Neli Demi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në Tiranë: “Sulmi i paemër është nënshkrimi i frikës”

Në një reagim të fundit në rrjetin social Facebook, Neli Demi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në qarkun Tiranë, ka komentuar një akuzë publike të hedhur mbrëmjen e kaluar në një media, e cila sugjeronte se kandidatë të Koalicionit Euroatlantik po financohen nga pushteti. Pa emra dhe pa fakte, sipas Demit, kjo akuzë përbën një taktikë klasike që synon të njollosë gjithçka që nuk mund të kontrollohet.

“Një formë dhune simbolike që synon të helmojë vetëdijen kolektive, të thyejë besimin e qytetarit dhe të ruajë një status quo që ka frikë nga ndryshimi,” – shkruan Demi, duke theksuar se pikërisht këto sulme pa baza janë shenja se Koalicioni po afrohet drejt një ndryshimi të vërtetë dhe të dëshiruar nga qytetarët.

Ai nënvizon se përballë kësaj klime dyshimi dhe baltosjeje, zgjidhja nuk është përgjigjja me të njëjtën monedhë, por përqafimi i një politike të bazuar mbi **ndërgjegje, përgjegjësi dhe analizë**, jo mbi paranojë dhe manipulim.

“Kjo është rruga më e vështirë. Por edhe e vetmja që ia vlen,” – përfundon Demi, duke bërë thirrje për një qytetari të ndërgjegjshme dhe një reagim të bazuar në të vërteta e jo në frikë.

Postimi i plotë i Neli Demit:

Mbrëmë, u hodh në eter një akuzë e thjeshtë: “Pushteti po financon kandidatë të KEA-së”. Asnjë emër. Asnjë fakt. Vetëm një frazë që e di mirë që do të lërë gjurmë, edhe nëse është e zbrazët nga e vërteta.

Kemi nevojë për analizë. Jo për taktika klasike: baltos gjithçka që nuk mund ta kontrollosh. Një formë dhune simbolike që synon të helmojë vetëdijen kolektive, të thyejë besimin e qytetarit dhe të ruajë një status quo që ka frikë nga ndryshimi.

Për ne që nuk jemi pjesë e skemave, por të përfshirë me mendje dhe ndërgjegje, kjo është prova më e mirë që po i afrohemi diçkaje të vërtetë. Sulmi i paemër është nënshkrimi i frikës. Dhe frika gjithmonë zgjedh të godasë atë që nuk mund ta kuptojë dot, ose ta kontrollojë.

Nuk duhet të hidhemi kurrsesi në fushën e baltës. Por duhet të vazhdojmë të flasim për atë që duhet besuar: një politikë që nuk ushqehet me paranojë, por me përgjegjësi. Një shoqëri që nuk reagon me gisht, por me ndërgjegje. Një qytetar që nuk kërkon armiq, por kërkon të kuptojë.

Kjo është rruga më e vështirë. Por edhe e vetmja që ia vlen.

Exit mobile version