Nga Gjergji Nika
Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë ngre alarmin mbi situatën e rënduar financiare në Bashkinë Vlorë. Brenda një periudhe katërvjeçare, pesha e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore ka pësuar një rritje të frikshme, nga 38% në 54% të buxhetit total.
Kjo rritje është rezultat i një organigrame të fryrë në mënyrë të qëllimshme, pa u mbështetur në nevojat reale të qytetarëve apo në një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen.
Në vitin 2015, shpenzimet për personelin përfaqësonin vetëm 18.5% të buxhetit të bashkisë, ndërsa sot ato kanë arritur nivele të papranueshme, duke rënduar financat vendore dhe duke kufizuar në mënyrë drastike investimet që i shërbejnë qytetarëve. Për 8 muajt e parë të vitit 2024, investimet përbënin vetëm 9% të shpenzimeve totale, një shifër që bie ndesh me nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve të Vlorës.
Sot, qytetarët paguajnë më shumë taksa dhe tarifa, por marrin më pak shërbime. Në vend që të përmirësohen shërbimet, buxheti po përdoret për të mbështetur një administratë të fryrë, e cila në shumë raste shërben si rrjet për militantizmin politik dhe jo për të përmbushur funksionet publike.
Ne konstatojmë që bashkia Vlorë ka nevojë për reformim, pasi ndodhet përpara kolapsit financiar.
Kjo situatë është pasojë direkte e vendimeve të papërgjegjshme të këshillave bashkiakë ndër vite, të cilët kanë miratuar propozimet e kryetarëve të bashkive pa i analizuar thellësisht ndikimet financiare dhe pa vënë interesin e qytetarëve në qendër.
Këshillat bashkiakë duhet të jenë struktura të pavarura, me përgjegjshmëri kushtetuese për të kontrolluar dhe kufizuar abuzimet me burimet publike.
Fryrja e organigramave për qëllime elektorale dhe për të mbajtur premtimet e fushatave është një abuzim i hapur ndaj besimit të qytetarëve. Në vend të hapjes së vendeve të punës në administratë, duhet të krijohen mundësi për zhvillimin e sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke nxitur investimet.
Kërkesat tona për të ndëmarrë reforma janë të qarta, konkrete dhe të realizueshme. Mjafton të ketë vullnet nga kryetari i bashkisë dhe gjendja mund të përmirësohet ndjeshëm.
Ne ofrojmë propozimet tona për të parandaluar kolapsin financiar të Bashkisë Vlorë, si më poshtë:
1. Reduktim i numrit të punonjësve dhe rritje e eficiencës. Administrata e bashkisë duhet të strukturohet bazuar në nevojat reale dhe jo në interesat elektorale.
2. Prioritizimi i investimeve publike. Buxheti i bashkisë duhet të fokusohet tek përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët.
3. Luftë kundër korrupsionit. Transparenca dhe përgjegjshmëria janë parakushtet për të ndaluar abuzimet me burimet publike.
4. Rritja e autonomisë vendore. Vendimet për punësime dhe investime duhet të bazohen në interesin publik dhe jo në ndërhyrjet nga qeverisja qendrore.
Ne si grup këshilltarësh angazhohemi të veprojmë në mënyrë të vendosur për të ndaluar keqmenaxhimin e buxhetit dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Vlorës. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë që të ndalojnë abuzimet dhe të vendosin interesin e qytetarëve mbi interesat personale apo partiake.
Mosveprimi sot do të çojë Bashkinë e Vlorës drejt një kolapsi financiar me buxhetin e vitit 2025, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët tanë.