Sulmuesi brazilian Neimar, ka shpjeguar gjatë një aktiviteti promocional në Spanjë se, ofertat e PSG-së që janë përfolur gjatë ditëve të fundit në media, kishin qenë shumë konkrete. Por ai gjithashtu konfirmoi se, parisienët nuk ishin klubi i vetëm që interesohej për të. “Po, kam pasur shumë bisedime, me shumë persona të ndryshëm. Nuk ka qenë vetëm një. Por zgjodha të qëndroja te Barcelona, pasi ndjehem në shtëpi dhe jam shumë i lumtur këtu, me shokët e skuadrës dhe jetën që po kaloj këtu. Jam i Barçës, prandaj vendosa të qëndroj”, theksoi futbollisti.
Skuadra tregoi një formë të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve, ku mundi pa asnjë lloj problemi me një goleadë 7-0 ekipin e Sëlltikut. “Nuk është e lehtë të shënosh gola. Por të tre së bashku kemi bërë një punë të madhe, dëshironim të ndihmonim ekipin dhe shokët e skuadrës me pasimet dhe golat tanë. E rëndësishme është që të sigurojmë sa më shumë trofe”, vijoi Neimar.
Braziliani foli edhe me lidhjen që është krijuar mes tij dhe Mesit, pasi të dy lojtarët, bashkë me Suarez, duket sikur kuptohen me sy mbyllur dhe kjo shihej qartë me pasimet spektakolare në sfidën ndaj Sëlltikut. “Është shumë e lehtë të luash me të dhe kuptohemi shumë mirë në fushë. Përse më lejon të ekzekutoj goditjet e dënimit? Është çështje afiniteti brenda skuadrës, flasim shumë dhe unë e di shumë mirë kur mund të më lejojë, apo edhe Suarezin. Gjithmonë flasim dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, vijoi ai.
Në fund një batutë për “Topin e Artë”, ku Neimar shihet gjithmonë si kandidat i tretë pas Ronaldos e Mesit. “Do të më pëlqente të renditesha përsëri mes tre më të mirëve, por është e komplikuar, pasi varet nga shumë gjëra dhe nga votimet. Por, nëse ‘Topi i Artë’ do t’i jepej gjithmonë më të mirit, atëherë Mesi do ta merrte çdo vit”, deklaroi Neimar.
Lionel Mesi thyen një tjetër rekord. Një ndër primatet e paktë që kanë mbetur për t’u kaluar nga ylli i Barcelonës dhe Argjentinës. Falë tre golave të realizuar në ndeshjen e parë të Champions League, ku katalanët shkatërruan Celtic, 29-vjeçari vendosi një tjetër rekord personal. Sulmuesi arriti në kuotën e pabesueshme të 515 golave zyrtarë, të gjithë të shënuar me fanellat e Barcelonës dhe përfaqësueses së Argjentinës. Shifra yjore, për lojtarin që cilësohet si një prej më të mirëve në historinë e futbollit.
Me ecurinë e jashtëzakonshme, ai kaloi një legjendë si Di Stefano, në kuotën e 514 golave dhe kjo e ka bërë Lionel Mesin golashënuesin më të mirë argjentinas të të gjitha kohërave. Më të shkëputur në klasifikimin special janë emra si Batistuta me 356 gola dhe Diego Armando Maradona në kuotën 354. Diferenca është që rekordi i Mesit do të vazhdojë të rritet, edhe sepse ylli i Barcelonës ka ende disa vjet karrierë në nivelet më të larta.