Nën hetim nga SPAK, largohet nga detyra kreu i FSHU

Pas drejtorit të KESH, Ergys Verdho, raportohet se ka dhënë dorëheqjen edhe kreu i Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), Elton Sevrani, i emëruar në këtë post nga ministrja e Energjitikës Belinda Balluku.

Lëvizja vjen pas kontrolleve të pasdites së të martës që u zhvilluan me vendim të Gjykatës së Posaçme, që miratoi një kërkesë të SPAK.

Sipas raportimeve, është regjistruar një procedim penal për disa vepra penale, mes tyre ajo e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, ku të dyshyar janë zyrtarë OSHEE-së dhe institucioneve nën varësi. Dyshimet janë se zyrtarë të OSHEE-së shfrynin fatura apo i fshinin ato për llogari të subjekteve të ndryshme në këmbim të ryshfetit.

U raportua se pikërisht Elton Sevrani dhe Romeo Karajt, zyrtar i lartë i OSHEE, janë subjekte të hetimit nga SPAK që ka sekuestruar edhe celularë të drejtorëve bashkë me kompjuterë e materiale të tjera që mund ti shërbejnë hetimit.

Dyshohet se punonjës së OSHEE-së dhe shefat e tyre kanë vepruar në koordinim me njeri-tjetrin duke ndarë fitimet e përfituara nga korrupsioni.

Artikulli paraprakShtyhet procesi për inceneratorin e Tiranës, seanca e radhës mbahet në…
Artikulli tjetër“Është mes më të mirëve në botë”, Igli Tare “përkëdhel” Inzaghi-n, flet edhe për titullin në Serie A