Nën syrin e policisë u grabitën miliona euro në aeroportin e Rinasit

“Corriere Della Sera”

Ata hynë me një automjet në aeroport pa asnjë autorizim, nën syrin e mbikëqyrësve, policisë dhe video survejimit. Iu afruan në mënyrë kërcënuese një avioni që sapo kishte mbërritur nga Vjena, plot me pasagjerë. Dhe aty pranë, rrëmbyen një sasi parash rreth 1 milion euro. Më pas u larguan të pashqetësuar nga rruga që morën duke dalë jashtë zonës. Çdo gjë ndodhi për 4 minuta. Një goditje spektakolare në mes të ditës në një aeroport ndërkombëtar, i cili konsiderohet nga funksionarë të ndryshëm europianë si pikë interesi për ekstremistët islamikë. Dhe nga ku, çdo ditë, nisen dhjetëra fluturime drejt qyteteve më të mëdha italiane. Në total, për vitin 2015 rreth 1.144.581 persona fluturuan nga Italia në Shqipëri.

Një goditje për katër minuta

Ngjarja ka ndodhur më 30 qershor dhe ka futur në përplasje autoritetet që kanë në përgjegjësi aeroportin dhe policinë, të cilat i veshin njëra-tjetrës se e kujt ishte përgjegjësia për të survejuar dhe të pikaste këtë ngjarje, e cila shumë mirë mund të ishte edhe një vepër terroriste dhe duhet të ndërhynte. Nuk ka asgjë gjurmë të grabitësve. Ndërkohë janë ndaluar pesë persona (tre anëtarë të shoqërisë private të survejimit, shoferi i punonjësve dhe shefi i strukturës teknike të aeroportit) “sepse kanë krijuar kushtet për grabitjen”. Grabitja nisi në orën 14:23 të 30 qershorit, një nga autorët hapi portën e hyrjes për në pistë e më pas i hipi makinës që po përdornin për qëllimin e grabitjes- një “Mercedes” ngjyrë bordo – dhe bashkë me individët e tjerë vijuan të pashqetësuar planin e tyre drejt zonës ku ndodheshin avionët. Në pak sekonda ata arritën të merrnin paratë- pa asnjë të shtënë – shumën e parave që vinin nga banka. Ndërkohë rreth e rrotull qarkullonin pak nga të gjitha. Përfshirë këtu, e pabesueshme, por e vërtetë, edhe dy policë që ndodheshin aty për të pritur disa bashkatdhetarë që ishin dëbuar nga Austria. Në orën 14:27 automjeti me grabitësit u largua nga struktura.

Masat u forcuan (një ditë para grabitjes)

Ironia e fatit ndodhi pikërisht kur një ditë më parë, më 29 qershor, u njoftua se në aeroportin “Nënë Tereza” ishin marrë masa sigurie (ky është i vetmi aeroport në vend) pas sulmeve në aeroportin “Ataturk” në Stamboll. “Ne dislokuam njësitë kundër terrorizmit ndërkohë që grupet e agjentëve patrullojnë tek hyrja dhe ambientet e brendshme me qenë antieksploziv”, sqaroi Ermal Milori, komandandi i Policisë Kufitare në aeroport. “Këto masa do të vijojnë deri në një urdhër të ri”. “Masat e sigurisë nuk ishin efikase, siç edhe dëshmohet nga rasti i grabitjes”, replikoi zyra e Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare.

Të metat e gjetura nga inspektorët

Pas ngjarjes, kompani të ndryshme ajrore kanë kërkuar risigurim. Edhe në dritën e dokumenteve zyrtare sekrete mbi rezultatet e inspektimeve të kryera prillin e kaluar. Në dy raste- mbi tri komplekse- keqbërësit e rremë, citon Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar, arritën që të kapërcenin pa vështirësi kontrollet me detektorin metalik dhe kishin akses në bord në fillim me një bombë e më pas me një thikë. Në rastin e tretë, tekniku i autoritetit arriti të priste gardhin në më shumë se dhjetë minuta para syve të kamerave dhe syve të shoqërisë së sigurisë së aeroportit. Me pak fjalë: një fiasko.

Aeroporti: Ne kemi nivelin më të lartë të sigurisë

“Nëse një terrorist do të donte të ndërmerrte një akt terrori mund të vinte shumë mirë këtu. Do t’i mjaftonte të ishte pak i njohur ose të kishte një shok nga agjentët e kufirit për të kaluar kontrollet e madje edhe të shoqëroheshin deri tek avioni”, thonë për “Corriere della Sera” dy persona që punojnë në strukturën e brendshme dhe që kërkojnë t’u ruhet anonimati.
Por fjalët e tyre konfirmohen nga një duzinë pasagjerësh që shpesh lëvizin nga Roma, Milano dhe Tirana. “Masat e sigurisë plotësojnë të gjitha standardet e kërkuara nga organizmat ndërkombëtarë, thotë Arlinda Çausholli, zëdhënësja e Aeroportit shqiptar- e demonstrojnë të gjitha marrëdhëniet e strukturave të jashtme të rëndësishme në fushën e aviacionit civil. Pra, pasagjerët nuk duhet t’i tremben asgjëje”.

Artikulli paraprakLandi i Turingisë në Gjermani: Shqipëria jo vend i sigurtë
Artikulli tjetërProkuroria heton Çipën për grabitjen në Rinas