Nën hetim gjyqtarët që liruan Lul Berishën, shmangën qëllimisht Prokurorinë

Për lirimin e parakohshëm nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, ndaj treshes së gjyqtarëve të Shkallës së Parë të qytetit bregdetar. Ndaj Tritan Hamitaj, Fejzo Hysi dhe Shpëtime Pitarku, të tre pjesë e Kolegjit Penal, Krimet e Rënda kanë krijuar dyshime të arsyeshme se, në rastin e Lulzim Berishës, secili nga gjyqtarët ka shkelur ligjin.
Burime nga akuza, theksojnë se Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ka shmangur procedurën normale të kundërshtimit të urdhrit të ekzekutimit që nxjerr prokurori. Vendimi i uljes së dënimit të dhënë nga Hamitaj, Hysi e Pitarku, u trajtua si një çështje administrativo-penale, duke përjashtuar prokurorin nga salla e gjyqit, e duke lënë të pranishëm vetëm juristin e burgut, tashmë të shpallur në kërkim, Tedi Labi. Shkelja e ligjit dyshohet të jete bërë si, përsa i përket procedurës së ndjekur, ashtu edhe për aplikimin në mënyrë të gabuar të ligjit për amnistinë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se, gjyqtari Fejzo Hysi ka zbatuar gabim ligjin për amnistinë, duke i zbutur ish-kreut të bandës së Durrësit dënimin e marrë për armëmbajtje pa leje në kushtet kur ai ishte dënuar për vrasje. Sipas dispozitave ligjore, Gjykata kishte aplikuar dënimin më të rëndë atë të vrasjes për Lul Berishës dhe në këtë mënyrë, atij i ishte hequr dënimi i armëmbajtës pa leje, sepse i ishte njësuar dënimi.
Pra, përfitimi i uljes së dënimit nga armëmbajtja pa leje nuk ekziston në këtë rast. Nga ana tjetër, Prokuroria e qytetit bregdetar ka dërguar për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e lirimit me kusht të ish-kapobandës së Durrësit, pasi akuzohet, për disa vrasja e trafik ndërkombëtar droge.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se, “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Më pas, gjyqtarët argumentojnë se, “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.

Exit mobile version