Kryetari i PD, Basha deklaroi dje se axhenda kryesore e opozitës sot është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe paralajmëroi se aksioni politik do të shtrihet brenda dhe jashtë Parlamentit.
“Qëndrimi i unifikuar i opozitës, qëndrimi i unifikuar i opozitës parlamentare është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por do të vendosin qytetarët. Në këto zgjedhje nuk mund të vendosë varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shitblerjes së votës, por do të vendosë vullneti i qytetarëve”, tha Basha.
Basha i ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen me këtë axhendë kombëtare të opozitës së bashkuar. “Ky është një moment për t’i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen me këtë axhendë që është axhenda kombëtare, jo vetëm opozitare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka paralajmëruar se zgjedhjet janë të rrezikuara nga krimi dhe korrupsioni i lidhur me qeverinë, por ka paralajmëruar se zgjedhjet do t’i marrin në dorë qytetarët.
“Zgjedhjet janë në rrezik për shkak të krimit dhe korrupsionit, për shkak të moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, problemit të madh të shndërrimit të Shqipërisë në një parajsë të narkotrafikut, shitblerjes së votës, e cila jo vetëm nuk është ndëshkuar sipas ligjit, por është amnistuar nga Rama, mosgarantimit të votës së qytetarëve”, tha Basha.
Opozita ka paraqitur një platformë prej 17 majit dhe prej atëherë deri më sot, Edi Rama ka sabotuar çdo përpjekje për të adresuar këto probleme të qytetarëve.
Për këtë platformë është rënë dakord sot se ajo është kusht i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Platforma përfshin votimin elektronik dhe numërimin elektronik, reformën e financimit të partive, kufizimin e shpenzimeve në fushatë, barazinë në aksesin mediatik, mospërdorimin e burimeve të shtetit në kundërshtim me ligjin dhe një sërë aspektesh të tjera.
Opozita do të kushtëzojë çdo veprim të mëtejshëm me çuarjen përpara të Reformës Zgjedhore, e cila i jep qytetarëve fuqinë për të vendosur qeverisjen e ardhshme, qytetarëve dhe jo kriminelëve, vullnetit të tyre dhe jo varfërisë që dikton shitblerjen.
Për kryetarin e opozitës votimi elektronik është një kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme e opozitës. “Prioriteti numër një i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku votimi elektronik është dhe mbetet kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme. Zgjidhja përmes votimit elektronik i hap rrugë çdo opsioni tjetër që e kthen vendimmarrjen tek qytetarët”, tha Basha.
Përpjekja për të rrëzuar dekriminalizimin do dështojë
– Çfarë kushtëzoni zoti Basha?
Çdo akt tjetër, çdo veprim tjetër është sekondar përpara garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra, opozita parlamentare sot është dakordësuar që çështja numër një, problemi numër një që kanë Shqipëria dhe shqiptarët sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe e gjithë energjia jonë, i gjithë fokusi ynë sot, i gjithë aksioni politik sot brenda dhe jashtë Parlamentit do të jetë për të diktuar zgjedhje të lira dhe të ndershme si interesi i çdo shqiptari, jo vetëm i opozitës, jo vetëm i të djathtës, por i çdo shqiptari.
– A ka vend për shtyrjen e zgjedhjeve?
Të mos futemi në detaje, të cilat paragjykojnë veprimin tonë. Ne besojmë se shqiptarët si shumicë dërmuese, me përjashtim të një grupi përfituesish nga kapja dhe prishja e zgjedhjeve që janë disa kriminelë dhe disa qeveritarë të korruptuar me klientët e tyre, duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe ky është një moment për t’i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen me këtë agjendë që është agjenda kombëtare, jo vetëm opozitare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
– Por ligji i dekriminalizimit është në kushtetuese ndërkohë…
Sigurisht, sepse Edi Rama e ka shpalosur që ditën që kaloi ligji, dëshirën e tij për ta shfuqizuar këtë ligj. E ka shprehur që në fillim që e shikon si një ligj antikushtetues. Ky do të ishte një atentat i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë. Jam i sigurtë që është një përpjekje që do të dështojë me turp. Pavarësisht nga kjo, mbetemi thellësisht të preokupuar nga ritmi i papranueshëm, i ngadaltë i zbatimit të ligjit për dekriminalizimit që mbetet një nga kushtet themelore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
– Zoti Basha, në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore ka edhe një propozim të bërë nga LSI-ja për lista të hapura. Dje zoti Vasili është shprehur pro votimit elektronik. A është Partia Demokratike pro listave të hapura?
Përshëndes qendrimin pro votimit elektronik. Votimi elektronik është një nga zgjidhjet kundër shitblerjes së votës. Eliminon blerjen apo mbledhjen e kartave të identitetit dhe zvogëlon mundësitë e krimit për t’i bërë presion qytetarëve. E përshëndes mbështetjen për votimin elektronik nga kushdo faktor politik, edhe nga ata faktorë politikë qeverisës.
Përsa i përket sistemit zgjedhor, Partia Demokratike nuk është pengesë për listat e hapura. Personalisht jam shprehur për çdo sistem që fuqinë do ia kalojë qytetarit. Qoftë lista të hapura, mazhoritar apo po të doni ta bëjmë me ligj të detyrueshme që partitë politike kandidatët për deputetë t’i zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë nga anëtarësitë e tyre apo edhe nga qytetarët.
Kur kam folur për hapjen dhe për fuqizimin e qytetarëve, këtë kam parasysh; që kandidatët të mos caktohen nga kryetarët, por të caktohen nga anëtarët, mundësisht nga qytetarët.
Dhe në këtë mendësi që kam, absolutisht nuk jemi ne dhe nuk mund të jemi ne pengesë për listat e hapura. Por diskutimi për listat e hapura apo për çfarëdo sistemi tjetër zgjedhor është dhe mbetet diskutim propagandistik për sa kohë nuk garantohet vota, nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj prioriteti numër një i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme ku votimi elektronik është dhe mbetet kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme. Zgjidhja përmes votimit elektronik i hap rrugë çdo opsioni tjetër që e kthen vendimmarrjen tek qytetarët, fuqizon qytetarin, fuqizon votën e qytetarëve apo edhe të anëtarëve të partisë respektive dhe e heq pushtetin nga një klikë që ka uzurpuar pushtetin dhe përmes pushtetit resurset dhe të ardhmen e vendit.
– PS foli dje për votim elektronik, një projekt pilot për 2 qarqe maksimumi…
Demokracia nuk është një projekt pilot. Demokracia është një projekt kombëtar.