Nëntë vite premtime, por në Astir ende nuk ka shkollë

“Ne do të bëjmë 5 shkolla në Astir që ti ketë zili e gjithë dynjaja”,– u shpreh kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë një takimi me banorë të Astirit në prill të vitit 2023, pak para zgjedhjeve lokale.

Mirëpo, ndërsa sot nisi viti i ri shkollor, Astiri, Kashari dhe Yzberishti, pjesë e njësisë 14 në kryeqytet, ende nuk kanë një godinë shkollore të arsimit parauniversitar.

Kjo zonë ka një popullsi në rritje, ndërsa llogarit më shumë se 70 mijë banorë. Mirëpo në nëntë vitet e fundit, gjithçka kanë dëgjuar, kanë qenë vetëm premtime për godina të reja shkollore.

Qytetarët paguajnë 1800 lek taksë për infrastrukturën arsimore, pagesë e cila kryhet çdo muaj në shumën 150 lek në faturën e ujit. Sipas të dhënave nga bashkia Tiranë, prej vendosjes së kësaj takse në vitin 2016 deri në fillim të vitit 2023 janë mbledhur në total 51 milion euro nga familjarët dhe bizneset.

Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave nr.671 të datës 29/07/2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit” ka disa standarde minimale për planifikimin e objekteve arsimore.

Neni 83 i VKM-së përcakton se për çerdhet, rrezja e shërbimit të çerdhes në vijë ajrore është 200-300 metra, për kopshtet 250-350 metra në zona urbane dhe 500-600 metra në zona rurale. Për shkollat fillore dhe 9-vjeçare rrezja e shërbimit të shkollës në vijë ajrore është 500-600 metra në zona urbane, ndërsa llogaritet një shkollë për çdo 6000 banorë.

Për shkollat e mesme rrezja e shërbimit të shkollës në vijë ajrore është 1000-1500 metra në zona urbane dhe llogaritet një shkollë e tillë çdo 9000 banorë.

Nëse do të respektoheshin standardet e kësaj VKM-je, atëherë njësia bashkiake nr.14 duhet të kishte 11 shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme, por në realitet ka vetëm premtime dhe projekte.

Premtime të ripërsëritura në tre mandate

maj të vitit 2015 ndërsa Erion Veliaj shpaloste programin e tij për Tiranën u shpreh se do të ndërtojnë një shkollë 9-vjeçare në Unazën e Re.

Ne angazhohemi të ndërtojmë një kopsht dhe një shkollë 9-vjeçare të re në zonën e Unazës së Re, pranë KMY-së në Yzberisht sepse aty është edhe nevoja më e mdhe për të pasur lehtësimin e shkollave të Kombinatit nga dy turne që kemi sot,-deklaroi Veliaj.

Mirëpo, vëmendja ndaj nevojës për shkolla në Astir u kthyer edhe njëherë në vitin 2020, sërish në periudhë zgjedhjesh.

“Lajmi i mirë është që ne shumë shpejt do të fillojmë edhe shkollën 9-vjeçare edhe shkollën e mesme”.

shkurt të 2022-t, Veliaj premtoi jo dy, por tre shkolla të reja për këtë zonë.

Lajmi tjetër i mirë që kemi për Astirin, janë tre shkollat e reja. Dy do të jenë nga kjo anë e Lanës ku jemi sot. Një do të jetë nga ana tjetër e Lanës dhe me këto tre shkolla, e gjithë zona bie rehat. Ashtu siç ra rehat Kombinati me shkollën “Betim Muço”, ashtu siç ra rehat rruga e Dibrës me shkollën” Sevete Maçi”, ashtu siç bëmë te Bregu i Lumit me shkollën “Ardian Klosi”, ashtu si i dhamë drejtim pazarit të ri me “Hoxha Tahsin”, ashtu do të japim edhe një zgjidhje përfundimtare me tre shkolla, dy nga kjo anë e autostradës dhe një në anën tjetër”,- deklaroi ai në një takim në zonën e Astirit.

Gjatë një takimi në shkollën “Servete Maçi”, në mars të vitit 2023, kryebashkiakua risolli sërish premtimin për shkollë të re ne Astir.

“Aty do të kemi dy shkolla, një në Astir, dhe tjetra do të jetë te rruga e re e zgjatimit të Lanës, mes autostradës dhe Lanës, që bie në kufirin e Njësisë 7, por i shërben kryesisht zonës së lagjes 14”,-deklaroi Veliaj.

30 prill 2023, në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Veliaj u përgjigj se pse deri më atëherë nuk ishin ndërtuar shkollat e premtuara në Astir.

Në Astir tokat që ishin destinuar për shkollë ishin me pallate tashmë të ndërtuar. Pra ti duhet të rrije dhe të prisje negociata ose të futeshe në procese gjyqësore. U shty në kohë procedura për të fituar gjyqet dhe për të rikuperuar terrene. Janë pesë terrene, secila ka një histori në vete”.

Ndërsa nuk ngurroi të fajësonte edhe luftën në Ukrainë për vonesat e tyre.

“Jam krenar që kemi bërë 40 shkolla, por nuk kemi mundur të mbarojmë lotin e fundit për shkak të kushteve të krijuara nga lufta në Ukrainë. Janë 5 shkolla në Astir-Kashar-Yzberisht, 2 te Liqeni i Thatë dhe 2 në Sauk dhe 1 te Akademia e Policisë. Ambicia ishte për 50 shkolla nga të cilat bëmë 40. Shkollat që nuk janë ndërtuar janë në dy ish-komuna, që janë drejtuar nga PD ku janë dhënë leje ndërtimi pa asnjë kriter. U shty në kohë rikuperimi i terreneve për shkak të gjyqeve”,- tha Veliaj.

shtator të 2023-it, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Veliaj u shpreh se nuk do ta lerë bashkinë pa zgjidhur Astirin.

Janë katër shkolla përnjëherë. Kemi çliruar 3 territore, po çlirojmë edhe të fundit, jemi në fund të atij procesi por për sa kohë që janë çliruar 3, ajo që ndoshta do bëj është që do ia jap dritën jeshile të bëhet loti me 2 pjesë. Tre të parat dhe pastaj tjetra. Nuk do e lë këtë Bashki pa zgjidhur Astirin…”

Ndërsa në dhjetor të 2023, deklaroi se tanimë shkollat në Astir janë buxhetuar.

Secili e pa edhe buxhetimin e shkollave në Astir, më në fund zgjidhëm atë gjyq edhe atë ngërç”.

Mirëpo, buxhetimi jo detyrimisht do të thotë nisje punimesh. Gjë që bëri të ripërsëritej premtimi sërish në shkurt të vitit 2024.

Edhe te zona e Astirit që gjithsesi është mbrapa se akoma nuk ka shkollat e para dhe ky lot i shkollave dy një njërën anë dhe dy në anën tjetër ula pak edhe stresin që ka “Dhora Leka” dhe shkollat e tjera të njësisë”.

prill të 2024, kryebashkiaku Veliaj zbriti në terren në vendin ku pritet të ndërtohet godina e përbashkët për shkollën 9-vjeçare dhe gjimnazin në këtë zonë.

“Kjo do të jetë terreni i shkollës së re. Do të kemi dy shkolla te reja, një shkollë e bashkuar, por me hyrje të veçanta 9-vjeçarja me gjimnazin. një kampus që është 10 mijë metra katrorë”.

Ndërsa u shpreh se gara për të ndërtuar shkollat e reja në këtë zonë është rihapur sërish këtë vit.

Por pavarësisht premtimeve me shumicë, edhe në nisje të këtij viti shkollor, zona e Astirit ende nuk ka një shkollë./citizens.al

Artikulli paraprakPas takimit me Lajçak, Vuçiç paralajmëron: Do të përgjigjemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme
Artikulli tjetërBE-ja gjobit gjigantët e teknologjisë amerikane! Apple do të paguajë 13 miliardë euro, ndërsa Google 2.4 miliardë euro