Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, në takimin me Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z Claus Neukirch, shpalosi mangësitë e thella që Reforma Territoriale në përmbajtjen e saj nuk ka përmirësimet ligjore për mirëadministrim të pushtetit lokal, por ka një përmbajtje shumë të thellë politike. Rasti i Bashkisë Kamëz është rasti më unikal i moszbatimit të ligjshmërisë. Qyteti i Kamzës është ndër qytetet më të reja në Shqipëri, por për nga rezultantja tregon se është Bashkia e 5-të për nga numri i objekteve prezente në territor si dhe i 6-ti për nga përbërja e popullsisë. Megjithatë, vështirësitë që paraqet implementimi i kësaj reforme në kushtet aktuale, politika e lidershipit si menaxhim institucional është mbështetur tek shfrytëzimi i kapaciteteve të Bashkisë si dhe krijimi i një rrjeti të gjerë partneriteti me aktorë të huaj dhe të brendshëm.
Mziu shprehu hapur bashkëpunimin e ngushtë që ka patur me Këshillin e Evropës, KFW, GIS, UNDP, USAID, si dhe organizma të tjerë prestigjoz. Gjithashtu sqaroi në këtë takim, se Bashkia Kamëz, është Njësia Administrative më e vogël për nga territori dhe me një densitet të madh të popullatës. Reforma në përmbajtje pati risi pozitive për rritjen e kompetencave lidershipit të qeverisjes lokale, por nga ana tjetër, ajo ka sjellë fokus negativ. Ndarja administrative, e solli Bashkinë Kamëz në aspektin gjeografik si një ishull, ku udhëtimi nga Shkodra bën që të hysh në territorin e Bashkisë Tiranë, më pas në Kamëz, Paskuqan e më pas në Tiranë. Ky është një shembull nonsens, ku vërtetohet se reforma ka përmbajtje të thellë politike.
“Në aspektin financiar, kur bëhej përllogaritja për ndarjen e Grandit qeveritar, në kohën e Qeverisë së PD-së,75% e këtij grandi jepej në fillim të vitit dhe vetëm 25% jepej për projektet. Ndërsa sot 52% e grandit jepet me projekte dhe 48% drejtpërdrejtë. Bashkitë e majta për vitet 2015 dhe 2016 kanë marrë 5770 lekë/banorë, ndërsa bashkitë e djathta vetëm 1770 lekë/banorë.
Një banor i Kamzës për vitet 2015-2016 ka marrë 33.5 herë grande më pak se një banor i Tiranës. Në 4 vite kemi aplikuar 150 projekte me standarde evropiane dhe 0 lekë të financuara nga kjo qeveri. Janë paraqitur projekte për investime në rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, kopshte, çerdhe, gjelbërim, etj., dhe asnjë investim për Kamzën. Janë rreth 1210 km rrugë në inventarin e Bashkisë Kamëz, ku 20 apo 30 km prej mund të trajtoheshin me statusin e rrugëve nacionale për investim, por 0 investime”, nënvizoi kryebashkiaku Mziu. Veç të tjerash, Bashkia Kamëz nga taksa e biznesit të vogël ka marrë 118 herë më pak se Bashkia Tiranë dhe 6 herë më pak se Bashkia Vorë.