Neveri nga këta karagjozë pazarxhinj e të pacipë që paguhen si deputetë me paratë tona dhe dalin pronarë të Shqipërisë

Nga Ardi Stefa

Neveri nga këta karagjozë pazarxhinj e të pacipë që paguhen si deputetë me paratë e mia/tonat!

Uroj që ndryshimi të vijë!
Shpresoj te ndryshimi, që mund të vijë!
Dua që ndryshimi të vijë!

Besoj se Drejtësia e Re, edhe pse me vonesë, do ta pastrojë politikën.

Shpresoj që të zhduken nga ai parlament një dyzinë karagjozësh e palaçosh, që marrin guximin e dalin edhe nëpër ekrane.

Ata që quhen ligjvënës.
Ata që paguhen me paratë e mia.
Unë shqyhem e punoj 2 punë, 12- 14 orë në ditë, mezi bëj një ditë pushim në javë dhe paguaj 25% të pagës time taksë.
Pushimet kam vite që i kam harruar…
Dhe si unë shumë…

Me paratë e mia dhe tonat paguhen këta palaço dhe qelbësira, që na tallin e përqeshin, që nuk dinë të lidhin asnjë fjalë, që fjalorin e kanë me gjithsej 100 fjalë, që bëjnë biznes me mandatin e deputetit dhe që me errin sytë kur i shikoj.
Gjasme bëjnë politikë dhe ankohen për mungesën e demokracisë.
Dhe bëjnë revolucione duke përmbysur karrige e ndezur flakadanë, ndërkohë që ligjet që ndikojnë direkt te ne kalojnë për 5 minuta.
Dhe hipin majë kolonave prej hekuri për t’u hequr trima e shajnë me fjalor rruge skandaloz. Dhe mburren…
Dhe nga rruga e qorrsokakut ku na futën ankohen për cilësinë e Demokracisë e Drejtësisë.
Dhe përnatë me arrogancë e pa asnjë brerje ndërgjegjeje shqyejnë nga një copë Shqipërie!

Me paratë e mia e tonat vjedhin e grabisin pronat, mundin e djersën e të parëve tanë dhe dalin pronarë të Shqipërisë!

Me paratë e mia blejnë mediet, analistët e kohën televizive për të na shplarë trurin.

Me paratë e mia na tallin e përbuzin.
Me paratë e mia e tonat marrin pushtetin që u jep pasurinë për të bërë shopping bulevardeve të Londrës, Parisit apo Milanos.

Me paratë e mia këta paguhen pesë herë më shumë se unë dhe dhjetë herë më shumë se pensioni i prindërve të mi.

Me paratë e mia këta kanë të drejtë të marrin edhe pension suplementar kur të dalin në pension, që do të jetë sa pesëfishi i pensionit tim.

Me paratë e mia dhe tonat blejnë vila, ndërkohë që unë vështirësohem të paguaj qiranë dhe të nxjerr muajin. Edhe ju!

Këta palaço kanë të drejtë edhe të kurohen jashtë vendit, po me paratë e mia, kur t’u rrezikohet shëndeti, ndërsa prindërit e mi dhe tuajët as analizat nuk bëjnë dot më në shtet, por u ikën i gjithë pensioni në analizat e laboratorëve privatë dhe në ilaçet me cilësi të dyshimtë apo pa asnjë cilësi.

Me paratë e mia biznesmenja e “shtresës së mesme” paguan 600.000 euro shpenzime për vizita mjekësore jashtë shtetit.

Po me paratë e mia këta studiojnë fëmijët e tyre jashtë dhe ankohen për cilësinë e arsimit në Shqipëri!

Po me paratë e mia, këta kanë të drejtë të marrin edhe kredi të buta nga shteti, po të buta fare, pa interes, për të blerë shtëpi. Madje edhe t’u falen vila për ndryshime ligjesh. Ne paguajmë kreditë e bankave që na thithin gjakun, derisa t’i mbarojmë.

Po me paratë e mia, të 140-ët, vrasin përditë shpresën dhe shpopullojnë frikshëm Shqipërinë.
Dhe, me arrogancën e vanitetin e tyre, mendojnë se janë të paprekshëm!

Ndaj zgjidhje urgjent!
Dhe urgjent shqiptarë, në këmbë, të gjithë.
T’i jepet fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë!
Të mbështesim Drejtësinë e vërtetë dhe të hiqen të gjitha privilegjet që deputetët gëzojnë me ligj.

Sepse nuk meritojnë as një lek nga paratë e djersës tonë, le më privilegje.

Sepse nuk meritojmë të vidhemi, grabitemi, dhunohemi e të na fyhet inteligjenca më.

(Monologu i përjavshëm i së shtunës)

Exit mobile version