NËN TERRORIN KOMUNIST

NËN TERRORIN KOMUNIST

(ose një radiografi e mekanizmave të regjimit komunist)

Nga Luan Myftiu

FANTAZMA

Fundi i vjeshtës së dytë, 1944. Fantazma komuniste ndehu pelerinën e kuqe mbi Shqipëri.
Tingulli i kambanës së kishës që na kish thënë se vdekja nuk ishte aspak fundi i jetës, tani do të humbiste çdo ditë këtë ngushëllim të ëmbël. Njerëzve do t’u vritej besimi tek Zoti që të adhuronin një diktator.
Si të qe një mallkim i madh komunizmi zbriti edhe në Shqipëri në formën e një paradoksi të madh që në emër të gëzimit mbolli vuajtje, në emër të dritës errësirë, në emër të një bashkimi të ri pabesi dhe vëllavrasje. Forca e tij shkatërruese u vadit me gjak të pafajshëm, klithma rënkuese e mashtrime të pashembullta.
Mbas brohoritjve shurdhuese për fitoren që ditët e para u ndje heshtja kërcënuese dhe netët u mbushën me frikë.
Filloi raprezalja.
Komunistët nuk u ngutën. Ndonëse të uritur, e pritën gjahun me durim dhe mësymjen e parë e bënë të befasishme.
Porta e shtëpisë trokiti një mbasdite e një person i parëndësishëm lajmëroi si me indiferencë se tim atë e kërkonin në një zyrë.
Mund të mendohej se si gjykatës që ish, ta thërrisnin për t’u ndihmuar në punë administrate, por ai shkoi e s’u kthye më, bile as kufomë.
Përballë një opinioni ende të pakorruptuar që e mbronte tim atë si eksponent të Ballit Kombëtar që s’i 
kish lyer duart me gjak, komunistëve u leverdiste ta vdisnin në birrucat e burgut të Burrelit.
E dënuan me burgim të përjetshëm, sepse dëshmitë e atyre që u 
kish shpëtuar jetën, provonin sipas trupit gjykues, rrezikshmërinë e tij të lartë shoqërore, mbasi po të kish dashur, mund edhe t’i kish lënë ti pushkatonin shokët e tij.
Ne ishim pesë fëmijë. Nëna jonë, një grua e thjeshtë me ndjenja të mira, po bëhej çdo ditë e më e heshtur. Ne çuditeshim tek e shihnim të rrinte pa ngrënë pa ndonjë shkak. Ishte koha kur buka qe bërë me triska dhe s’gjendej fare në treg të lirë. Ajo e fshihte arsyen e grevës së saj, që të arrinte të mos na shihte ne të uritur. Ndërkohë vraponte me trasta në duar te porta e burgut ku, veç të shoqit, dergjej i dënuar me vdekje vëllai i saj i vetëm. Dhe duke qarë pa zë, gdhinte net të tëra pa gjumë.
I vëllai zemërartë 
kish qënë komandant i forcave të Ballit dhe komunistët për ta poshtëruar dhe për të përligjur dënimin kapital, hodhën mbi të akuza të paqëna, të përbindshme. Por ujqërit, që tani kishin nisur të flinin të qetë e të krijonin rreziqe imagjinare, pushkatuan një ditë edhe të birin e tij engjëll 18 vjeçar. Kur ne fëmijët u kthyem një ditë nga shkolla, gjetëm në shtëpi një polic që porsa kish lidhur me pranga nënën tonë. Ai na porositi me kërcënim të mos ia zgjidhnim duart dhe na mësoi si ta ushqenim ashtu të lidhur e si ta shpinim në banjë. Po ta zgjidhnim do ta pësonim prej tyre më keq. E tronditur thellë, ajo kish guxuar t’u thosh komunistëve se e kishin filluar keq, ndërkaq natën fliste si në kllapi. Nuk vonoi dhe një ditë na e rrëmbyen nënën nga shtëpia dhe na urdhëruan t’i shpinim një dyshek në polici, ku mësuam se e kishin mbyllur në një nevojtore. Aty ajo kish tentuar të varte veten me një litar të thurur nga leshi i dyshekut, por, e diktuar, qe rrahur deri sa u mbyll prej tyre në psikiatri, ku edhe vdiq pas shumë vitesh me vetëdije të humbur.
Kështu ne mbetëm jetimë nga të dy prindërit dhe i shtynim ditët duke shitur sendet e shtëpisë. Për ne tani filloi të kujdesej një xhaxhesha jonë, e cila vetë 
kish pesë jetimë, mbasi të shoqin ia kishin arrestuar.
Ne fëmijët e shihnim shpesh xhaxhanë të lidhur me hekura duke vrapuar nëpër rrugën burg-hetuesi, i ndjekur nga dy policë që e goditnin vazhdimisht nga pas, te duart e lidhura. Dhe, kur ai mbërrinte te shkallët e hetuesisë, dhe aty kish raste që rrëzohej, ne shihnim se si policët që e ngrinin, e hiqnin zvarrë, ndërsa një grup tjetër që ndodhej zakonisht në krye të shkallëve, gajasej së qeshuri.
Një natë të ftohtë dimri u dëgjua një breshëri e mbytur të shtënash pushke që na ngriu zemrat dhe të nesërmen mësuam se xhaxhai qe pushkatuar; qe vrarë mizorisht burri më i urtë i fisit, më i përmbajturi; më i qeti, më i dhembshuri dhe më i druajturi. Ne rriteshim duke u bindur se revolucioni kërkonte viktima dhe se ne ishim kurbanët e caktuar për të.
Goditjen kundër nesh komunistët e ngritën në sistem, e motivuan teorikisht në “luftën e klasave” dhe nuk e ndalën asnjë çast shkallëzimin e saj. Dhe ja një ditë na lajmëruan të largoheshim nga shtëpia jonë, pasi aty do të banonte sekretari i parë i Partisë me familjen e tij.
Filloi për ne jeta nëpër qilaret e shtëpive të botës, tani nën kujdesin e gruas së dajës, edhe ajo çuditërisht po me pesë jetimë.
I jati i këtij lideri komunist qe një prift i dhëmbshur, i cili fshehurazi të birit na sillte bukë. Madje një ditë 
kish kandisur të birin të më pranonte në një takim në zyrë për të më gjetur punë, por i ziu prift nuk e deshi veten, kur i thashë që i biri ma kish kushtëzuar këtë me pranimin prej meje të detyrës së spiunit, prandaj nuk më kish dhënë punë.
Kish filluar sulmi me degradimin tonë moral krahas rrëzimit sistematik ekonomik. Dhe unë s’isha në atë kohë më tepër se 12 vjeç.
Teshat po mbaroheshin së shituri. Babai i mbushte letrat me klithma rrënqethëse urie. Motrën e madhe kishte rrezik ta kërcënonte poshtërimi në zyrat e Sigurimit të Shtetit.
U detyruam të shesim shtëpitë për një copë bukë që të ndihmonim babanë të mos vdiste të paktën urie. Braktisëm shkollën dhe u futëm në punë për një pagë qesharake nëpër sipërmarrës të pamëshirshëm. Martuam motrën e madhe. Kërkonim triskë buke, por s’na jepnin, sepse duhej të kishim krye-familjarin në punë. (E ku ta gjenim kryefamiljarin)? Lutjes sonë që të shihnin edhe një herë kërkesën, i përgjigjeshin me heshtje. Dhe kur na gjenin nëpër restorante duke blerë bukë që klientët nuk i donin, por detyroheshin t’i paguanin, na merrnin në polici ku edhe na rrihnin, sepse ne këtë e bëkemi me qëllim që të diskretitonin Pushtetin Popullor! Madje edhe racionin mujor të qymyrit për t’u ngrohur nuk na e shisnin pa u shpurë më parë një vërtetim nga Këshilli Popullor i lagjes, në të cilin të vërtetohej se ne nuk kishim asnjë marrëdhënie me babanë tonë, armikun e popullit, siç e quanin ata që po jepte shpirt në birucat e ngrira të Burrelit. Kështu filloi lufta e diferencimit të madh edhe brenda families. Edhe sot në këtë moshë të shtyrë nuk e gjej dot se cila qe ajo forcë që na bëri të mbijetojmë: instinkti i dashurisë për jetën?… 
Apo tek njeriu fshihen forca të panjohura që padrejtësia i detyron të dalin në sipërfaqe?
Mbaj mend që kur na kontrollonin si nxënës në radiografi dhe dilnim “negativ”, ose vetëm me ndonjë hije infiltrative, na vinte keq që s’ishim të prekur në mushkëri aq sa të na shtronin në sanatorium, ku thuhej se jepnin ushqim të bollshëm. Uria kronike është shumë e rëndë dhe ëndrra për një copë bukë është nga më të fuqishmet.
Duke i hedhur një sy kuptimit të jetës sonë nën diktaturën e proletariatit, arrijmë në përfundimin se ajo ka qënë vetëm një luftë e ashpër për të hedhur poshtë tezën ç’njerëzore të komunistëve se ne ishim pinjollët e një klase të degraduar, të cilën me të drejtë revolucioni e paskësh larguar me dhunë nga skena e historisë, duke e flakur në koshin e plehrave dhe se e vetmja vlerë që do ta justifikonte ekzistencën tonë në një shoqëri të lumtur siç qe, sipas tyre, ajo e socializmit, qe vetëm aftësia jonë si kafshë pune për të prodhuar të mira materiale nën një mbikqyrje të rreptë.
Sikur të mund të regjistroheshin atë kohë ato mijëra sakrifica e privacione të përballuara me aq durim e optimizëm, do të dilnin sot para nesh figura njerëzish, sidomos vajzash e grash, para të cilëve heronjtë e librave do të zbrisnin kokulur nga piedestali i fantazisë. Dhe të mendosh se nuk kishin pranë asnjë njeri t’i këshillonte, sepse të gjithë vraponin si nëpër terr, të tronditur nga terrori i sotëm dhe pasiguria për të nesërmen.
Ishte vërtet diçka e rrallë që fëmijë jetimë pa bukë, pa zjarr, pa libra e të përbuzur të merrnin edhe atë pak arsim të cunguar e të politizuar që jepej në shkollë. Herë natën, herë ditën arritëm të merrnin një arsim të mesëm pedagogjik. Mësonim mes zhurmës, pasi banonim nëntë vetë në një dhomë të vogël. Në shumicën e rasteve niseshim për në shkollë pa bukë. Por ishim të lumtur kur meritonim lavdërimin e ndonjë mësuesi pa paragjykime klasore, i cili si një protestë ndaj realitetit, merrte kurajon dhe vinte në dukje i kënaqur përparimin tonë në mësime.
Qe si një mrekulli nga qielli për të gjthë ne thirrja e Nikita Hrushovit që të mos shihej biografia, por puna dhe qëndrimi i personit. Për shkak të pozitës shoqërore dhe të pasurisë komunistët na trajtuan gjithë kohën si klasë e lartë, si shfrytëzues dhe reaksionarë. Në periudha të caktuara njerëzit kanë pasur frikë të kthenin dhe kokën nga ajo portë e madhe e shtëpisë sonë, dikur për njerëzit azil ngushëllimi, tani një fole gjarpërinjsh që kërcënonte “lumturinë” e një populli të “rilindur”
Me arsimin që kishim marrë, ne duhej të pranoheshim si mësues; por a mund të duronin kommunistët që ne të edukonim bijtë e tyre? Mirëpo ata aq sa janë tiranë, po aq janë edhe servilë e lakej. Ata s’mund t’ia prishnin menjëherë mikut të tyre të madh. Dinakëria e tyre ka qënë e paarritshme dhe ne i pamë gjysmëshekulli në qëndrime të paturpshme.
Dhe ja ku mrekullia ndodhi: na pranuan në radhët e arsimit duke na caktuar mësues në fshatra të largëta dhe duke u ngushëlluar se mund të na dëbonin kur të donin. U duk sikur u gjet një oaz në shkretëtirën përvëluese dhe ne besuam se mund të dilnin edhe ditë të mira. Por ky qe, vetëm një iluzion, një qetësi e rreme, se lufta e klasave vazhdonte të shkallëzohej, duke ndërruar vetëm format. Ne s’mund t’i kuptonim atëhere gjithë djallëzitë e tyre. U desh një jetë e tërë që të bindeshim se ata nuk janë veçse përbindësha të vërtetë me fytyrë njeriu.
Ndërkohë që të lavdëronin për punë e qëndrim të mirë, kërkonin shkëputjen tënde nga rrethi familjar, madje donin të hidhnin edhe gurë kundër atij rrethi.
Si kriminelë kërkonin bashkëfajtorë që të garantonin pushtetin. Si të pamoral ndershmërinë e mermin për akuzë të heshtur ndaj tyre. Si mediokër shfrytëzonin, njeriun e aftë dhe nxirrnin veten në pah me punën e të tjerëve.
Vetëm me kohë ne nisëm të shihnim shumë gjëra.
Si arsimtarë pamë lakuriq gënjehtrën e madhe që mbillej e kultivohej me kujdes. Pamë format e ndrydhjes së personalitetit të njeriut, çensurën e rreptë ndaj mendimit të lirë, hipokrizinë e shndëruar në moral shoqëror. Ne që e ndienim që s’na takonte politikisht qëndrimi në radhët e arsimit, jetonim me ankthin e pushimit nga puna dhe torturën e përditshme për të gjetur mënyra që t’i gënjenim nxënësit sa më pak.
Reputacioni që fitonim, nuk shihej me sy të mirë. Ata nuk i pëlqenin marrëdhëniet tona të mira me popullin, sepse nuk donin të tjera lidhje veç atyre që kishin krijuar me terror, uri dhe diferencim klasor. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe “qetësimit” të situatës brenda, komunistët filluan “pastrimet”.
Filluan dhe pushimin tonë nga puna. Në krye ata që punonin në qytete, pastaj ata që ktheheshin nga shërbimi i detyruar ushtarak.
Të gjithë të pushuarit caktoheshin me punë të rëndomta, madje në punë diskriminuese, si hamenj, shitës zarzavatesh. Kështu, jo vetëm hapnin vende pune në arsim për njerëzit e tyre, por kënaqnin edhe instinktet e ëgra të turmës, të cilën, meqë donin ta kishin me vete, e bënin “të lumtur” me lugën bosh, duke e tmerruar me ne, të goditurit, që e pësonim pa shkak prej tyre çdo ditë. Edhe kur toleronin në drejtim të një personi, këtë e bënin për të “justifikuar” goditjen që do t’ju jepnin pa të drejtë dhjetra të tjerëve. Ata donin që ne të ishim punëtorë kokulur, të nënshtruar e pa pretendime, si ai kau i tredhur i parmendës, i cili ecën pa qënë neveja ta shposh me hosten dhe tërheq kaun tjetër. Pasi ky mision përfundonte dhe ne e kishim kryer atë me durimin e një të marri, përsëri shiheshim prej tyre si njerëz me rrezikshmëri shoqërore. Ata s’donin që ne të çmoheshim në opinion si njerëz të urtë, punëtorë e të nderuar pa qënë më parë të korruptuar prej tyre.
Por, ama në krye, filI pas prishjes me BS, mbretëroi një lloj paqeje relative me rreziqe të fshehta, me zhdukje misterioze dhe ndjekje të papritura. Përgatitej opinioni për “pastrime” të reja.
Thirrja për “Revolucionarizimin e Partisë e të Pushtetit” 
kish për qëllim terrorizimin e kuadrove për t’i angazhuar në një luftë të re klasore. Letra e hapur e atyre viteve dhe thirrja makabre brenda saj se Partia dhe populli do ta bënin reaksionin të mos ëndërronte as në ndërgjegien e tij të çoroditur për parajsën e humbur, ishte paralajmërimi fatal i asaj “fshese të hekurt” që do të mbyllte nëpër qelitë e burgjeve dhjetra dhe qindra të pafajshëm të tjerë. Kthetrat e diktaturës u ngulën më thellë në vetëdijen e çdo njeriu, sidomos tek ne që ata na quanin “mishra të therur” që mund të na “hanin në çdo kohë”. Filloi fushata e dëbimeve masive nga puna, madje edhe nga punët më të thjeshta me motivacionin “nuk plotëson kushtet”. Prapa këtij cilësimi, kësaj vule ogurzezë gjithkush duhej të shihte rrezikshmërinë shoqërore të personit që i vishej dhe çdo drejtues, tek i cili ai tani do të paraqitej, e shtynte fatkeqin nëpër shkallët e punëve të rënda fizike pa mëshirë.
Vetëm në rolin e një skllavi të bindur mund t’i siguroje vetes karakteristikën e nevojshme për pranimin e fëmijës tënd në një shkollë të mesme profesionale. Dhe të gjitha këto masa komunistët i quanin “pastrim i gjetheve të pranverës nga pluhuri”, shprehje poetike që i përdornin për të mos i shqetësuar njerëzit e tyre, sidomos ata të artit.
Pas çdo dështimi në fusha të ndryshme ata shihntn vetëm dorën e armikut të klasës, d.m.th. ne. Që nga vjedhësi më ordiner e deri tek inxhinieri i tyre që e cilësonin sabotator, niste vepra jonë armiqësore, prandaj ne duhej të mbanim mbi supe një presion të madh psikologjik që na detyronte të vetizoloheshim, të kontrollonim çdo f’jalë që nxirmim nga goja e të vinim çdo mëngjes maskën e njeriut të kënaqur.
Ishte zgjuarsi e prakticitet t’i fshihje aftësitë e tua. 
Po t’ i zbulonin, mjerë ti, sepse do të shtrydhnin si një limon dhe do të të hidhnin një ditë, kur ti s’e prisje, në koshin e plehrave. Pyetja e parë që i bëhej në gjyq çdo të pandehuri, ishte “me cilin të deklasuar ke shoqëri?” Kështu përpiqeshin të minimizonin fajësinë e njerëzve të tyre, duke e hedhur mbi ne që na quanin të “pandreqshëm”.
Duke qënë viktima të luftës së tyre të klasave, ne ishim për ta pa dyshim një akuzë e gjallë, prandaj degradimi ynë ishte objekt i planit të tyre taktik dhe strategjik.
Fakti që unë nuk munda të krijoja familje përbënte sipas tyre, një faj, sepse ishte një protestë e hapur ndaj kushteve të atij realiteti “të mrekullueshëm”, të cilit unë duke u vetësakrifikuar me qëltim doja t’i hidhja baltë.
Na lejonin të vijonim edhe shkollën e lartë me korespondencë për të mbushur statistikat e tyre me “progreset në fushën e arsimit”, por na përjashtonin pa asnjë arsye nga provimet kur vinte çasti për të mbrojtur diplomën. Ata ishin të betuar kundër nesh, kurse neve na duhej të shtireshim naivë e të dukeshin sikur besonim se gjithë këto masa i shërbenin interesit të përgiithshëm. Mjerë kush i kuptonte ndryshe!
Ata e shtytën shkallëzimin e izolimit të klasës sonë deri në mohimin e së drejtës për atestim dhe për profesionet më të thjeshta, duke e quajtur këtë kualifikim rritje të aftësive tona djallëzore për të dëmtuar ekonominë, ose kulturën.
“Zigzaket” siç i quanin ata valët e luftës së klasave, ishin periudha qetësie të rreme për të kontrolluar situatën, për të parë efektet e një goditjeje kundër nesh, për të zhdukur çdo mundësi organizimi nga ana jonë dhe për të planifikuar goditje të reja, më të holla dhe më fatale. Ata u bënë mjeshtër të kësaj lufte “shkencore”, ndërsa ne me shumë dhimbje u mësuam të qëndronim në këmbë përballë këtij rrebeshi të verbër. Ata përpiqeshin të bënin të besueshme rreziqet imagjinare që gjoja u vinin prej nesh,që të përligjnin dhunën, kurse ne me ndershmëri e korrektësi shembullore mundoheshim me tërë energjitë tona shpirtërore dhe morale të vërtetonim se ajo dhunë qe fare e padrejtë. Dhe kjo qe lufta më e tmerrshme që u zhvillua kundër nesh për gjysmë shekulli të sundimit komunist. I duhet psikanalizës dhe kriminalistikës moderne të zbutojnë ligësitë e pakufizuara që qëndruan të fshehura në subkoshiencën e njeriut për të shpjeguar se si pushteti i pakufizuar, i ngritur në sistem krijoka një ndërgjegje kolektive kriminale nga më të shëmtuarat.
Lufta kundër nesh identifikohej me forcat lëvizëse të shoqërisë dhe amoraliteti politik justifikohej me domosdoshmërinë historike. Deviza e tyre ishte : “Revolucioni i justifikon viktimat”.
Dhe komunistët loznin me injorancën si me një bishë të uritur, të cilën meqë s’e kënaqnin me mirëqënie i hidhnin për të “ngrënë” inteligjencien si shkaktare të disfatave të tyre. Dhe sidomos atë inteligjencie që 
kish prejardhje shoqërore të tillë që i “vriste sytë drita e socializmit” dhe “ëndërronte kthimin e popullit në errësirë”.
Por erdhi një çast që lufta e klasave, për të fshehur kthetrat. qe shkrirë në vijën e masave, d.m.th në vullnetin e popullit që kthehej gjoja në ligj. Kështu liderët komunistë do të jepnin tani vetëm orientime dhe njerëzit, duke ngrënë njeri-tjetrin, do të kryenin brenda tyre proçesin e diferencimit klasor.
Ishin vitet shtatëdhjetë. Enver Hoxha në emër të përmirësimit të përbërjes klasore të kuadrit në arsim, kritikonte në një buletin liberalizimin që kishte lejuar të mbaheshin në punë në këtë sektor njerëz me prejardhje politike të keqe familjare, pavarësisht që ata kishin edhe mhi 20 vjet që punonin e silleshin shumë mirë.
Duheshin “bindur” kolektivat për nevojën e largimit të këtyre personave nga gjiri i tyre. Madje, vetë këta persona, pasi të falënderonin Partinë që i kishte mbajtur aq kohë në radhët e arsimit, të kërkonin vetë të largoheshin nga ky sektor delikat.
Të verbuar nga zbatimi pa pengesa i çdo mase represive, ata luanin pa turp edhe të tilla komedi groteske. Ata s’mund ta mendonin që e drejta ka disa ligje të saj të pavarura dhe që ajo ngre krye. madje, edhe në vetëdijen e njerëzve të indoktrinuar.
Mbledhjen e kolektivit të shkollës për largimin tim nga puna si arsimtar e drejtonin dy sekretarë partie, i fshatit ku unë punoja dhe i byrosë së kooperativës së bashkuar. Ata kërkuan të flisja unë i pari, të bindur që unë do të argumentoja nevojën politike të këtij largimi. Kështu unë duhej të kryeja një vetvrasje politike pa asnjë të drejtë ankese ndaj atyre që më shtynin, kurse kolektivi, duke miratuar fjalët e mia, të mos mbante asnjë faj për këtë dënim të padrejtë nga puna.
Pyeta ime nëse largimi qe i formës së prerë. apo duhej diskutuar, i detyroi të dy sekretarët të vinin përsëri maskën duke thënë se atë e vendoste kolektivi, kolegët e mi, të cilët heshtën për 7 orë të tëra si para një krimi të paramenduar. Kur fola unë i nxita të mos hezitonin për largimin tim nga puna, nëse ndërgjegja e tyre qytetare u thosh vërtet se kjo qe e dobishme dhe u përpoqa të argumentoja pafajësinë time, që rridhja rastësisht nga një familje e persekutuar. Të pyetur në fund një nga një si në hetuesi, ata pothuaj pa përjashtim u shprehën që unë duhej të qëndroja, bile, i nderuar në arsim, ndërsa sekretari i partisë që pa dështimin e taktikës së tij, i kërcënoi duke i quajtur të gjithë “oportunistë”. Dhe 
kish të drejtë të nxehej : ai e dinte mirë zemërimin që do të shkaktonte atje “lart” kjo mbledhje e dështuar.
Por, si për çudi të gjithë heshtën. Bile nuk penguan as kolektivin të jepte për mua një karakteristikë pune dhe sje1ljeje të tillë që do ta kishte zili gjithkush që punonte në këtë sektor. Megjithatë largimi im nga puna u paraqit si propozim i organizatës bazë të partisë së kooperativës ku punoja unë dhe u “miratua” nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit me motivacionin e njohur “Nuk i plotëson kushtet”.
Kështu u flaka jashtë arsimit si i padenjë, duke qënë gjithë kohën arsimtar shembullor. Dhe nuk isha vetëm unë.
Në shkallë rrethi ne ishim 26 vetë dhe si Republikë, ndoshta 500. Një shifër e vogël kjo për oreksin e madh të Enver Hoxhës, i cili si një maniak i trembej qetësisë, të cilën e siguronte për vete vetëm nën një qiell me rënkime. Unë isha një kokërr rëre që kërcita nën peshën e një rrote gjigante të lubrifikuar mirë. Dhe kjo “krismë” e mbytur u trajtua si të ishte një skandal politik, sepse filloi ndaj meje një ndjekje pak e çuditshme.
Ndërsa më lanë pa punë, kur duhej të sistemohesha, sipas orientimit, brenda tri ditësh u gjenda papritur i rrethuar nga njerëz të cilët më parë s’kishin treguar ndonjë interesim për mua. I dëshpëruar dhe i izoluar, unë e pranoja shoqërinë e tyre duke përballuar ndonjë shqetësim tjetër, atë të provokimeve të tyre të hapura. Por, kur njeriu i druhej dhe këmishës në trup ; prej tyre netët mund të mbusheshin me makthe. As roli i shurdhit as i memecit nuk të shpëtonin lehtë nga kthetrat e krimit të mosdenoncimit. Prandaj njeriut të ndershëm s’i mbetej rrugë tjetër veç asaj të izolimit.
Gjithë realiteti i 45 viteve qe për ne një provokim i madh dhe ne u mësuam ta zbutim këtë rrezik, duke harxhuar energji të tilla, të cilat në një shoqëri të lirë do të kishin hërë ndoshta çudira.
Analiza e goditjes ndaj nesh s’duhet t’u ketë dalë pozitive, pasi u hapën fjalë që Enver Hoxha e paskësh cilësuar pushimin tonë si një qëndrim sektar. Megiithatë asnjë nga ne nuk u rimuar në punë. Komunistët nuk janë mësuar të korigjojnë gabimet e tyre. Ata thonë që shpallja përbën garanci për mospërfilljen e tyre dhe kjo mjafton e duhet duartrokitur.
Lutjes sime për ta riparë çështjen, kabineti i diktatorit iu përgjigj me dy fjalë: “Të sqarohet letërshkruesi”. Vetëm vonë munda të kuptoj se porosia “të sqarohet” donte të thoshte të “ndëshkohet”.
Por kur unë ende i pasqaruar nga organet e rrethit, kërkoja një përgjigje të qartë në Komitetin Qëndror të Partisë : sekretari i ngarkuar atje, pasi më pyeti se ç’persekutime kisha pasur nga pushteti, më tha: “30 mijë komunistë shqiptarë punojnë në prodhim!”, shprehje të cilën e përsëriti disa herë, edhe kur i thashë se kërkova vetëm arsyen e pushimit tim nga puna.
Më vonë më erdhi turp që e pata shkruar atë lutje dhe pata ushqyer një farë iluzioni ndaj atyre që nuk e meritonin. Por unë i ngacmova. Mos qe kjo vallë, nevoja e brendëshme për të parë pa maskë ato fytyra xhelatësh dhe për të gjetur tek njerëzit e ndershëm pak miratim, për padrejtësinë që më bëhej? Të ishte kjo përpjekje një lloj hakmarrjeje, një gëzim i egër që t’i shihje “ëngjëjt” e dhunës pa krahë e të përlyer me gjakun tënd? Nevoja për t’i krijuar vetes imazhin e një fitoreje morale të së mirës ndaj të keqes? Komunistët tërboheshin, kur s’e përballonin dot një debat dhe detyroheshin të nxirrnin dhëmbët. Ata i mbronin me fanatizëm liderët e tyre dhe donin të përjetësonin fjalën e urtë “Ujët del i pastër nga burimi por turbullohet rrugës”. Ata shqetësoheshin për opinionet që qarkullonin.
Ata donin letra nga populli, por jo letërkëmbim me popullin që të qanin hallet dhe çdo ankesë të drejtë e quanin të metë, nxirje të realitetit. Dhe i dënonin. Kështu ata vranë sinqeritetin dhe burrërinë dhe kultivuan hipokrizinë e servilizmin.
Komunistët ishin tepër të ndjeshëm karshi mospajtimit ndaj politikës së tyre. Duke pasur nën thonj një popull të vogël, ata kapërcyen edhe pretendimet e mjeshtrit të tyre Stalinit, të cilit nganjëherë i mjaftonte edhe “neutraliteti dashamirës i shumicës”.
Dhe nëse ky pushim masiv nga puna, kjo “goditje e reaksionit”, siç e quanin ata midis tyre, nuk u prit në popull me entuziazëm, atëherë për të provuar se sa të drejtë kishte Partia, le të arrestohej ai që mhahej më shumë si “viktimë”. Dhe shorti më ra mua, ndoshta për shkak të “guximit” që pata duke mos shprehur mirënjohje ndaj Partisë, së cilës duhej t’i takonte merita që kisha punuar e isha sjellë mirë.
Sa të pazotë ishin në drejtimin e ekonomisë, aq të shkathët e treguan veten në masat që merrnin për shkatërrimin e njeriut. Mania e persekutimit që si epidemi psikike kish pushtuar ndërgjegjet e tyre të prishura prej “terroristësh të terrorizuar”, u krijonte nevojën e ethshme të likujdimit të kundërshtarëve, të cilët s’ishin veçse viktimat e tyre. Duke ndjekur porositë djallëzore të Leninit se Pushteti Sovjetik do të ishte i garantuar vetëm kur çdo qytetar sovjetik të ishte një çekist “punonjës i Sigurimit”, ata programonin këto “vrasje” kundër klasës sonë dhe mburreshin me sukseset që kishin arritur. A ka vallë në arsenalin e metodave të sundimit të një kombi një shembull ku duke shfrytëzuar pushtetin absolut një kastë të sulet me kaq egërsi të shpronësojë, të dhunojë, të vrasë e të depersonalizojë vëllezërit e vet të një gjaku dhe, pasi t’i ketë konsumuar të gjitha këto, t’u afrohet viktimave dhe me buzëqeshje t’u kërkojë shërbimin e tyre si spiunë. Vetëm udhëheqës të degraduar si Enver Hoxha mund t’i kurdisin të tilla kurthe kombit të vet.
Ata e peshuan qëndrimin ndaj meje dhe vendosën arrestimin pa pasur në tavolinë asnjë akuzë që të provonte fajësirië. 
Po ç’rëndësi kishin akuzat për punonjësit e Sigurimit shqiptar, kur Enver Hoxha i porosiste “Ta godasim armikun që në vezë”. Ne dënoheshim me opinion dhe ky opinion krijohej nga njerëz pa pricipe shpirtzinj. Nuk ekzistonte në Shqipëri asnjë forcë që të ndalte këtë dorë mizore. Trimëria u çburrërua me kohë dhe drejtësia i la vendin qarkoreve të K.Q. të Partisë. Ndërgjegja kolektive u manipulua dhe individi u gjend i pambrojtur përballë pseudoligjit.
Po ne që trashëgonim sipas tyre, fajin e madh që nga koha e krijimit të pronës private? Ne duhej ta formulonim vetë akuzën tonë dhe të kënaqeshim me masën e dënimit të padrejtë. Po s’qe puna këtu për një dënim, për një akuzë të paqenë, për një terror, a për një agjent. Duhej vërtetuar në praktikë teza staliniste se ne ishim të padreqshëm, rrufjanë politikë, prandaj diktatura e proletariatit duhej forcuar çdo ditë. Njerëzit dubej të jetonin në ankthin e një pasigurie të plotë, të kënaqeshin me pak të punonin shumë dhe të mendonin aq sa u lejonte kio diktaturë.
Ky ankth kijohej me vrasje, uri, dëbime; me libra, art e kulturë të kufizuar, me izolim nga bota, gënjeshtra, bunkere dhe sidomos me humbjen e besimit tek njëri-tjetri.
Ky mosbesim i përgjithshëm që komunistët u përpoqën ta mbulonin me parrullat e unitetit parti-popull me mitingje madhështore, britma, ovacione e banderola të kuqe, me letra e telegrame urimi dhe hosana të panumërta, u kultivua me shumë kujdes nën slloganin e besnikërisë ndaj çështjes së Partisë dhe kamzhikun e ligjeve barbare.
U arrestova pra që të forcohej diktatura e proletariatit dhe të rritej vigjilenca ndaj kujtdo që dukej i parrezikshëm. Jeta dhe dinjiteti i njeriut ishin pre e dogmave komuniste, të cilat, duke dalë nga varrezat e një filozofie pajetë, ushqeheshin vetëm me kufoma.
Mënyra e arrestimit qe kopjuar nga metodat e rrëmbimit që përdornin mafiozët.
Ishte dhjetori i vitit 1975. Sekretari i Kom. Ekz. të rrethit më 
kish nisur apostafat në një shërbim në muzeun e Vlorës. Pa mbaruar bukën që po haja në këmbë në një lokal vetshërbimi të atij qyteti, më futin papritur në mes të tyre dy punonjës të Sigurimit, të cilët, kur dolëm kështu jashtë lokalit, më shtynë e më përplasën në një “Gaz 69” dhe, pasi më hodhën hekurat në duar, më mbuluan me një pardesy të re që të mos shihja se ku më shpinin. Udhëtuam një kohë që nga tronditja nuk munda ta fiksoj. Kur “Gazi” ndaloi, më zbritën dhe duke më mbajtur për krahu si të isha i verbër, më ngjitën me shpejtësi nëpër shkallët e një godine dykatëshe dhe, pasi mbuluan mirë me batanie nga brenda derën e dhomës ku më futën. më hoqën pardesynë nga koka dhe më përshëndetën me grushta. Me ta ishte edhe nënkryetari i Degës së Punëve të Brëndëshme. Nxorën të tre pistoletat nga brezi dhe, me t’i vendosur në tavolinë, m’u afruan dhe më “këshilluan” të mendohesha për veprimtarinë time armiqësore, përndryshe do të më zhduknin dhe do të përhapnin lajmin sikur më kish vrarë roja kufitare në një tentativë që paskësha bërë për t’u arratisur.
Kur mora guximin e u thashë se s’kisha ç’të mendoja, bërtitën si t’i 
kish pickuar gjarpëri dhe një Zot e di se ç’bënë me mua dhe sa kohë, pasi nisa të mos kuptoj se ç’bëhej, ndërsa nënkryetarit duke më torturuar, i ra të fikët, se paskësh qënë me difekt në zemër. Ndërsa unë dergjesha në dysheme i lidhur me hekura gjermane në duar, nënkryetari që e kish marrë veten, i tërbuar më ngrinte e plaste në shesh me forcë që nga maja e një tavoline me flokët e mi akoma ndër duar, duke marrë frymë me zor, shtrëngonte kraharorin e vet në vendin ku ndodhej zemra. Dhe tani unë duhej të duroja, jo dhimbjen e flokëve të shkulur dhe duart e gjakosura., por rrebeshin e oficerit tjetër për “fajin” që duke heshtur, kisha detyruar nënkryetarin të lodhej vetë me mua. Dhe kjo torturë me seanca dhjetëorëshe dhe pushime dhjetëminutëshe (të cilat më iknin duke ngjitur e zbritur, po i mbuluar në shkallët e një bodrumi të thellë), nuk e di sa ditë zgjati, pasi edhe atë copë qiell që dukej nga dritarja e shihja vetëm kur përmendesha e mbushesha me frymë.
Kur njeriu torturohet deri në shkallën që vdekja i duket një shpëtim, ai 
nis e arsyeton qetë, mbasi çlirohet nga ai tmerri që s’dihet nga ç’thellësi e qënies vjen dhe unë çuditesha atëherë me atë urrejtje patalogjike që shpërthente kundër meje nga njerëz që për dekada vetëm na kishin gjakosur pa të drejtë. Mos valllë, krimineli i trembet heshtjes së viktimës më shumë se kundërveprimit të saj të hapur? Apo kompleksi i inferioritetit, i trashëguar ndoshta, në shekuj në vetëdijej e harbutit, zgjohet me tërbim, kur pushteti i pakufizuar i jep të drejtën të fitojë revansh?
Po unë nuk mund t’i përgjigjem dot këtyre pyetjeve, prandaj po mjaftohem duke kujtuar me admirim fjalët e një udhëheqësi italian, i cili kur iu përgjigj njerëzve që protestonin në kohën e vendosjes së bazave amerikane në Itali, kish thënë që ndonëse kishte një vajzë të vetme 18 vjeçe, do të preferonte më mirë që ajo të digjej nga zjarri atomik sesa të jetonte në një regjim komunist. Asnjë njeri që s’ka jetuar nën mënxyrën enveriste nuk mund ta kuptojë dot thellë vlerën e këtyre fjalëve të thjeshta.

Exit mobile version