Nebiaj bashkëbisedim me të rinj në Tiranë: PD u krijua nga të rinjtë për të rinjtë. Askush nuk duhet të mbetet pa arsim për shkak të pamundësisë ekonomike

Kandidatja e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Oriela Nebiaj zhvilloi sot një bashkëbisedim me votues të rinj të këtij qyteti. Nebiaj u shpalosi të rinjve të pranishëm vizionin e Partisë Demokratike për të ardhmen e të rinjve në Shqipëri. Ajo u shpreh se Partia Demokratike u krijua nga të rinjtë dhe për të rinjtë. “Ne sot duhet të jemi fryma që bën ndryshim, fryma dhe energjia që bën ndryshimin që e kemi pritur prej kohësh”, vijoi kandidatja e re e PD-së.

Të rinjtë e pranishëm pritën me interes të veçantë shpjegimin e programit të z. Basha për arsimin që ngrihet mbi parimin që askush të mos mbetet pa arsim për shkak të pamundësisë ekonomike. Një nga angazhimet kryesore të programit të z. Basha për arsimin – pohoi Nebiaj – është angahzimi për të financuar 100% tarifat e studimit bachelor dhe master për studentët që vijnë nga familje me të ardhura mujore nën 640 mijë lekë.

Një vend të rëndësishëm në diskutimin e zhvilluar me të rinjtë ishin mundësitë që parashikon plani i PD-së për mbështetjen e inovacionit dhe sipërmarrjes rinore.

Bashkëbisedimi vijoi me pyetje dhe diskutime nga të rinjtë e pranishëm, të cilët ishin kureshtarë të dinin hollësi nga alternativa e z. Basha dhe vëmendja që do të marrin politikat rinore në qeverinë e Partisë Demokratike pas 25 prillit.

Artikulli paraprakOra e ndryshimit po afron! Elbasani në shesh me Bashën, jo me bandat e Ramës!
Artikulli tjetër“Më jepni votën t’u bëjmë legalizimin”, banorët denoncojnë ministren. Vokshi dorëzon padinë në SPAK