Bayerni i Mynihut blindon portierin, Manuel Neuer. Gardiani gjerman ka nënshkruar një kontratë të re 5-vjeçare me klubin bavarez, duke e zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2021. 30-vjeçari që fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, u bashkua me Bayernin në vitin 2011 pas eksperiencës me Schalke 04. Ai numëron 248 ndeshje me kampionët e Gjermanisë, 3 tituj kampion dhe një UEFA Champions League. Neuer numëron 64 ndeshje me fanellën e Kombëtares dhe kontrata e re e nënshkruar me Bayernin e Mynihut, hedh poshtë zërat për tërheqjen e tij nga futbolli.
Me firmën e hedhur nga Neuer, shkon në 5 numri i lojtarëve aktualë të Bayernit që kanë pranuar të qëndrojnë në “Allianz Arena” deri në vitin 2021. Një gjë të tillë më parë e kanë bërë edhe Jerome Boateng, Thomas Muller, David Alaba e Javi Martinez. Fushata e rinovimeve që kanë nisur drejtuesit, synon hedhjen e themeleve edhe për vitet e ardhshme, duke u bazuar në organikën aktuale. Në këtë mënyrë, të mëdhenjtë e futbollit europian do ta kenë shumë të vështirë të shkëpusin lojtarët e ekipit bavarez. “Bild” shkruan ndër të tjera se, tashmë Pep Guardiola duhet ta braktisë idenë për ta transferuar portierin në ishull me Manchester City-n, pasi Neuer ishte një nga emrat në listën e katalanasit.