusi kryesor i kësaj partie tashmë, nuk është më përmbysja e pushtetit, por fati personal i zotit Berisha. Është normale të ndodhë kështu. Nëse bëhën bashkë këto dy fate sigurisht që një parti nuk mund të ketë më fuqi të bëjë betejë politike më kundërshtarin. Jo më kot Nixon në Amerikë u dorëhoq, sepse e dinte fare mirë që pozita e tij juridike nuk do t’i linte më kohë të merrej me amerikanët dhe Amerikën.
Ndërsa me rastin e Berishës po ndodh totalisht e kundërta. Energji pa fund të harxhuar për betejën e tij personale me drejtësinë. Megjithatë, ky është tashmë vendimi që kanë marrë demokratët, të mbrojnë liderin e tyre dhe të sakrifikojnë pushtetin. Që nga ana njerëzore edhe mund të jetë akt i lavdërueshëm, por nuk është aspak politik në kuptimin e synimit të pushtetit që duhet të ketë një parti dhe një opozitë./Liberale.al