Nevoja për llogaridhënie

Nga Agim Baçi

A mund të bëjë gjithçka një qeveri, nisur vetëm nga fakti se është votuar nga shumica? Politologu dhe esteti britanik Roger Scruton ishte i idesë se përveç rezultatit zgjedhor, një qeveri duhet ta qëndrojë si e pranueshme për publikun duke funksionuar përmes një shpirti publik dhe një komunikimi me qytetarët – një komunikim ku të mos synohet që ndaj tyre të krijohet vetëm bindja apo që ndaj tyre të funksionojë vetëm marrëdhënia demagogjike. Sipas Scruton, qeveria duhet të rrëfehet jo vetëm për atë që dëshiron, por sidomos për atë ç’ka bën bazuar në ligje në punën e saj.
Por idetë politike të Scrutonit për një qeverisje me shpirt publik, që jep llogari për atë që bën, janë të kërcënuara sot fuqimisht nga makiavelistët në pushtet dhe ata që aspirojnë të marrin pushtetin, të cilët, në vend të llogaridhënies aplikojnë vetëm frikësimin, shpifjen dhe bindjen.
Po të shohim më vëmendje, ngado pushteti ka fokusuar llogaridhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë me frikësimin apo ndëshkimin e kujtdo që mendon ndryshe, duke kërcënuar kështu jetën në mënyrë të dinjitetshme. Madje, gati në mënyrë të hapur, politika sot, në vend të paraqitjes së alternativave është munduar t’i zhdukë ato. Për të arritur zhdukjen e alternativave është përdorur zëvendësimi i informacionit me bindjen, duke e bërë të vërtetën gjithnjë e më të pavend në debat. Për pasojë, në vend të përpjekjes për ndryshim, shumica e qytetarëve mbeten peng vetëm i gjendjes së pakënaqësisë pa provuar se mund të ndryshojnë.
Në Shqipëri, fatkeqësisht të parët që ngurojnë për të kundërshtuar një politikë të ushtrimit të frikës dhe bindjes, një politikë pa llogaridhënie dhe alternativa, janë ato pjestarë të shoqërisë që njihen me emrin intelektualë, të cilët më së shumti njihen vetëm për frazat demotivuese- “Ne nuk bëhemi”, “ne nuk dimë”, “ne jemi të paaftë”, “ne nuk ndryshojmë”.
Kështu, nën pushtetin e kulturës së frikës, intelektualët kanë shmangur përgjegjësitë individuale për të kërkuar rrugëzgjidhje më të mirë politike dhe sociale, duke nisur nga kurajo e tyre personale që duhej të kishin treguar për të ngritur zërin mbi gjendjen në shoqëri dhe qeverisje. Madje edhe më keq, intelektualët prej kohësh janë kthyer në një skelet ideologjik të pushteteve, duke shtuar edhe më shumë frikën se shoqëria shqiptare nuk ka arritur të shkëputet nga amullia njerëzore e dehumanizimit nën diktaturë, ku për mbijetesë askush nuk e kishte problem t’i thoshte të bardhës të zezë e të zezës të bardhë.
Ky kompromis i vazhdueshëm i qytetarëve më kulturën e frikës dhe të bindjes ka zhdukur prej kohësh guximin për t’u kërkur llogari atyre që i votojmë, atyre që u japim pushtet.
…Ne kemi nevojë për shpirtin publik dhe llogaridhënien e atyre që na drejtojnë. Por për të kërkuar një gjë të tillë nevojitet që, më së pari, të mos ja hapim krahët frikës, por ta refuzojmë atë, nëse ende dëshirojmë që të rrisim fëmijët me dashurinë për këtë vend.

Artikulli paraprakHumbje të rënda për Korenë e Veriut në Ukrainë, qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur
Artikulli tjetër23 Dhjetor 1989:Themelimi i LDK dhe fillimi i pluralizmit në Kosovë (DOKUMENTE)