Nënkryetari i PS plagos kryetarin e FRPD, Kazazi, dhe babanë e tij

Nënkryetari i PS të Kavajës dhe në të njtën kohë Drejtor në Bashkinë e këtij qyteti Saimir Kurti ka plagosur dje përpara zyrave të Bashkisë,  Kryetarin e Forumit Rinor të PD, Erkid Kazazi, babain e tij, Eqerem Kazazi dhe një qytetar me emrin Dritan Gjika. Ngjarja kriminale ka pasur motive të pastra politike dhe debati i ashpër përpara atentatit ka qenë në lidhje me lirimin nga burgu të përdhunuesit të Kavajës, Roshi, ndërsa mediat afër Ramës kanë tentuar ta shesin si një debat për motive të dobta. “Sajmir Kurti ka nisur të debatojë me E. K., fillimisht e më pas edhe me djalin e këtij të fundit K. K. Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari  Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar të sipërcituarve, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Si ndodhi atentati

Gjithçka ka nisur pas një telefonate të Kurtit në drejtim të Kazazit. Kurti ka pretenduar se kur bashkëshortja e tij ka parkuar automjetin përpara lokalit në pronësi të Eqerem Kazazit ajo është ngacmuar, gjë e cila mohohet dhe hidhet poshtë nga Kazazi, të cilët i kanë kërkuar që të largojë makinën nga vendi ku e kishte parkuar përpara lokalit të tyre.
Kurti më pas ka marrë në telefon Kazazin, duke e kërcënuar në telefon. Pa kaluar shumë minuta, Kurti ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur të qëllojë ndaj Eqerem Kazazit, Erkid Kazazit, kryetarit të FRPD në Kavajë. Situata ka qenë kaotike dhe Eqeremi bashkë me të birin kanë mundur që të çarmatorin Kurtin, duke i marrë armën edhe pasi ky kishte qëlluar ndaj tyre. Pas çarmatosjes ata e kanë goditur Kurtin.

Policia lejon ikjen e Kurtit

Vetëm pak momente pasi ngjarja ka ndodhur ka mbërritur policia, e cila ka bërë izolimin e vendit dhe kapjen e autorit të krimit, Kurti. Ndërsa policia kishte ndaluar Kurtin, në këtë moment ka ndërhyrë kreu i PS të Kavajës, Daja dhe ky një emër i njohur i botës së krimit dhe trafikant droge ndërkombëtar i çertifikuar. Daja ka marrë vrasësin me vete dhe është larguar në vendi i ngjarjes. Vlen të theksohet se vrasësi është marrë në prezencë të policisë, e cila nuk ka reaguar fare. Ajo ka lejuar që vrasësi të largohet nën mbrojtjen direkte të kryetarit të PS të Kavajës. Duke qenë se në vendngjarje ka pasur shumë dëshmitarë fshehja e Kurtit për një kohë të gjatë ka qenë e pamundur. Pas presioneve të shumanshme në drejtim të policisë, Kurti është dorëzuar në polici.

Kush është Kurti

Dy vite më parë, në mars të vitit 2014, PD denoncoi përmes një konference shtypi lidhjet kriminale të Kurtit, duke deklaruar se ai ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe megjithatë ai ishte emëruar drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë.
“Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti u zbulua nga autoritetet doganore teksa një konteiner që vinte nga Kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh. U kallëzua dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria. Pak ditë më parë, ky person ka marrë postin e lartë të drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj, në një ceremoni me shumë ngjyra, ku prezantimin ia ka bërë Kryeministri, Edi Rama”, ishte denoncimi i PD i bërë në marsin e vitit 2014. Pas kësaj deklarate të PD, Kurti është detyruar që të japë dorëheqjen, por pa hequr dorë nga politika dhe aktivizimi si bandit në mbështetje të trafikantit tjetër të Ramës në Kavajë, Ervin, Elvis, Enver Rroshi.
Pas largimit nga posti zyrtar si Drejtor Punësimi, Kurti ka marrë një tjetër detyrë shtetërore. Nga miku i tij Roshi ai është shpërblyer për shërbimet e kryera si Drejtor në Bashkinë e Kavajës dhe në të njëjtën kohë është emëruar edhe Nënkryetar i PS të këtij qyteti.

Versioni i policisë për atentatin

Policia ka vënë në pranga Sajmir Kurtin, 44-vjeçarin që mesditën e djeshme plagosi tri persona në sheshin përballë Bashkisë së Kavajës.
Sajmir Kurti, 44 vjeç, banues në Kavajë është vënë në pranga sepse rreth orës 10:30 të ditës së sotme, tek shëtitorja “Indrit Cara” pranë Bashkisë Kavajë, ka pasur një konflikt midis tij me shtetasit E. K., dhe djali i tij K. K.
Konflikti ka nisur për motive të dobëta (bllokim rrugëkalim mjetesh). Për sqarimin e këtij konflikti shtetasi Sajmir Kurti është takuar tek lokali i shtetasit E. K., me kërkesën e këtij të fundit.
Sajmir Kurti ka nisur të debatojë me E. K., fillimisht e më pas edhe me djalin e këtij të fundit K. K. Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar të sipërcituarve, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë.
Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit, ku predha e qitur nga kontakti i saj me objekt të fortë (pllakë guri) është copëzuar e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit E. K., 48 vjeç, K. K., 21 vjeç (atë e bir), si dhe shtetasin D. Gj., 46 vjeç, i ndodhur aty pranë.
Shtetasit e mësipërm ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
Një automjet i tipit “Range Rover”, në pronësi të shtetasit Sajmir Kurti. Një armë zjarri pistoletë i kalibrit 9 mm, me një krehër me 14 fishekë dhe një gëzhoja e kalibrit 9 mm.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në  tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve”.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakSi u përgjua Kryeprokurori Llalla nga Rama dhe Tahiri
Artikulli tjetërA duhet ta mendojmë sërish parimin e Robin Hudit?