Edi Rama ja doli që ta shtrijë fenomenin e Dibrës në të gjithë vendin. Kjo ska ndodhur në një ditë, dhe ishte pikërisht ajo që i druhej Partia Demokratike. Ka ndodhur përgjatë vitit 2016, dhe ka shtuar represionin përgjatë muajve që Partia Demokratike ishte në çadër. Në fakt, Rama e bëri marrëveshjen në kohën kur ishte i sigurt se votat që i duheshin ishin devijuar. Rritja e çuditshme e PS ka qenë me rreth 50 mijë vota në krahasim me vitin 2013, kur kishte vitin e saj më të mirë, ndërsa PDIU me rreth 35 mijë vota. Gjithsej 85 mijë vota, ose 5% e totalit siç tha dhe OSBE. E gjithë shuma shkon në tetë mandate, dhe po t’i shtosh kësaj dhe 10 mijë vota të tjera janë gati 9 mandate që mungojnë në listën e Partisë Demokratike, ose që së paku do ishte rezultati i vitit 2015. Së bashku me 200 mijë votat që i mungojnë, shuma shkon në gati 20 deputetë apo më shumë deputetë se sa ka aktualisht.
Rezultatet
Megjithatë, sot Partia Demokratike është në kuotat më të ulta që prej vitit 1997. Ende nuk është përllogaritur dëmi, por besohet se janë paguar njerëzit që mos marrin pjesë në votime. Kjo shpjegon dhe pjesëmarrjen e ulët. Njerëzve u janë marrë kartat e identitetit në kohën kur u vendos që PD mos hyjë në garë, dhe kjo ka qenë vepër direkt e Edi Ramës dhe e sekserëve të tij. Euro pas këtyre zgjedhjeve po fillon të marrë të tatëpjetën, dhe dje ka shënuar kuotën më të ulët në dhjetë vjetët e fundit në 130 lekë për një euro. Një rënie e frikshme, kur mendohet se ska ardhur asnjë këmbë emigranti apo turisti. Kandidati i PD-së për Lezhën, Preç Zogaj do të bënte një deklaratë të frikshme. Ai tha se në javën e fundit të fushatës 800 mijë euro transaksione janë bërë vetëm nga një kambist i vetëm në këtë qytet, aq sa ishin transaksionet e tij për të gjithë vitin. Imagjino sa transaksione ilegale nga euro në lekë janë bërë në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë e Fier. Situata ka dalë nga kontrolli, dhe ka qenë i pamundur menaxhimi nga ana e ministrave të qeverisë. Drejtori i Policisë, Haki Çako nuk i bindej urdhërave të ministrit Demiraj, i cili ishte i pafuqishëm të shkarkonte drejtorin e Dibrës, Lezhës etj.
Gabimet
Në total Partisë Demokratike, për shkak të manipulimeve dhe mospjesëmarrjes i mungojnë rreth 280 mijë vota. Natyrisht, kjo kërkon një analizë më të thelluar dhe është pjesë e procesit që do të mbajë kjo forcë politike në ditët në vazhdim. Por në një rast tjetër, pra pa manipulime dhe pa shkopinj nën rrota, kjo forcë politike do të ishte sot padyshimn forca e parë politike në vend. Analiza këtu duhet të përqëndrohet më së shumti. Me votat e marra, së bashku me ato që i mungojnë për shkaqet që thamë më lart, sot shifra do të ishte rreth 730 mijë vota ose 67-68 mandate. Por Partia Demokratike arriti të sigurojë vetëm 454 mijë vota. Edi Rama e ka ditur mirë këtë fakt, prandaj ka nisur manipulimet që më parë, sepse i trembej forcës dhe shpirtit të saj. Gjithsesi, ajo që ndodhi është një goditje e fortë për demokracinë në këtë vend, dhe Rama e di fort mirë këtë. Ai e di mirë se përmes një procesi të manipuluar pushtetin se gëzon dot gjatë. Prandaj, nga ana e tjetër ska asnjë gëzim, asnjë festë, vetëm heshtje. S’kanë kohë për eufori, sepse po ndajnë trastën e parave, por dita e ndëshkimit nuk do të mungojë.
Zogaj, vetëm një kambist ka këmbyer 800 mijë euro në pak ditë
Kandidati i PD në Lezhë, i cili nuk arriti të futej në Parlament, pas renditjes i katërti në listë, zbulon bisedën me një kambist në qytetin e Lezhës, i cili i ka treguar se “në dhjetë ditët e fundit të fushatës tetëqind mijë euro, një shumë e barabartë, siç tha ai, me punën e dy viteve”. “Por ka një bindje të gjerë popullore se shitblerja masive e votës është shenja dalluese e zgjedhjeve të 25 qershorit. Me këtë shenjë, apo më saktë me këtë damkë, do të mbesin në historinë e zgjedhjeve më të shëmtuara e më të pista që vendi ka njohur. Përveç morisë së pafund të fakteve “të vogla”, këtë e provojnë edhe faktet e mëdha që nuk kanë nevojë të hetohen. Lumi i parave të drogës dhe korrupsionit që u përdorën për blerjen e votës në fushatën e këtij muaji tronditi kursin e këmbimit të euros, duke e zhvlerësuar atë kundrejt lekut më shumë sesa do ta kishte zhvlerësuar një sezon turistik shumë i suksesshëm. Një kambist në Lezhë rrëfeu se kishte këmbyer në dhjetë ditët e fundit të fushatës tetëqind mijë euro, një shumë e barabartë, siç tha ai, me punën e dy viteve. Përveçse me lekë, vota u ble direkt edhe me euro. Dy partitë e ishkoalicionit qeveritar, PS dhe LSI, vunë në shënjestër të fushatës së tyre zgjedhësit e ashtuquajtur vulnerabël, të kthyeshëm, të shitshëm, të varfër, të cilëve iu qepen natë e ditë për t’i lidhur në zinxhirin e votëblerjes. Kjo ishte në tërësi “fushata” në terren e pagatorëve, kujdestarëve dhe kapove zonalë të këtyre partive. Ata u përplasën disa herë për prenë, domethënë për zgjedhësit e piketuar për t’u blerë”, shprehet Zogaj.
Spaho: Ja i grumbulloheshin kartat e identitetit njerëzve
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, një ditë më parë ka bërë një denoncimin për shitblerjen e votës në zgjedhjet e 25 qershorit. Spaho denoncon me fakte se si PDIU ka blerë votat në Elbasan. Spaho ka publikuar video përgjimin në një person të paguar nga PDIU për të mbledhur vota si dhe kallëzimin që ka bërë në Policinë e Elbsanit lidhur me rastet flagrante të blerjes së votave. PDIU arriti të nxjerrë në Elbasan dy deputetë, përkatësish Aqif Rakipin dhe Bujar Muça, ndërsa në Tiranë nuk fitoi as kryetari i tyre Shpëtim Idrizi. “Nëpër studio televizive po flitet, që PD nuk ka bërë ankimime për blerjen e votës. Kjo nuk është e vërtetë. Me poshtë keni rreth 40 fotokopje kartash identiteti dhe pasaportash të mbledhura nga një subjekt politik me kushtin që të jepej vota në këmbim të lekëve. Po kështu keni pranimin e këtij fakti me video nga njëri prej atyre që kishte dorëzuar kartat e identitetit familjarisht për “ndonjë lek”. Kallzimi penal u bë në Policinë e Elbasanit, por rezultati ishte zero me xhufkë.
Berisha paralajmëron në ditën e votimit: Po blihen votat
Ish-Kryeministri, Sali Berisha më datë 25 qershor menjëherë pas votimit, pas procesit të votimit u ka bërë një thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë të lirë. Ai ka dhënë një mesazh të fortë për të gjithë shqiptarët, duke denoncuar shitblerjen e votave. “Në këto zgjedhje, shqiptarët përballuan në votime me drogën me krimin, por nga ana tjetër i ftoj të ngrihen në lartësinë e guximit e të besimit të tyre. Të bëjnë që të triumfojë vullneti për mbarë shqiptarët. Kam informacione se eksponentë të partisë siçiliste po blejnë vota. Kam informacione, se kjo po ndodh në Bradashesh në Kostil të Elbasanit, në Durrës, etj. Qytetarët duhet t’i denoncojnë, t’i filmojnë dhe të përballën me rreptësinë e ligjit”.
Arrestohet më 24 qershor militanti i PS-së në Kavajë
Më datë 24 qershor një person është vënë nën hetim në Kavajë nën akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” për një ngjarje të ndodhur në fshatin Luz i Vogël. Burime nga Policia lokale thanë në atë kohë se ka nisur procedimi penal për D.X., pas një kallëzimi të bërë ndaj nga Sh.X. Ky i fundit, është paraqitur në polici dhe ka kallëzuar se më datë 21 qershor, Sh.X. i ka shkuar në banesë dhe i ka dhënë 5.000 lekë të reja, duke i përcjellë të fala nga Altini. Hetimet e Policisë kanë arritur të zbulojnë se bëhet fjalë për një rast të blerjes të votës për llogari të një partie politike. Kështu, ndaj D.X. kanë nisur hetimet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.