(Nga parathenia e librit “Bir i armikut”, botim i ISKK, 2023)
Ky libër, në kujtim të tim eti, Sorkadh Çika, nisi nga një dëshirë e obligimi im i hershëm për të treguar e dëshmuar në vetë të parë, përjetimet e mia si biri i një të burgosuri dhe nipi i një të pushkatuari politik, pjesëtar i një familje që i kaloi të gjithë format e persekutimit komunist nga të pushkatuar deri tek kulakë në diktaturën komuniste. Vendimi im për të lënë këtë dëshmi ka shumë motive por më kryesorja është që t’iu dëshmoj brezave, fëmijëve që nuk kanë lindur e jetuar në diktaturë, se si ishte jeta në një e një fëmije, e një familje ”armike” të diktaturës komuniste. Cilat ishin privimet, ndjesitë, reagimet ndaj një lufte klasash kriminale, që nuk përjashtonte asnjë përfshirë edhe fëmijët, të cilët ishin përcaktuar si»armiq” përpara se të lindnin?! Sot e kemi të vështire t’iu shpengojmë edhe fëmijëve tanë atë që ka ndodhur, me gjithë përmasën apokaliptike të asaj që ngjau në 45 vjet diktaturë komuniste ne Shqipëri. Ajo kohë nuk shpjegohet e sidomos nuk kuptohet dot, e plotë dhe e saktë, në kushtet e sotme politike, ekonomike e shoqërore. Të rinjtë, fëmijët tanë, e kanë sot të vështirë, së pari ta kuptojnë e me tej ta besojnë e ta pranojnë atë që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste. Dhe kanë të drejtë shumë se ato që kanë ngjarë në atë kohë errësire e kalojnë logjiken e fantazinë e një njeriu normal që nuk i ka jetuar vetë ato. Por jo vetëm ata që nuk kanë lindur e nuk kanë jetuar në diktaturë nuk i dinë e nuk i besojnë dot ato që kanë ndodhur e kemi përjetuar ne, bijtë e armiqve. Jam përballur shumë here me moshatare të mi, por edhe me më të rritur që befasohen kur ne flasim për krimet e komunizmit dhe me sinqeritet thonë se nuk kanë ditur gjë, se nuk u ka thënë gjë njeri për ato që kanë ndodhur edhe pse shumë krime, ngjarje apo personazhe, viktima e xhelatë, kanë ndodhur e kanë jetuar shumë pranë tyre. Një miku im, inxhinier minierash, më ka thënë se: “Unë e mora vesh që Shqipëria komuniste kishte ‘armiq’”, burgje dhe të burgosur politikë kur më emëruan në Spaç, pas mbarimit të shkollës. Atje pashë për herë të parë realitetin e përgjakshëm të Shqipërisë komuniste. Ishte një kontrast i madh me atë që mësonin e dinim jashtë atyre telave me gjemba në ato vende të harruara nga Zoti dhe kjo përballje e parë me të vërtetën ishte një shok, një përmbysje e gjithçkaje që kishe mësuar e dije deri në atë moment. Vetëm pak ditë mu deshën atje për tu bërë një kundërshtar i regjimit. Fillova ti shoh e ti mendoj gjërat krejt ndryshe”. Por shumë të tjerë nuk e patën atë mundësi për të parë me sy krimet komuniste që mund të dinin çfarë ndodhte e ndoshta edhe të reflektonin. Atyre nuk u tregoi kush për to, as në familje as në shkollë e as në shoqëri, se ishte e ndalur e ndëshkoheshin po të flisnin për to edhe ata që i dinin. Frika se mund të ishte ti viktima e radhës solli heshtjen e atyre që i dinin, për pasojë fshehjen e krimeve komuniste për njerëzit e thjeshtë, fshehje qe vazhdon ende sot. Të vërtetën e dinim tamam vetëm ne,”bijtë e armiqve”, viktima të atyre krimeve të rënda të klasifikuar si krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ne i dinim ato, i përjetonim ato, i dëgjonim që fëmijë ato nga njerëzit tanë të dashur që i kishin hequr mbi shpinë. Personalisht vlerësoj se pikërisht kjo situate e imja si “bir armiku” i pushtetit komunist më shpëtoi nga rreziku i të bërit “njeri i ri i komunizmit”, një qenie që nuk kishte asnjë lidhje me qeniet njerëzore. Ai sistem prodhonte dhe edukonte antinjerëz robotë në shërbim të pushtetit. Pa besim tek Zoti, liria, familja, atdheu, prona, dinjiteti e të tjera vlera njerëzore. Krimi, ligësia, spiunllëku, servilizmi, gënjeshtra, imoraliteti etj, ishin vlerat që predikonte në shkollë e shoqëri etj, ai system politik kriminal. Kam këmbëngulur e këmbëngul që krimi më i madh i komunizmit në Shqipëri është fabrikimi i njeriut të ri komunist, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot. Dhe kjo u arrit duke luftuar e zhdukur çdo vlerë njerëzore, duke vrarë burgosur, persekutuar e izoluar çdo njeri e familje që i mbarte këto vlera. Përtej sakrificës, mendoj se jam me fat qe kisha një baba»armik”, një familje»armike” të atij sistemi kriminal, falë të cilëve i shpëtova”virusit” të njeriut të ri komunist. Edukimi familjar ishte mënyra e mjeti i vetëm për ti shpëtuar atij. Ishte vaksina, antidoti që merrej çdo ditë nga bombardimi psikologjik në shkollë e kudo, jashtë shtëpisë nga sulmi i vazhdueshëm në të gjitha format dhe mënyrat virusit të së keqes, të anti-njeriut. Gjithnjë, që fëmijë jam ndjerë ndryshe, kam kuptuar, kam menduar e kam vepruar ndryshe nga shumica e moshatarëve të mi, në të gjitha fushat e jetës dhe kjo më ka mbajtur me këmbë në tokë, atëherë në diktaturë e sidomos sot, pas rënies “de jure” të saj. E gjithë kjo, meritë e edukimit ndryshe prej tim eti dhe familjes. Ishte shumë e thjeshte por shumë thelbësore. Më mësuan të kuptoj e të ndaj të mirën nga e liga, të vërteten nga gënjeshtra, dritën nga errësira, më edukuan të zgjedh të mirën, gjë të cilën shumë njerëz nuk e bëjnë dot as sot. Jo se ata jetonin shumë ndryshe nga, edhe ata nuk kishin liri, ishin të varfër e u mungonin shumë gjera por ndryshe nga unë ata nuk e dinin që nuk i kishin këto, apo që bota kishte gjëra të tjera më të mira se ato të Shqipërisë “fanar ndriçues” të propagandës komuniste, thjeshtë se nuk ua kishte thënë njeri në shtëpinë e tyre të vërtetën apo më keq, i gënjenin nga frika e ndëshkimit ose bindja komuniste e prindërve. Ne familjen tone këto dy gjëra nuk ekzistonin pasi e dinim që nuk i shpëtoje dot diktaturës në se do nuk do të mund të përshtateshe me ligësinë e saj tragjikomike. E kishim marrë që në 1944 ndëshkimin për këtë. Për ta konkretizuar këtë po sjell një ngjarje nga fëmijëria ime: Ishim në plazh, në verë, dikur nga fillimi i viteve 1980. Rastisi që nxori deti një bidon plot me Coca-Cola 1.5 litërshe, zakonisht i nxirrte bosh, por ky qëlloi plot. U mblodhëm të gjithë rreth tij dhe me gjithë dëshirën e madhe për ta provuar, se nuk ja denim as shijen, shumica nuk guxonin, sepse besonin atë që u thuhej në shkollë e familje:”Mund të ishte e helmuar qëllimisht nga armiqtë kapitalistë “. unë e mora dhe fillova ta pi, pa frikë. Kur shkova te gjysma, pasi u bind që mua nuk po më gjente gjë, ma mori nga goja një shok dhe e piu pjesën tjetër. Fëmijët e tjerë na ndiqnin me sy të tmerruar për shumë kohë, prisnin” kur do të vdisnim nga Coca-Cola e helmuar prej armiqve kapitalistë”. Për ata që nuk e dinë, në Shqipëri në atë kohë nuk kishte, nuk lejohej Coca-Cola e asnjë nga këto “pijet kapitaliste” që ka sot, shqiptarët nuk e dinin çfarë shije kishte ajo. Ky ishte ndryshimi : unë e piva pa asnjë ndrojtje se askush në shtëpi nuk më kishte thënë që»kapitalistët janë armiq të këqij e që të duan të na helmojnë”, përkundrazi. Pa e kuptuar pa e pasur qellim në vetvete bëja diferencën pothuaj në gjithçka dhe e ndjeja këtë. E solla këtë shembull për të kuptuar ndryshimin me të tjerët që bëhej edhe në detaje kaq të vogla e të thjeshta por që janë domethënëse për të kuptuar ndryshimin qe vjen prej edukimit dhe mendimit ndryshe. Ne jetonin në të njëjtin, vend shkonim në të njëjtën shkollë, luanim së bashku, vetëm familjen dhe raportin me diktaturën e kishim të secili më vete, gjë që mjaftonte të më bënte të ndryshëm nga të tjerët! Libri është i ndërtuar mbi përjetime të mija për fenomene ngjarje e personazhe, tregime e biseda të tim eti dhe të tjerëve, informacione e dokumente arkivore etj. Ka në qendër tim atë dhe familjen tonë por nuk është thjesht një histori familjare por mbi të gjitha është një perceptim, një këndvështrim imi në periudha të ndryshme të jetës, për ato që po ndodhnin në atë kohë. Një copë jete e historie që përafërsisht e kanë kaluar shumë te tjerë si unë. Jam përpjekur të përqendrohem, më shumë tek qëndresa se sa tek sakrifica, se këtë kam vlerësuar më shumë tek familja ime dhe të tjerë si në në diktaturë, që më ka dhënë force e krenari atëherë, dhe me jep te njëjtën ndjesi edhe sot. Shpresoj shumë që të lexohet e veçanërisht të kuptohet sidomos nga brezi i ri që e ka të vështirë ta kuptojë atë gjëmë që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste e për më tepër ta pranojë si të vërtetë atë kohë kaq të ligë.