Nervozizmi i Ronaldos nuk është për para

Florentino Perez është i bindur se ky nervozizëm i Cristiano Ronaldos nuk është për para. Pas akuzave për evazion fiskal, e përditshmja portugeze “A Bola”, lëshoi bombën, duke raportuar se Cristiano Ronaldo do të largohet nga Spanja. Janë të shumtë ata që mendojnë se Cris është duke bërë këtë për të fituar një kontratë të re dhe më shumë para, por kjo është absurde për numrin një të Realit, Forentino Perez. Ai tha se, Cristianos nuk i intereson paraja dhe se asnjëherë nuk e ka bërë një veprim të tillë përgjatë tetë viteve në “Santiago Bernabeu”.
“Është më i miri që kemi, Ronaldo është më i miri në botë. Ka njerëz që mendojnë se ai po e bën këtë për të përmirësuar kontratën, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto tetë vite”, tha Perez.
“Asnjëherë nuk ka ardhur dhe kërkuar më shumë para. Të gjithë thonë, se ai do të vijë tani dhe do të kërkojë më shumë para, por Ronaldo nuk është ashtu. Atij nuk i intereson paraja, ai vetëm dëshiron të jetë më i miri në botë”, shtoi Perez.
“Nëse ai është i nervozuar, është për shkak të trajtimit që i është bërë që nuk ka marrë atë që me të vërtetë përfaqëson. Cristiano është shembull”, u shpreh më tej numri një i Los Blancos për “esRadio”.
Katër herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, është në qendër të vëmendjes, që spekulohet se mund të largohet nga Reali. Portugezi vazhdon të heshtë, duke mos mohuar e as pohuar këtë që tani për tani mbeten spekulime. Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, thotë se Cristiano Ronaldo është duke bërë mirë që nuk po flet, pasi jo gjithmonë duhet të reagohet ndaj shkrimeve të ndryshme.

Artikulli paraprakSkënderbeu rikthehet në Europë pas pezullimit
Artikulli tjetërPresion Realit!