Nëse do të kisha rastin të gjendesha pranë maturantëve, do t’u bëja veç një pyetje…

Nga Elona CASLLI

Pa kuptuar domethënien e diktaturës, nuk mund të zbërthejmë kuptimin e lirisë..

Maturantët janë kryefjala e ngjarjeve ditët e fundit. Pyetjet e hartuara në provimet e maturës shtetërore kanë ngjallur jo pak debat këto ditë. Nëse do të kisha rastin të gjendesha pranë atyre maturantëve, do t’u bëja veç një pyetje- Çfarë dini ju për diktaturën në Shqipëri?

Jam gjendur shpesh pranë gjimnazistëve dhe u kam bërë këtë pyetje- Çfarë dini ju për diktaturën?

Për fat të keq, shpesh kam marrë një përgjigje të thatë dhe të përgjithshme, e cila konkretizohet veçse në një fjali: “ Atëherë nuk të linin të flisje”.

Mirëpo, kjo fjali shqiptohet me një zë aq të thatë, sa mund të bën të mendosh se moslejimi i fjalës është i barabartë me moslejimin e shkeljes së një rruge. Sikur të thuash: – Mos dil nga ajo rrugë, se nuk lejohet.

Ndërkohë, thuhet se në tekset shkollore tema e diktaturës nuk zë hapësirën e duhur. E ndoshta këtu fillon gjithçka. Besoj se sikundër nxëmë lëndën e gjuhës, matematikës apo të leximit, duhet të nxëmë edhe lëndën e historisë së diktaturës dhe sjelljes së saj. Skaneri i plotë i diktaturës në Shqipëri për fat të keq nuk është bërë ende. Ky skaner është i nevojshëm për brezat që e jetuan atë kohë, por është po aq i nevojshëm edhe për brezat që erdhën më pas.

Pa nxënë anatominë e diktaturës, nuk do ta përvetësojmë kurrë anatominë e lirisë.

Për diktaturën dhe tiparet e saj, duhet të flitet shpesh, pasi paradoksalisht mund të ndodhë që dënojmë diktaturën, por sillemi si diktatorë në të përditshmen tonë.

Shkrimet të ndryshme, shpesh kanë provokuar debate të shumta në rrjet. Çdo mendim është i diskutueshëm, për sa kohë në botë ekzistojnë njerëz të ndryshëm me pikëpamje të ndryshme. Dhe bota është e bukur, sepse njerëzit mendojnë ndryshe. Nëse njerëzit do të mendonin njësoj, bota do të ishte krejt e mërzitshme dhe e pakuptimtë.

Në diktaturën komuniste synohej unifikimi i mendimit të njerëzve. Kush mendonte, vepronte apo shkruante jashtë skemës së partisë, shpallej armik, gjykohej, burgosej apo vritej.

Sa e njohim dhe sa e pranojmë ne të drejtën e mendimit ndryshe? Sa të kultivuar jemi ne si shoqëri, për të zhvilluar një debat qytetar? E dënojmë dikaturën apo e riprodhojmë padashje në sjelljen tonë këtë të fundit?

Në diskutimet e shumta për fat të keq, kam vënë re, se si shoqëri nuk e kemi pjekurinë e debatit.

Nëse dikush paraqet një argument bazuar mbi një fakt, në shumicën e rasteve merr një mori akuzash që nuk kanë të bëjnë hiç me argumentin fillestar, por dalin jashtë tij dhe precipitojnë në fyerje dhe etiketime.

Në diktaturë kush mendonte ndryshe, shpallej armik.

Edhe në Shqipërinë aktuale, mendoj se shumë pak ka ndryshuar. Mendimi ndryshe nuk respektohet, por akuzohet, fyhet dhe etiketohet.

E gjitha kjo, dëshmon të vërtetën tragjike, që ne si shoqëri paradoksalisht e dënojmë diktaturën, por sillemi si diktatorë.

Këtë të vërtetë tragjike nuk e sheh veçse në debatet e ndryshme në rrjete sociale, por e has rëndom edhe në studio televizive, nga personazhe që kanë një formim në perëndim dhe në parim duhet të distancoheshin nga kultura primitive e debatit, ku argumenti përballet me akuzë, etiketim, apo fyerje.

Besoj se të gjithë ne duhet t’i kthejmë sytë nga vetja. Të përpiqemi ta pastrojmë veten nga ato mbetje toksike që mund të kenë mbetur në mendjen tonë dhe të përpiqemi të kuptojmë vlerën dhe kuptimin e mendimit ndryshe.

Post Scriptum- Fillimisht duhet të shqyrtojmë marrëdhënien që kemi me diktaturën si shoqëri, mandej marrëdhënien që kemi me lirinë.

Exit mobile version