Emisioni “Stop” ka mësuar se nënprefekti i Kurbinit lë çdo ditë zyrën e shtetit për të punuar në një institucion tjetër, që jep kredi. Ndaj dhe gazetarja iu drejtua Laçit për të komunikuar me të në zyrën e Nënprefekturës Kurbin, por u përball me një derë të kyçur dhe punonjës që nuk e dinin se ku ndodhej.
Mos vallë ndodhej duke punuar në mënyrë private, gjatë orarit zyrtar që duhej të qëndronte në nënprefekturë? Një “qytetar” vërtetoi që ndodhej në institucionin privat, duke u marrë me dhënie kredie.
Qytetari – Edhe diçka tjetër! Mikeli?
Punonjësi – Si? Ja!
Qytetari – O, Mikel! Ça bëre? Erdha për kredinë, fola me këta.
Nënprefekti Kola – Po nuk ka nevojë, njësoj është.
Qytetari – Mua më ka adresuar XXX. Ai shoferi me sharon.
Nënprefekti Kola – Po, po..
Qytetari – Edhe problemi qëndron këtu: unë s’i kam siguracionet.
Nënprefekti Kola – Nuk hyjnë në punë.
Qytetari – Më ndihmon?
Nënprefekti Kola – Sa lekë të duhen?
Qytetari – Po 1.2 milionë i thashë ktij, o burrë! Ose 1 milionë.
Nënprefekti Kola – Hajde se do i bëjmë, do i bëjmë.
Qytetari – Do më ndihmosh me një fjalë?
Nënprefekti Kola – Ndonjë gjë për garanci, gjete? Ça të tha ai ty?
Qytetari – Garanci atë, që punoj.
Nënprefekti Kola – Vërtetimin e pagës. Ku je duke punuar?
Qytetari – Te Dormeo… Bëhet eeeee?
Nënprefekti Kola – Po, bëhet!
Qytetari – Faleminderit!
Por i vënë në dijeni për mbërritjen e emisionit “Stop”, nënprefekti Kola u kthye në zyrën e shtetit dhe tha se ndodhej në Fushë-Mamurras për një problem prone të një qytetari.
“Dyert e prefekturës normalisht që ka momente që janë të mbyllura sepse puna jonë… Nejse! E kisha për kamerën sepse fillimisht dua të bëjmë një bisedë bashkë e pastaj me kamerën. Megjithatë ti erdhe me kamerën direkt, nuk prish punë fare. Kam qenë në Fushë – Mamurras, ka bërë një ankesë njëri për toka. Shkova e verifikova, tani do t’i raportoj shefit”, tha ai.
I pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop” nëse është i vështirë posti që drejton, Mikel Kola u shpreh se është punë me probleme, por jo e vështirë. Por kur gazetarja i përmendi biznesin privat ku jep kredi, nënprefekti u kap në befasi dhe tha se në Nënprefekturën e Kurbinit punon me kohë të plotë. Gjithashtu u shpreh se nuk ishte në dijeni të ligjit në Kodin e Punës, ku thuhet se nuk lejohet dy punësimi kur punon në institucion shtetëror.
Gazetarja – Suksese në jetë!
Nënprefekti Kola – Faleminderit, por nuk ka vend për suksese në jetë besoj.
Gazetarja – Suksese në jetë është shprehja jonë e preferuar.
Nënprefekti Kola – E di edhe ku e keni marrë dhe si e përdorni, por shyqyr që… ata janë nivel tjetër që përdorin këtë shprehje.
Gazetarja – Gjithsesi, suksese në jetë dhe faleminderit!
Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me prefektin Gjergj Prendi në lidhje me dy punësimin e nënprefektit gjatë orarit zyrtar të punës.
“Për rastin që ju ngreni si shqetësim, unë nuk jam në dijeni. Zotëria ka rreth 4 muaj që ka filluar në detyrën e nënprefektit. Në dijeninë time ai e ka dorëzuar detyrën që kryen në institucionin e prefektit të Lezhës, si nënprefekt i rrethit të Kurbinit ai e kryen me përpikmëri”, u shpreh prefekti i Lezhës.
Ai tha se do të verifikonte nëse nënprefekti Kola është në shkelje të Kodit të Punës dhe më pas do t’i kërkonte dorëheqjen dhe nëse nuk do të pranojë, do të bëjë propozim për shkarkim nga detyra.
Moderatorët e emisionit “Stop” komentuan me humor fotografinë e Kryeministrit Rama që prefekti i Lezhës mbante në zyrë, si dhe ngjyrën mavi me të cilin ishin lyer muret./tvklan.al