Nëse mbrojmë me votë të fortin, të paaftin, dallaverexhiun, jemi një prej tyre

Nga Agim Baçi

Në zgjedhjet e Prillit të vitit 2021 ishte hera e parë që ndeshesha me kërkimin e votës personale. Drejt këtij vendimit shkoja duke besuar një kauzë, që vijoj ta besoj, për një shtet të së drejtës, për një shoqëri që mbështetet në besim, në respektin e pronës dhe që merr përgjegjësi për vendimet e veta.
Shumë njerëz në rrugë apo kafene, mes përqafimesh, përgëzonin këtë hap dhe premtonin mbështetje. I dëgjoja në atë prakticitetin e kërkesave dhe e vetmja gjë që më dukej e drejtë t’u thoja, ishte fakti se do i dëgjoja gjithmonë pa u varur nga rezultati! Basti i vetëm që kam vënë është të qenuri po agim baçi, pa u ndikuar nga asgjë.
Në fund të votimeve m’u desh të rivendosja gjithë premtimet e atyre personave që kishin ardhur e folur me mua përballë me votat reale. Nuk kishte të bënte aspak me fitoren apo humbjen time. Thjesht duhej të kisha brenda vetes një përgjigje për atë hendek me të cilin po ndeshesha, kur në fakt nuk kisha detyruar askënd as të më premtonte diçka të pamundur.
Nën atë reflektim, apo “leksion realiteti” më vinin para syve, në vitet e përvojës sime, në punët e mia, fytyra të njohura që jo pak herë i dëgjoja të revoltoheshin ndaj një të keqeje, ndaj një padrejtësie, dhe sërish, në kutitë e votimit hidhnin votën pikërisht për atë ndaj të cilit kishin shprehur mllefin për paaftësi, për korrupsion, për dallaveraxhi.
Në fakt, kam njohur jo pak nga ata që bëjnë furtunë morale në fb, instagram apo çfarëdo media sociale e tradicionale, por më pas, i sheh duke thënë justifikime pa fund se përse i kanë mbështetur sërish ata të cilët i quanin si të paaftë apo pazarxhinj apo të korruptuar, edhe kur në shkrime apo fjalime publike i kishin kundërshtuar apo kritikuar rëndë!
Padyshim që do ishte gabim dhe hipokrizi për secilin nga me nëse të mirët apo të këqijtë do t’i përcaktonim nga fakti se sa janë të mirë apo jo të mirë me ne. Gjithnjë mendoj se Zoti ka planet e veta dhe ne duhet veç të lexojmë shenjat e asaj që na vjen.
Por, a duhet të heshtim përballë atyre që ankohen, kritikojnë, por më pas janë votuesit apo mbështetësit e parë të atyre të cilët i shohin si një e keqe për vendin, qytetin, apo institucionin ku punojnë? Jo, sepse të tillët, që ankohen dhe votojnë ata për të cilët ankohen, që mbështesin ata që i komentojnë si të paaftë, nuk janë veçse ajo telajo e fortë ku e keqja rri varur në një ekspozim verbues. Jo, nuk duhet të heshtim por t’u themi në sy se, ata janë personat që krijojnë dhe mbajnë gjallë gënjeshtrën rreth nesh. Sepse, në fund të fundit, ne nuk jemi asgjë tjetër, veçse ajo që mbrojmë. Dhe kush mbron të keqen, të paaftin, dallaverexhiun, nuk ka asnjë justifikim, pasi në thelb ai është gjeneruese i tyre dhe se revolta e të tillëve është hipokrizi.
Pra, thënë hapur, nëse ne mbrojmë me vendime apo votë të fortin, të paaftin, dallaverexhiun, ne jemi një prej tyre. Ndaj, me këdo që u flet të tjerëve për ndershmërinë, por më pas bashkëndan udhët me të, mos u besoni nëse do t’iu llomotisë për rëndësinë e së drejtës dhe të vërtetës, pasi ata janë pikërisht mbajtësit në këmbë të ligësisë, paaftësisë, autokracisë dhe gjithçkaje tjetër që është kundër të duhurës.
E nëse njerëzit që kanë më shumë përgjegjësi publike për të reaguar, për të ndryshuar realitetin rreth tyre, nuk reagojnë, mos të fajësojmë ata të cilët presin të sigurojnë jetesën nga dallaveraxhinjtë që votojmë apo mbështesi aty ku mundemi.

Artikulli paraprakMandati i 4-t nis vrullshëm/ Qeveria i hap rrugën plaçkitjes së pronave të ushtrisë tek klientët e saj strategjikë
Artikulli tjetërBujar Vreto: Tradhtarë me kostum opozitari!