Nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës, opozita do djegë mandatet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në një takim ministrin e Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier. Basha shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjermanisë dhe të ministrit Steinmeier për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës, kohë në të cilën mbante postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
Basha i bëri të ditur ministrit të Jashtëm gjerman se opozita e drejtuar prej tij ka shprehur me vepra dhe jo me fjalë mbështetje të plotë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ndryshe nga opozita e djeshme e drejtuar nga Rama, e cila bllokoi për tre vjet statusin për vendin kandidat, unë personalisht, theksoi Basha, kam kërkuar tek çdo qeveri dhe tek çdo drejtues i familjes së Partisë Popullore Europiane mbështetje për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehu shqetësimin për gjendjen e rëndë në vend si rezultat i lidhjeve të pushtetit aktual me krimin dhe promovimit dhe mbështetjes nga Kryeministri Edi Rama të personave me rekorde kriminale në Parlament, në bashki e në poste të larta të administratës shtetërore.
Për këtë Basha solli si shembull rastin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, për të cilin një vit më parë partnerët ndërkombëtarë i kërkuan Edi Ramës të mos e kandidonte pasi ishte i dënuar në Zvicër e Itali për trafik droge e vepra të tjera kriminale. Rama injoroi thirrjet edhe publike të ndërkombëtarëve, duke e kandiduar. Për të mbrojtur këta persona me rekorde kriminale zvarriti për një vit ligjin e dekriminalizimit dhe kur ky u miratua e sfidoi hapur duke u shfaqur në publik me Rroshin e kryebashkiakë të tjerë që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Duke iu referuar korrupsionit, situatës fiskale dhe të sigurisë ligjore, z. Basha solli në vëmendje raportin e Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, e cila rendit Shqipërinë në vendin e fundit në rajon ku investitorët gjermanë do të donin të investonin.
Një tjetër fakt i paraqitur nga kreu i opozitës është edhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarët, të cilët janë renditur të dytët në Gjermani pas sirianëve dhe të parët në Holandë. Faktori kryesor i këtij eksodi masiv të qytetarëve shqiptarë është pasiguria si rezultat i simbiozës krim-pushtet dhe rënies së shtetit ligjor.
Kreu i Partisë Demokratike e njohu ministrin e Jashtëm gjerman me presionin e jashtëzakonshëm që Kryeministri Edi Rama ushtron ndaj gjyqësorit. Këtë e dëshmon ndër të tjera rasti i ish-deputetit Kokëdhima, i cili kishte përfituar në kundërshtim me ligjin fonde publike. Edi Rama refuzoi ta dërgonte për hetim dhe pasi u detyrua nga opozita ta bëjë këtë, ushtroi një presion të jashtëzakonshëm ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke i kërcënuar publikisht edhe pas vendimit të marrë nga ata për heqjen e mandatit të Kokëdhimës. Një rast tjetër flagrant i presionit të papranueshëm ndaj gjyqësorit është edhe rasti i përgjimeve. Pas nisjes së hetimeve dhe dhënies së masave të para nga gjykata për drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë krim, Edi Rama kërcënoi hapur gjyqtarin duke e quajtur atë killer.
Një vend të veçantë në takim zuri Reforma në Drejtësi.
Që në nisje të reformës, theksoi zoti Basha, mazhoranca ka bërë gjithçka që të kapë politikisht sistemin. Kjo u faktua edhe nga Venecia, e cila rrëzoi draftin e parë të mazhorancës në plot 38 pika, duke e konsideruar si një propozim që çonte në kapje politike të drejtësisë. Ndonëse Partia Demokratike i kërkoi mazhorancës të ulen dhe të miratojnë një draft të përbashkët, kjo u refuzua nga mazhoranca, e cila solli edhe një draft të dytë të njëanshëm. Sërish Venecia faktoi shqetësimet e opozitës për kapjen politike, ndër të cilat edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilën Edi Rama e donte nën varësinë e ministrit të Brendshëm.
Falë rolit të opozitës sot kemi një draft të përmirësuar dhe të dakorduar me përjashtim të një çështjeje: atë të zgjedhjes së institucioneve të reja. Partia Demokratike ka kërkuar zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Venecias për këtë çështje. Edi Rama nuk ka demonstruar vullnet për të pranuar zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias mbi moskapjen politike të drejtësisë.
Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një parim pa të cilin nuk mund të ketë reformë, ndaj reformë me kapje politike të sistemit nuk mund të ketë. Ndaj në takimet me Ramën dhe Metën kam parashtruar një dhe vetëm një kërkesë nënvizoi kreu i opozitës: zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Parimi duhet të pranohet për të gjitha institucionet, theksoi z. Basha, sepse një drejtësi nuk mund të jetë e pakapur nëse Kryeministri vendos se kush është i pastër dhe kush jo nga gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është refuzuar deri tani nga Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike i bëri të ditur ministrit të Jashtëm gjerman tentativën e Edi Ramës për të shantazhuar dhe blerë vota nga deputetët e opozitës për miratimin në mënyrë të njëanshme të Reformës në Drejtësi. Kjo, theksoi kreu i PD, do të jetë fundi i këtij Parlamenti. Basha rikonfirmoi para ministrit të Jashtëm gjerman qëndrimin e bërë publik se, nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës atëherë opozita do të djegë mandatet dhe do t’i drejtohet qytetarëve.
Kryetari i PD theksoi se opozita ka demonstruar të gjithë vullnetin për të gjetur zgjidhje siç rekomandon Komisioni i Venecias në rekomandimin 88 dhe se zbatimi i tij i plotë për të katër institucionet e reja është rruga e miratimit të menjëhershëm të draftit kushtetues.
Në takimin me ministrin e Jashtëm gjerman zoti Basha u ndal edhe tek çështja e reformës zgjedhore. Kreu i demokratëve solli në vëmendje raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015-ës, ku theksohet se zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme, pati shitblerje kartash identiteti, blerje vote, intimidim të votuesve dhe presion në qendrat e votimit nga persona me precedentë kriminalë, çka u faktua edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Në këto kushte, theksoi z. Basha, votimi dhe numërimi elektronik janë zgjidhja e vetme për t’i dhënë mundësi qytetarëve të shprehin të lirë vullnetin e tyre.

Vota pro me rekomandimin 88 të opinionit final të Venecias

Opozita e gatshme të votojë Reformën në Drejtësi nëse zbatohet i plotë, rekomandimi 88 i opinionit final të Komisionit të Venecias.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë me vendimin unanim të mbështetjes së miratimit në parim të draftit të ndryshimeve kushtetuese në funksion të Reformës në Drejtësi, me një dhe vetëm një kusht: Adoptimin dhe zbatimin e plotë, jo të pjesshëm të rekomandimit 88 të opinionit final të Komisionit të Venecias. Kjo ka të bëjë me moskapjen politike të drejtësisë. Moszbatimi i plotë i rekomandimit 88 e në veçanti sa i përket procesit të skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të thotë të dorëzosh drejtësinë, jo te një Kryeministër dosido, por tek Edi Rama që i quan “killer” gjyqtarët që hetojnë skenarët e përgjimit. Që ka frenuar deri më sot zbardhjen e falsifikimit të firmës nga Erion Veliaj. Që dekoron prokuroren që ndërpreu çështjen penale në ngarkim të Saimir Tahirit, për narkotaksinë e lidhur me Habilajt dhe që u bën fresk atyre që në vend që ta ndiqnin penalisht dhe ta çonin para drejtësisë Shullazin, Habilajt, “Hakmarrjen” e dhjetëra banda të tjera që bëjnë ligjin nga mëngjesi deri në darkë, ju bën fresk gjithë ditën, duke i siguruar akses në një drejtësi të shantazhuar politikisht.
Pra, Partia Demokratike ka një dhe vetëm një kërkesë, që në fakt është zotimi im dhe zotimi i Edi Ramës në Bruksel dhe Uashington. Zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Zbatimin e plotë të opinionit final të Komisionit të Venecias. Nuk kemi asnjë kërkesë tonën, asnjë kusht tonin, por zbatimin e plotë të rekomandimit final të Komisionit të Venecias. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati ta miratojmë që sot draftin kushtetues.
Nëse pala tjetër nuk bie dakord, “Tungjatjeta!”, “Mirupafshim kur të bini dakord”.

Exit mobile version