Nedved: E rrezikshme të luash kundër një skuadre me talente

Pavel Nedved është treguar i matur në deklarata pas shortit të Ligës së Kampionëve. “Të luash kundër një skuadre plot me talente të rinj që nuk kanë çfarë të humbasin është e rrezikshme”, deklaroi zv.presidenti i Juventusit. Nedved tha më tej se, Juventus synon të bëjë më të mirën kundër Monacos. “Në Ligën e Kampionëve duhet të bësh më të mirën tënde në çdo lojë dhe ky është synimi ynë”, shtoi ai. “Në Barcelonë bëmë një gjë të madhe, por lojtarët tani janë të fokusuar që të fitojnë Kupën”, tha çeku.
Fabio Capello, ish-trajneri i disa skuadrave të njohura, mendon se Juventusi mund ta fitojë Ligën e Kampionëve. “Juventusi mund ta fitojë Championsin, kjo çerekfinale me Barcelonën mund të paraqesë një kthesë epokale. Reali është, të paktë në letër, skuadra më e fortë e gjysmëfinalisteve. Ka një pankinë të gjerë dhe të shkëlqyeshme”, ka deklaruar Capello. “Reali nuk është një bandë solistësh të jashtëzakonshëm, por një grup i vërtetë. Pastaj, sigurisht, lojtarët e klasit e bëjnë dallimin. Cristiano Ronaldo nuk e ka shpejtësinë e dy viteve më parë, por luan me inteligjencë dhe përvojë”, ka theksuar ai.
Nuk është hera e parë që Juve dhe Monaco takohen në Ligën e Kampionëve. Në fakt, përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë ndodhur disa herë, por më e fundit është akoma e freskët në memorien e tifozëve të të dyja skuadrave. Juve dhe Monaco janë takuar në çerekfinalen e sezonit 2014/15, ku në të dy ndeshjet u shënua vetëm një gol, ai i Vidal nga penalltia në “Juventus Stadium”, në minutën e 57. Monaco në atë sezon njihej si një skuadër e fortë në mbrojtje, kurse këtë sezon shënon shumë gola, e Juventus atë stinor shkoi deri në finale, ku humbi nga Barcelona 3-1.

Artikulli paraprakReali godet Barcelonën para El Clasicos
Artikulli tjetërJuve kundër Monaco