John Terry synon të rikthehet se Chelsea si trajner si pjesë e synimit të tij që një ditë të drejtojë skuadrën në “Stamford Bridge”. Ish-kapiteni i “bluve” ka një kontratë deri në qershor me Aston Villa, skuadër në kategorinë e dytë angleze, ku qendërmbrojtësi shkoi pas fundit të kontratës me Chelsea. Ai nuk e ka fshehur kurrë interesimin për të qenë trajner dhe sipas “The Mirror”, Terry mendon se një ditë do të drejtojë skuadrën e Chelsea, duke e nisur punën fillimisht si pjesë e stafit të trajnerëve të kësaj skuadre.
E ardhmja e trajnerit Antonio Conte është në dyshim, vetëm një vit pasi fitoi titullin në atë që ishte sezoni i tij i parë në Angli. Në këto kushte, Terry, i cili jeton shumë pranë qendrës stërvitore të Chelsea në Cobham, mund të shohë t’i hapet një dritare në një karrierë të re. Conte duket se do të rikthehet në Itali, atje ku ka qenë i suksesshëm me ekipin kombëtar dhe Juventusin, kësisoj ekzistojnë të gjitha gjasat se trajneri i ardhshëm i “bluve” do të pranojë dëshirën e Terry për ta përfshirë në stafin e tij.
Terry mendon se do të ishte më mirë ta niste karrierën si trajner në stafin e Chelsea, sesa të bëhej trajner i parë diku gjetkë në etapën e tij të parë në profesionin e ri. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që trajneri i Aston Villa, Steve Bruce, ta dojë edhe një vit në ekip nëse kjo skuadër futet në Premier League. Villa është në vendin e dytë në Championship, me një pikë më shumë se Derby County dhe Cardiff City. Nëse e mban këtë pozicion deri në fund do ta ketë realizuar objektivin.