Publikohet indeksi për lehtësimin tregtar 2016, i cili vlerëson 136 ekonomi bazuar në kapacitetin e tyre për të lehtësuar rrjedhën e të mirave nga kufijtë në destinacion. Raporti, ku tregohen përllogaritjet e indeksit, është hartuar nga Aleanca Globale për Lehtësi në Tregti në bashkëpunim me Forumin Ekonomik Botëror. Indeksi, i cili mbështetet në disa shtylla kryesore, e rendit Shqipërinë të 60-n nga 136 vende.
Për sa i përket qasjes në tregun vendas, Shqipëria renditet e teta, duke humbur dy vende në klasifikim krahasuar me vitin 2014. Në këtë tregues janë marrë në shqyrtim tarifat dhe kompleksiteti i tyre, si dhe pjesa e importeve, të cilat janë pa doganë.
Jemi të 52-tët për sa i përket qasjes në tregun e huaj, duke përkeqësuar renditjen në krahasim me 2014-n kur vendi renditej i 44-ti. Dy janë faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë shtyllë, tarifat me të cilën përballen shqiptarët që bëjnë tregti jashtë dhe preferenca konsumatore ndaj mallrave të tyre.
E 50-ta në lidhje me transparencën dhe efikasitetin me administratën kufitare, ku treguesi që përkeqëson renditjen është efikasiteti i procesit të zhdoganimit.
Ndërsa në lidhje me disponueshmërinë dhe cilësinë e infrastrukturës së transportit, Shqipëria është e 111-a në renditje, duke kaluar vetëm Bosnjën dhe Hercegovinën nga vendet e rajonit. Shkak për këtë është cilësia e dobët hekurudhore, numri i kilometrave ajrore në dispozicion, si dhe cilësia e rrugëve.
Në shtyllën e “Mjedisit Operues”, vendi renditet i 59-i. Sipas raportit, problem vazhdon të mbetet mbrojtja e pronës private dhe financimi.