Negociatat, Holanda, Danimarka dhe Spanja kundër Ramës: Të luftojë krimin, korrupsionin dhe rikthejë drejtësinë

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e sotëm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme po bëjnë përpjekje për të arritur pajtim për vendimin rreth nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo, krahas Brexit-it, është njëra prej temave më të rënda të takimit të sotëm të ministrave dhe ka gjasa që kjo çështje të bartet te shefat e shteteve apo qeverive të BE-së, të cilët do të takohen në Bruksel më vonë gjatë javës.

Ndonëse ekziston një shumicë e madhe e vendeve anëtare që kërkojnë vendimin për nisjen e negociatave me këto dy shtete kandidate, Franca është në krye të atyre shteteve që nuk duan një vendim në këtë moment dhe kërkojnë risimin e të gjithë procesit të zgjerimit të BE-së.

Në anën tjetër, janë edhe disa vende si Holanda, Danimarka dhe Spanja të cilat, sipas burimeve diplomatike, janë të gatshëm për një vendim pozitivë për Maqedoninë e Veriut, por jo edhe për Shqipërinë. Komisioni Evropian sikurse edhe disa shtetet të BE-së, mendojnë se do të ishte gabim sikur të ndahen këto dy shtete.

Në rrethana të tilla gjasat për një vendim pozitiv gjatë ditës së sotme nuk janë të mëdha. Kjo po shihet edhe nga deklaratat që sot në mëngjes dhanë disa prej ministrave të BE-së, para nisjes së takimit.

Ministrja e Finlandës, Tytti Tuppurainen, e cila njëherësh edhe kryeson takimin, u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e sotëm, por tha se si kryesi në tërësi e mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithëse sipas saj, duhet pritur se çfarë do të thonë edhe shtetet e tjera anëtare, pasi që duhet të jetë vendim unanim.

Ka pasur vende që kanë tërhequr vërejtjen se procesi i zgjerimit të BE-së është i lidhur me stabilitetin politikë dhe zhvillimin e demokracisë në rajon.

“BE-ja ka përgjegjësi për paqe, stabilitet, pajtim dhe demokraci në Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të thotë se duhet të mbajmë premtimet tona”, ka thënë ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, duke shtuar se Gjermania konform qëndrimit të Parlamentit, dëshiron vendim për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok tha se shteti i tij mendon se Shkupi dhe Tirana zyrtare ende nuk kanë përmbushur kushtet, që t’u jepet data për nisjen e bisedimeve për anëtarësim më bllokun evropiane.

“Kur është në pyetje Maqedonia e Veriut, ne konsiderojmë se duhet të plotësohet edhe një kusht, miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike. Kur të përmbushet ky kusht, mund të nisin bisedimet për çështjen e anëtarësimit (në BE). Kurse sa i përket Shqipërisë, mendojmë se ende duhet të punojnë dhe nuk janë gati për nisjen e bisedimeve”, ka thënë ministri holandez, Blok.

Përderisa vendet si Holanda dhe Danimarka duan të shohin më shumë progres në Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në sundimin e ligjit, Franca do që të vendoset një metodologji e re në procesin e zgjerimit, duke e bërë këtë proces më shumë gradual dhe të kthyeshëm. Kjo do të thotë se kur të mbyllen kapitujt e caktuar negociatorë, ato mund të hapen nëse shteti kandidat nuk vazhdon progresin.

Franca dëshiron që Komisioni Evropian të dalë në pranverë me një propozim konkret për këtë, e pastaj, dikur gjatë vetës, të mund të merret vendimi për nisjen e negociatave.

Nga Komisioni Evropian përgjigjen se metodologjia mund të ndryshohet kurdo, por kjo nuk do të duhej të mbante peng vendimet për nisjen e negociatave.

Presidenca finlandeze e BE-së ka dalë me një propozim kompromisi, sipas të cilit, vendimi për nisjen e negociatave do të merrej tash, ndërsa negociatat do të nisin diku vitin që vjen, pasi të përmbushen edhe disa kushte. Por, edhe një propozim i tillë për një vendim gjysmakë dhe të kushtëzuar, ka gjasa të bllokohet nga Franca.

Në procesin e zgjerimit, vendimet në Bashkimin Evropian miratohen me konsensus dhe përderisa të ketë vende që nuk pajtohen, vendimi nuk mund të merret.

Hezitimi për të vendosur nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shihet nga shumë diplomatë si një rrezik për BE-në, e cila po e humb kredibilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, Franca duket se nuk po shqetësohet për këtë, duke argumentuar se është më e rëndësishme që së pari BE-ja të reformohet nga brenda, që të mund të funksionojë si duhet para se të mendojë të zgjerohet me shtete të reja anëtare.

“Europa e Lirë”

Exit mobile version