Nëndrejtoresha e Tatimeve Balla në fushatë, shkeli ligjin

Elisabeta (Kadiaj) Balla, nëndrejtoresha e Tatimeve dhe gruaja e kryetarit të Partisë Socialiste Farkë, Dorjan Balla, bën fushatë për Partinë Socialiste. Ndonëse në orarin e punës, nëndrejtoresha është fotografuar në një takim elektoral të PS me gratë socialiste, në kundërshtim me ligjin. Vetë Rama deklaroi pak ditë më parë se cilido punonjës i administratës merr pjesë në fushatën zgjedhore do të dënohet sipas ligjit. Mirëpo, deklarata e Ramës ka qenë sa për fasadë, sepse ashtu si nëndrejtoresha e Tatimeve janë denoncuar edhe dhjetëra drejtues të tjerë në arsim, shëndetësi etj., që dalin në fushatë, ndërsa Rama hesht.
Ministrat përkatës duhet të marrin masa për t’i pezulluar nga puna dhe për t’i dërguar për ndjekje penale të gjithë nëpunësit që bëjnë fushatë për partitë politike. Ligji e ndalon pjesëmarrjen e nëpunësit civil, të çdo kategorie, në veprimtari politike dhe shprehjen publike të bindjeve apo preferencave të tij politike, si brenda ashtu edhe jashtë orarit zyrtar.
Neni 37 i Ligjit për Shërbimin Civil, në pikat 1 dhe 2 të tij, parashikon:
a) ndalimin e pjesëmarrjes se nëpunësit civil, të çdo kategorie, në veprimtari politike dhe shprehjen publike të bindjeve apo preferencave të tij politike, si brenda ashtu edhe jashtë orarit zyrtar.
b) faktin se specialistët, përgjegjësit e sektorëve dhe drejtorët e drejtorive mund të jenë anëtarë në një parti politike, por nuk mund të mbajnë pozicione drejtuese në këto parti politike.
c) faktin se anëtarët e kategorisë së lartë drejtuese (sekretarë të përgjithsshëm, drejtorë departamenti dhe drejtorë të përgjithshëm), nuk u lejohet që të jenë anëtarë në parti politike.
Ditët e fundit disa ministra kanë pezulluar nga puna dhe kanë paditur në Prokurori disa zyrtarë që janë përfshirë në fushatën zgjedhore të PS. Këto masa janë marrë pas denoncimeve publike që u është bërë drejtuesve të institucioneve dhe punonjësve të administratës që kanë marrë pjesë në fushatë.
Para tre ditësh inspektori i hetimit tatimor, Kliton Bistri u pezullua nga Ministria e Financave dhe iu ka kërkuar Prokurorisë procedimin penal për të, pasi kishte marrë pjesë në fushatë.
Bistri me atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me udhëzimin e Kryeministrit, ka marrë pjesë në aktivitete partiake gjatë fushatës elektorale. Po ashtu, Ministria e Arsimit ka denoncuar me emra rastet e dyshuara për përfshirje të administratës së zyrave arsimore në fushatën zgjedhore.
Po ashtu, masa ka marrë edhe Mimnistria e Shëndetësisë. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnjë  në fushatën zgjedhore u pezullua nga detyra nga ministri i Shëndetësisë, pasi ka marrë vetë pjesë në fushatën zgjedhore të PS dhe ka detyruar edhe mjekët e infermierët që të marrin pjesë në mitingun e Ramës në Fier. Shkarkimi është bërë nga ministri i Shëndetësisë pas denoncimit të këtij skandali në emisionin investigativ në “Ora News”.
Grupi i xhirimit ishte në Qendrën Shëndetësore nr.1 në Lushnjë, ku ditën e premte stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Në fakt, jashtë orarit të punës kjo është një gjë mëse e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese është se, drejtoresha ka urdhëruar mjekët dhe infermierët të shkojnë në fushatë brenda orarit të punës.
Orari zyrtar i punës në këtë Qendër Shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00, aty nuk kishte asnjë punonjës. Ndërkohë, kryeministri Rama ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit. Por nga një kërkim i bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës.

Exit mobile version