Prokuroria heton Çipën për grabitjen në Rinas

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa, ka dëshmuar dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për grabitjen në Aeroportin e Rinasit. Për më shumë se dy orë, zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, dha deklarimet e tij mbi ngjarjen, ndërkohë që mësohet se Çipa është pyetur në lidhje me informacione që kanë të bëjnë me vjedhjen e parave dhe dyshime që ka ngritur policia deri në këtë fazë të hetimit.
Çipa është pyetur edhe për veprimet që janë kryer nga ana e policisë mesditën kur ndodhi grabitja. Krahas dosjes së policisë, burime pranë akuzës thanë se, Çipa është pyetur edhe për veprimet që janë kryer nga ana e policisë mesditën e 30 qershorit.
Prokuroria ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e provave shkresore në lidhje me ngjarjen e pak ditëve më parë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku tre persona të armatosur hynë në pistë dhe grabitën një sasi të konsiderueshme valute.
Zgjerimi i rrethit të hetimeve për përgjegjesitë institucionale në lidhje me ruajtjen e sigurisë në këtë territor të rëndësisë së veçantë, ka bërë që grupi  hetimor, i cili përbëhet nga dy prokurorë dhe shtatë oficerë të Policisë Gjyqësore, të urdhërojnë Aviacionin Civil, Ministrinë e Transporteve, Ministrinë e Brendshme, kompaninë private të sigurimit të aeroportit për t’i vënë në dispozicion kontratat, rregulloret me të cilat operohej në këtë territor, nga ku janë të përcaktuara edhe ligjërisht edhe përgjegjësitë e secilit institucion.
Gjithashtu në dispozicion të organit të akuzës janë vënë dhe kontrata e bankës private me kompaninë  “Nazeri 2000” për shoqërimin e vlerave monetare si dhe një sërë dokumenta të tjera, të cilat janë duke u verifikuar nga grupi hetimor. Por ende në duar të organit të akuzës nuk është vënë deri tani plani i masave të policisë, që kishte marrë pas akteve terroriste të ndodhura në Turqi.
Prokuroria: Sekuestrim dokumentesh dhe hetim të masave të policisë
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve të bankës, të kompanisë private të sigurisë, si edhe për policinë, për masat e marra para grabitjes në pistën e Rinasit. Sipas urdhrit, mësohet se sekuestrimi i dokumenteve të bankës ka të bëjë me evidentimin e masave të kërkuara dhe kontraktuara nga ana e bankës, për transportin e vlerave monetare.
Ndërsa dokumentet e sekuestruara nga ana e kompanisë së sigurisë, ka të bëjë me evidentimin e procedurave dhe respektit të tyre, në transportin e vlerave financiare. Bllokimi i dokumenteve të policisë, ka të bëjë me evidentimin e masave të sigurisë, të ngritura në një nivel më të lartë sigurie, vetëm një ditë para grabitjes.
Ndërkohë, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është zhvilluar një analizë për ngjarjen, ku kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të Policisë së Shtetit. Ndërkohë kanë dalë në dritë fakte të reja për grabitjen spektakolare në Rinas. Kontrolli i kamerave të vendosura në objekte të ndryshme në segmentet rrugore pranë aeroportit të Rinasit, kanë zbuluar një furgon që dyshohet se është përdorur nga grabitësit. Dyshimet e hetuesve janë se ky furgon është larguar në një rrugë dytësore paralele me atë Rinas-Qafë Kashar, për të ndaluar pranë kthesës së Bërxullit.
Aty furgoni ka marrë në drejtim të Laknasit, për t’u futur në zonën e Kamzës dhe më pas nuk ka asnjë informacion se kush ka qenë destinacioni i radhës. Dyshohet se këtë furgon, grabitësit e kanë përdorur pas djegies së mjetit tip “Benz” me të cilin u krye grabitja. Por dyshimet e grupit hetimor janë se grabitësit mund të kenë përdorur më shumë se një mjet për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë, ndaj dhe kanë nisur verifikimet edhe për dy makinat e gjetura në ujërat e Liqenit te Shkopetit.

SHISH paralajmëroi policinë për mungesën e sigurisë në Aeroport

Një tjetër institucion ligjzbatues lëshoi alarmin për mungesën e sigurisë në Aeroportin e Rinasit. Shërbimi Informativ Shtetëror ka njoftuar me shqetësim në dy periudha të ndryshme autoritetet e Ministrisë së Transporteve, Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit për mungesën e masave të sigurisë në aeroport.
Në njërën prej shkresave dërguar Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil në fillim të muajt maj, SHISH bënte me dije se në rrugë operative ishte njohur me përfundimet e tre testimeve të kryera në aeroport, ku problematikat e konstatuara, cenonin drejtpërdrejt sigurinë e aeroportit, duke e ekspozuar ndaj sulmeve me natyrë terroriste apo që kishin qëllim kryerjen e veprave të tjera kriminale.
Letra e firmosur nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, është e klasifikuar “sekret”. Burime nga ky institucion bënë të ditur për TV “Klan”, se nga institucionet përgjegjëse është mbajtur një korrespondencë intensive për marrjen e menjëhershme të masave për të rritur standardet e sigurisë që ishin konstatuar të cenuara.
Gjithashtu SHISH iu bën me dije këtyre institucioneve se po kryen monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe që në ditët në vijim do të kërkojë një takim të posaçëm, e cila u realizua më 13 maj, me mbledhjen e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil. E njëjta shkresë i është dërguar për dijeni dhe Ministrisë së Brendshme.
Për shtimin e masave të sigurisë dhe plotësimin e standardeve, SHISH i ka shkruar të njëjtave institucione dhe në vitin 2014. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i pyetur për përgjegjësinë e institucionit që ai drejton në lidhje me mungesën e masave të sigurisë në aeroportin e Rinasit dha ketë përgjigje: Ministria e Brendshme ka thënë se jemi në proces hetimi dhe ky proces hetimi do të shikojë të gjithë përgjegjësitë institucionale të gjithë faktorëve që lidhen me sigurinë në Aeroportin “Nënë Tereza”, të Tiranës.
Në përfundim të hetimit të gjithë ata që janë përgjegjës do të përgjigjen sipas detyrave funksionale që kanë. Deri, atëherë duhet të thellohemi, secili të thellohet se çfarë detyrash ka pasur për të bërë, i ka bërë apo si ka bërë”. Katër punonjës të sigurisë së aeroportit dhe një i sigurisë së transportit të vlerave monetare janë lënë në burg si përgjegjës për mungesën e sigurisë në grabitjen e 30 qershorit. Hetimet po kryhen nga Prokuroria e Krujës, Krimet e Rënda dhe Policia, por grupi hetimor nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve.

R.POLISI

Exit mobile version