Manuel Neuer nuk i trembet takimit kundër Polonisë. Portieri i skuadrës së Kombëtares Gjermane u shpreh optimist për takimin kundër polakëve. Neuer paralajmëron dhe mbrojtjen Die Manschaft të tregohet e kujdesshme, pasi shoku i tij i skuadrës te Bayern Munich, Robert Lewandowski mund t’i ndëshkojë ata në çdo moment. “Takimi kundër Polonisë është shumë i rëndësishëm për ne. Ndaj Ukrainës hasëm pak vështirësi, por në fund ia dolëm. Sigurisht që në takimin e radhës vëmendja duhet të jetë më e madhe, veçanërisht për sulmuesin e tyre Robert Lewandowski. Duke qenë se prej vitesh luajmë bashkë, ia njoh aftësitë dhe në çdo moment ai mund të na ndëshkojë dhe për ta shmangur një gjë të tillë duhet që vëmendja të jetë maksimale”.
Më tej, Neuer foli dhe për idhullin e tij, portiertin e Kombëtares italiane, Gianluiggi Buffon”, u shpreh Neuer. Ai u shpreh me superlativa për paraqitjen e tij kundër Belgjikës. “E kam deklaruar gjithnjë se Giggi është një lider, jo vetëm për mua, por për çdo të ri që aspiron të ngelet në histori. Edhe pse 38 vjeç, ai vazhdon të ketë një rendiment të lartë”, tha ai.
Në fund, gardiani kampion bote foli dhe për skuadrën e trajnerit Antonio Conte. Ai u shpreh se, një Kombëtare si ajo e Italisë nuk mund të nënvlerësohet kurrë. “Personalisht, nuk i kam nën vlerësuar kurrë. Përpara takimit kundër Belgjikës, të shumtë ishin ata që i kritikonin, por në fushë u pa një skaudër solide, e cila mbron shumë mirë”, tha Neuer.
Nga na tjetër edhe Lewandowski është shprehur se nuk i trembet Gjermanisë. Polonia duhet të luajë pa frikë kundër Gjermanisë. I këtij mendimi është sulmuesi i Bayern Munchen, Robert Lewandowski. Bomberi është i vetëdijshëm që kundërshtari i radhës paraqet një rrezikshmëri shumë të lartë për të besuarit e trajnerit Adam NaWalka, por shton se mund të ndodh dhe çudia dhe të jenë polakët ata që do të hedhin një hap të sigurt për fazën me eliminim direkt të “Euro 2016”. Pavarësisht kësaj, Lewandowski paralajmëron skuadrën e tij se i pret një ndeshje e vështirë ndaj Gjermanisë dhe se përqendrimi duhet të jetë maksimal.
“Do të jetë një ndeshje speciale. E njohim mirë Kombëtaren e Gjermanisë, pasi jemi ndeshur dy herë me ta gjatë kualifikueseve. Sigurisht, që Pancerat janë favoritë, jo vetëm për takimin kundër nesh, por edhe për ta fituar këtë kompeticion. Por pavarësisht rivalit që kemi përballë, ne do të tentojmë të bëjmë maksimumin, pasi gjithçka është e mundur në një turne si ky. Duhet të ruajmë qetësinë gjatë ndeshjes dhe te jemi të kujdesshëm në çdo moment. Duhet të luajmë pa frikë dhe nëse ndodh kështu, jam i sigurt tek suksesi i skuadrës tonë”, u shpreh Lewandowski.
Mesazhi është i qartë, sulmuesi i Bayern Munich kërkon fitoren ndaj Die Manschaft. Polonia e nisi grupin C të Euro 2016 me fitoren 1-0 ndaj Irlandës së Veriut falë një goli të realizuar nga Milik.