Neli Demi: “Liria” e Angela Merkel, një reflektim i thellë për pushtetin dhe përgjegjësinë

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Qarkun Tiranë, Neli Demi, ka ndarë me ndjekësit një rekomandim letrar me domethënie të thellë politike dhe njerëzore: librin “Liria” nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demi thekson rëndësinë e këtij libri në një kohë kur pushteti shpesh duket i distancuar nga ndjeshmëria dhe reflektimi. Ai e cilëson veprën si një përpjekje për të kuptuar vlerën e vendimeve të marra jo për popullaritet, por për ndërgjegje.

“Është një libër i shkruar për të treguar, dhe për të kuptuar. Për të bërë paqe me kohën që kalon, dhe për të shqyrtuar se çfarë mbetet kur vendimet nuk maten më me popullaritet, por me ndërgjegje.”, shkruan Demi.

Ai nënvizon se liria, sipas Merkelit, nuk është vetëm një çlirim personal, por një përkushtim ndaj së vërtetës dhe ndaj shoqërisë. Postimi i tij reflekton mbi klimën aktuale politike dhe mungesën e debatit të vërtetë, duke sjellë në vëmendje nevojën për një udhëheqje që frymëzon përmes shembullit.

Postim i plotë nga Neli Demi në rrjetin social:

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Librit, ju rekomandoj “Liria” nga Angela Merkel.

Është një libër i shkruar për të treguar, dhe për të kuptuar. Për të bërë paqe me kohën që kalon, dhe për të shqyrtuar se çfarë mbetet kur vendimet nuk maten më me popullaritet, por me ndërgjegje.

Merkel flet për lirinë jo vetëm si një proces i brendshëm dhe i përditshëm.

Ajo e lidh me përgjegjësinë. Me pranimin e të kaluarës. Me refuzimin për të heshtur kur heshtja kthehet në shmangie.

Merkel thotë se liria e vërtetë nuk është vetëm çlirim nga frika apo padrejtësia, por angazhim ndaj të tjerëve, ndaj së vërtetës, ndaj asaj që na lidh si shoqëri.

E lexoj këtë libër në një kohë kur pushteti shpesh shfaqet pa ndjeshmëri. Kur argumenti është zëvendësuar nga retorika. Kur drejtimi përzihet me dominimin.

Merkel na kujton se në fund, nuk është numri i duartrokitjeve që ka rëndësi, por ajo që ndodh kur ndalon së foluri. Kur mungesa jote flet më shumë se prania.

Exit mobile version