Nga Gjergji Nika
Duke debatuar me disa miq, njëri prej tyre më përmendi një argument të tejpërdorur, keqpërdorur, të keqkuptuar e të pakuptuar.
Atë të votave të kandidatëve të koalicionit BF në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Si zakonisht, kur diskutimet bëhen sempliste, kokëfortësia e shqiptarit ngelet vetëm tek disa shifra dhe jo tek analiza reale e shifrave.
Si fillim dua të them se Edi Rama mund të mposhtet vetëm nëse përfundimisht opozita largohet nga të gjitha peshat e këqija të së shkuarës, nëse shkëputemi përfundimisht nga establishmenti 34- vjeçar, nëse opozita përcaktohet si progresiste, vepron e funksionon si progresiste, përqafon moralin e së ardhmes.
Mund të mposhtet vetëm nëse bashkohen në një front të vetëm të gjitha forcat e vërteta opozitare, me një program qeverisës, që është për shqiptarët.
Edi Rama mund të mposhtet vetëm nëse kemi moral dhe cipë në fytyrë dhe mbështetet fuqimisht e pa rezerva Drejtësia e re dhe SPAK, nëse luftohet për votën e diasporës dhe listat tërësisht të hapura.
Vetëm kështu bëhen votat që të largohet Rama dhe keqqeverisja e tij.
Por, në rast se do të bëjmë një analizë të thjeshtë, PD nuk i ka votat që të mundë Edi Ramën. E pamë në 25 prill 2021, kur edhe pse ishte e bashkuar nuk ia arritëm. Ngjarjet që ndodhën më pas me shpalljen non grata të Sali Berishës, bënë që Partia Demokratike të tkurrej e të rrudhej edhe më shumë. Përllogariten në 250.000 votues minus.
Në këto tre vite PD ka humbur një numër shumë të madh të elektoratit. U pa në zgjedhjet vjet kur humbja e Sali Berishës ishte katastrofike përballë Edi Ramës.
Rreth 500.000 shqiptarë votuan në 14 maj 2023 kandidatët e koalicionit Berisha- Meta. Ndërsa në zgjedhjet për këshillat bashkiakë këto vota e përgjysmuan.
Rreth 500.000 votat Berisha nxitoi t’i quante si vota mbështetëse ndaj tij. Por argumenti rrëzohet. Në këto vota të kandidatëve ishin edhe votat personale të tyre, jo vetëm ato partiake. Votat reale të koalicionit Meta- Berisha ishin atë 240.000 që u morën për këshilltarët bashkiakë. Në rast se heqim atë 104.000 vota që mori LSI në zgjedhjet e 2021 dhe që pretendonte se i kishte, (megjithëse dyshoj shumë se i kishte dhe i ka) atëherë votat reale të Berishës ishin 140.000. Madje LSI, nga pazari i bërë me Rithemelimin atëherë doli forcë e dytë në Shqipëri, për nga numri i këshilltarëve.
Ndërkohë PD zyrtare (në atë periudhë), pa fushatë, pa kandidatë, pa fonde, sepse fondet Bardhi ia kalonte Rithemelimit morën diçka më tepër se 100.000 vota.
Përsëri shifrat nuk mjaftojnë, sepse të dyja bashkë edhe sikur t’i bashkojnë votat bëjnë 350.000.
Por përsëri janë rreth 250.000 vota, të cilat kanë humbur rrugës dhe nuk e gjejnë veten të përfaqësuar as nga Berisha e as nga Meta.
Pikërisht këto vota dhe votat e elektoratit gri duhen përthithur, në mënyrë që të bëhet opozita një forcë konkuruese për të mundur Edi Ramën.
Sepse elektorati i PD gjithmonë ka qenë i dyzuar: në ata që votojnë PD, sepse besojnë tek jo dhe ata që votojnë PD për arsye nostalgjike dhe, rrjedhimisht edhe nostalgjike edhe për Berishën. Besoj se të gjithë ata demokratë, të cilët i janë larguar ndër vite PD, njërën nga arsyet kryesore e kanë pasur kundërshtinë e tyre me Berishën. Dhe kundërshtia e tyre ndaj Berishës ka nisur në 1991 dhe ka vazhduar në të gjitha këto 34 vite të tranzicionit. Pikërisht këta 250.000 votues, nuk është se janë mbështetës të Bashës. Thjesht ata janë antiberishistë, jo si person, por si frymë. Këta nuk do ta votojnë kurrë Berishën.
Po qe se u shtojmë këtyre shifrave edhe elektoratin gri shqiptar, demokratë, socialistë të zhgënjyer, intelektualë pa parti, shoqërinë civile, shtresën e mesme të shoqërisë, atë kategori votuesish që nuk votojnë PD e Sali Berishës, sepse kanë moral, janë ndërgjegjja më e mirë e shoqërisë dhe shohin përtej interesave personale, janë të pavarur në mendime, të lirë nga nderet dhe qokat e dikurshme, pra nuk janë peng i pushtetit apo korrupsionit të dikurshëm, atëherë shifrat bëhen.
Pikërisht këta njerët kërkojnë përfaqësim politik; pikërisht këta janë ata që do të bëjnë diferencën dhe do të sjellin ndryshimin. Prandaj nuk e kemi luksin të shpërdorojmë bindjet e kësaj pjese shoqërisë, as t’i zhgënjejmë ata.
Fakti është që PD e Sali Berishës nuk mund të rritet më shumë se ç’është aktualisht, ndërsa pjesa progresiste e votuesve mund të rritet në proporcion gjeometrik.
Ndaj, potencialisht opozita e bashkuar, (e bashkuar jo për interesat personale të dikujt dhe nën flamurin e ruajtjes së status quo-së 34 vjeçare), duhet të mbledhë të gjitha votat e të djathtëve shqiptarë që për një arsye ose një tjetër u larguan ndër vite nga PD-ja e Sali Berishës, të mbledhë të gjitha votat e intelektualëve të pavarur, shoqërisë civile, të të gjithë atyre që besojnë se meritojnë ata dhe Shqipëria më shumë.
Në rast se qytetarët nuk do të jenë të detyruar të zgjedhin mes partive politike ku e shkuara dominon mbi të tashmen e të ardhmen, atëherë ka shpresë.
Në rast se shqiptarët nuk do ta kërkojnë zgjidhjen brenda sistemit ekzistues regresist, metodave të vjetra, apo veprimeve e konjukturave të njohura, atëherë ka shpresë.
Në rast se arrihet kjo, atëherë po, Shqipëria do të ndryshojë, opozita do të fitojë, Rama do të detyrohet të largohet nga pushteti dhe tranzicioni i tejzgjatur do të përfundojë.