Zyrtarët e policisë që trafikuan 2,5 ton kanabis nga Porti i Durrësit drejt Italisë në janar të këtij viti e kanë kryer këtë aktivitet kriminal që prej vitit 2014. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nënkomisari i policisë, Festim Lelaj në vitin 2014 ka lejuar kalimin nga Porti i Vlorës të një sasi prej 350 kilogramësh kanabis. Lelaj në atë kohë punonte si punonjës i Policisë Kufitare në këtë port.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, oficeri i policisë ka bashkëpunuar ngushtë me dy të arrestuarit e tjerë Aurel Laze dhe Skënder Siceqa, të cilët transportuan me kamion drogën drejt Italisë. Ky është vetëm një nga rastet që zyrtari i policisë ka ndihmuar grupin, ndërsa dyshohet se drejt Italisë kanë kaluar disa ngarkesa me kanabis.
Nënkomisari Festim Lelaj është njeri nga oficerët e Policisë Vlorë, bashkë me oficerin S.K, të cilët nxorën armët kundër ish-shefit të Antidrogës, Dritan Zagani dhe oficerit të Antidrogës Bledar Naçi, të Drejtorisë së Policisë Fier, sepse nuk donin të lejonin sekuestrimin e skafit që kishin bllokuar Zagani dhe Naçi. Skafi u sekuestrua forcërisht dhe më pas zyrtarët e lartë e liruan.
Efektivi i policisë u prangos të martën, ndërsa hetuesit arritën në përfundimin se nënkomisari i Policisë së Fierit kishte rolin e organizatorit edhe në grupin që trafikoi 2.5 tonë kanabis në janar të këtij viti nga Porti i Durresit në Ankona.
Ngarkesa me drogë do të dërgohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me lëndë narkotike ishte vulosur në Portin e Durrësit si mall tranzit, për t’u mos u kontrolluar më tutje në portin italian. Kanabisi ishte zhvendosur drejt Durrësit me dy kamione të rëndë, teksa vetëm njëri prej tyre kreu kontrollin në skaner në Portin e Durrësit. Sipas hetimeve, drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj, ndërroi targat e rimorkios së pakontrolluar, duke i vendosur ato të mjetit të kaluar më herët në skaner. E gjithë skena ishte monitoruar nga kamerat e sigurisë, duke u përdorur nga prokurorët si prova materiale.
Ngarkimi i lëndës narkotike është bërë në Fier, në bashkëpunim me një kompani që transportonte paleta druri në vendet e Europës. Sipas Prokurorisë, në të njëjtën ditë u nisën dy kamionë, i pari që nuk kishte drogë ka hyrë i pari për t’u kontrolluar. Pasi është bërë vulosja e tij ka dalë në parkimin e portit, ku ndodhej edhe kamioni tjetër ku ishte droga. Shoferi i tij ka ndërruar rimokorkion, duke marrë atë që ishte me drogë.
Gjithashtu ai ka ndërruar edhe targat. Në këtë mënyrë është bërë edhe shmangia e kontrolleve në Itali, pasi në këtë vend ngarkesat do të kalonin tranzit. Destinacioni përfundimtar i ngarkesës ishte Gjermania. Prokuroria sqaroi të martën se për këtë rast ishin ndaluar 8 persona. Arrestimet kanë filluar që në janar dhe kanë përfunduar këtë të mërkurë. Sipas hetuesve rolin e organizatorit e kishte nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj që garantonte edhe ruajtjen nga aksionet policore.
Pas arrestimeve të së mërkurës, shkon në 12 numri i personave të vënë në pranga për këtë rast ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Të arrestuarit e këtij grupi pritet të dalin para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë ditën e premte. Mësohet se Prokuroria do të kërkojë arrest me burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal dhe trafik droge.
Ndërkohë, në pikën kufitare të Portit të Durrësit janë vendosur masa të rrepta sigurie. Të gjithë kamionët që nisen për në Itali, autobus, autovetura dhe bagazhet e pasagjerëve kontrollohen rreptësisht nga agjencitë që operojnë në pikën kufitare. Këto masa ekstreme janë ndërmarrë pas urdhër arresteve dhe hetimeve që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me trafikimin e 2.5 ton kanabis stativa të bllokuara në Itali në fund të muajit mars të këtij viti.
R.POLISI