Diplomacia ndërkombëtare po hyn sërish në një fazë të nxehtë për çështjen e Ukrainës, pasi pasditen e sotme, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Sipas njoftimit të vetë presidentit amerikan, pas telefonatës me homologun rus, ai do të bisedojë gjithashtu me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe më pas me disa liderë të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shprehu shpresën që dita e sotme të jetë “produktive” dhe të përfundojë me një marrëveshje për armëpushim, në mënyrë që “ky luftë shumë e dhunshme, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur të ndalet”.
“Do të flas me telefon të hënën, në orën 10:00 të mëngjesit, me presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Temat e bisedës do të jenë ndalimi i ‘kasaphanës’ që po vret, mesatarisht, mbi 5,000 ushtarë rusë dhe ukrainas çdo javë, si dhe tregtia.
Më pas do të flas me presidentin Zelenskyy të Ukrainës dhe më pas, së bashku me presidentin Zelenskyy, me disa anëtarë të NATO-s. Shpresoj që kjo të jetë një ditë produktive, të arrihet një armëpushim dhe që kjo luftë shumë e dhunshme – një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur – të përfundojë. Zoti na bekoftë të gjithëve!!!”, shkruan Trump.
Të dielën, Trump zhvilloi një videokonferencë me liderët e Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Një përfaqësues i liderit britanik, Keir Starmer, tha se “u diskutua nevoja për një armëpushim pa kushte dhe për ta marrë presidenti Putin seriozisht procesin e bisedimeve për paqe”.
Po ashtu, u diskutuan edhe sanksione të mundshme nëse Rusia nuk angazhohet me seriozitet në këto negociata.
Telefonata e sotme vjen pas bisedimeve të pasuksesshme për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë që u mbajtën në Stamboll, bisedimet e para të tilla që nga dështimi i tyre në vitin 2022.
Ato ndodhën në një kohë kur Rusia ndërmori një sulm të ashpër me 273 dronë, duke goditur Kievin, Dnipropetrovskin dhe Donetskun.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u takua në Romë me nënkryetarin amerikan J.D. Vance dhe ministrin e Jashtëm Marco Rubio, në kuadër të ceremonisë së shugurimit të Papës së ri, deklaroi se Ukraina është e gatshme të përfshihet në një proces të vërtetë diplomatik dhe theksoi nevojën për një armëpushim të plotë dhe pa kushte sa më shpejt që të jetë e mundur.