Neli Demi: Korrupsioni shtrembëron mendjen para se të zbrazë arkën

Mjeku psikiatër dhe kandidati i Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, Neli Demi, ka publikuar një analizë mbi fenomenin e korrupsionit, duke theksuar se ky nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe psikologjik e kulturor.

Sipas Demit, korrupsioni nuk fillon me grabitje të mëdha, por me justifikime të vogla, me një ndarje gjithnjë e më të paqartë mes detyrës publike dhe përfitimit personal. “Pushteti, kur nuk sfidohet, riformaton mënyrën si dikush e sheh botën”, shprehet ai, duke argumentuar se ata që përfshihen në korrupsion nuk ndihen fajtorë, por thjesht besojnë se po luajnë “lojën” më mirë se të tjerët.

Ai vë në dukje se rreziku më i madh është kur korrupsioni bëhet normë, kur shoqëria mësohet aq shumë me të, saqë nuk e sheh më si problem. “Nuk është thjesht lakmi, por një mënyrë të menduari, një kulturë ku ata që kanë pushtet nuk ndihen më përgjegjës dhe ata që s’kanë, nuk presin më asgjë”, thekson Demi.

Në këtë analizë, ai apelon për një ndërgjegjësim të fortë shoqëror, për një kulturë të transparencës dhe llogaridhënies, ku pushteti sfidohet dhe qytetarët nuk dorëzohen përballë padrejtësive. “Lipset gjithnjë të shohim qartë!”, përfundon ai, duke theksuar rëndësinë e një ndryshimi rrënjësor në mënyrën si konceptohet dhe luftohet korrupsioni në Shqipëri.

Postimi i Neli Demit:

Korrupsioni Shtrembëron Mendjen Para se të zbrazë arkën
Askush nuk e sheh veten si të korruptuar. Ky është mashtrimi që luan mendja. Fillon me justifikime të vogla- Punoj shumë, e meritoj- dhe përfundon me një ndarje të zbehtë mes detyrës publike dhe përfitimit personal. Perceptimi ndryshon. Paratë nuk janë të vjedhura, janë të fituara. Nderet nuk janë të paligjshme, janë të domosdoshme. Ata që kërkojnë llogari nuk janë qytetarë, janë ngatërrestarë.
Pushteti, kur nuk sfidohet, riformaton mënyrën si dikush e sheh botën. Kur çdo derë hapet, kur rregullat përkulin kokën, kur ndëshkimi nuk vjen kurrë, mendja përshtatet. Faji zbehet. Llogaridhënia ndihet si padrejtësi. Të korruptuarit nuk mendojnë se po tradhtojnë dikë; ata besojnë se thjesht po luajnë lojën më mirë se të tjerët.
Prandaj korrupsioni nuk është thjesht lakmi, është një mënyrë të menduari. Një kulturë ku ata që kanë pushtet nuk ndihen më përgjegjës dhe ata që s’kanë, nuk presin më asgjë. Dhe rreziku më i madh nuk është vetëm ekzistenca e korrupsionit, por fakti që mësohemi aq shumë me të, sa nuk e shohim më.
Lipset gjithnjë të shohim qartë!!!

Artikulli paraprakGazment Koduzi: Shqipëria, i vetmi vend në Europë që nuk kryen analizën e gjakut për të sapolindurit
Artikulli tjetërZëri i Amerikës: Çështja Veliaj skemë e madhe korrupsioni, prokurorët kanë prova të reja!