“Nexhmija tha se i prishej lëkura”- Maska mortore e Enver Hoxhës, kush e ideoi dhe ku ndodhet ajo sot! Çfarë ndodhi një javë pas vdekjes së ish-diktatorit komunist

BEN ANDONI/ Nuk flet më. Ka kohë që duhet të jetë diku, ku në tokën e tij nuk e deshifrojnë dot. Shumë e kanë dërguar në Ferr, ndërsa të tjerë, po me aq siguri në Parajsë. I fundmi Karonti, që mund të japë një përgjigje të saktë, është i paperceptueshëm…ashtu si edhe imazhi i fundit në allçi i tij, përgatitur nga duar artistësh.

maska enver hoxha nexhmije hoxha

Me kujdes e marr maskën e tij të vdekjes dhe dorën ia vendos po me aq kujdes anash. Kaq ka mbetur nga materia e Enver Hoxhës. Kaq dhe asgjë më shumë. Por, ndoshta e mjaftë për të hipotezuar se kjo ishte një rrugë, që njerëzit rreth tij… e menduan se do e paqtonte me Zotin…Ndërkohë kam arritur në portën e hapshme të muzeut, pas kalimit të disa dyerve syresh, ku më kot jam munduar të gjej maskën mortore të Enverit. Për fat, kartelat që shfleton indiferent një “magazinier” i fundit… na japin udhën: “Ah… ja ku qenka”, – thotë ftohtas. Sikur të flitet për një gjë krejt pa rëndësi, burokrati më lëshon një sërë justifikimesh pafund. Por, ajo është. Është matrikulli 3786… në Muzeun Kombëtar.

RETROSPEKTIVA

“Unë u propozova që Maska duhej të përgatitej shpejt – kujton Muntaz Dhrami, skulptori para të cilit ai pozoi shpesh në të gjallë dhe njeriu që u ngarkua t’i merrte maskën mortore. Nuk ramë dakord sepse Nexhmija na tha se i prishej lëkura, ndërsa ne duhet të kishim kontakt me portretin e tij. U thamë që nuk prishet lëkura, ndërsa ata vazhdonin të këmbëngulnin që prishet dhe… Sulo (Gradeci) pastaj na komunikoi që ajo do merrej pasi të mbaronin homazhet . Kaloi një javë që u bënë homazhet. Ndërkaq trupi degradohej dhe fytyrës i iknin ato tiparet karakteristike. Në fund, ditën që do merreshim me maskën, pamë se ishte transformuar fizionomia e tij. Format kishin ndryshuar, ndërsa hunda e kishte humbur profilin e vet, çdo gjë ishte jashtë karakterit, por ne e morëm maskën”, – përfundon skulptori 70-vjeçar që nuk di më nga ajo ditë të jetë folur për maskën e Enverit. Në fakt, maska mortore nuk i hynte më në punë. Të paktën atij, para të cilit kishte pozuar shpesh… Të ishte thjesht një trill i liderëve komunistë për përjetësinë në mendjen e njerëzve apo thjesht një paqtim. Në vitet paslufte, dikush nga skulptorët shqiptarë kishte sjellë kopjen në Tiranë të maskës mortore të Leninit. Duhej të jetë ende në shtëpinë e njërit prej artistëve të kryeqytetit, ashtu si shumë syresh në gjithë Lindjen. Dëshira e njerëzve mbetej deri në përjetësimin material, sepse sa për atë shpirtëror nuk pranohej…Të paktën në dukje. Paçka se para vdekjes, komunistët ktheheshin si gjithë të tjerët, frikësuar në kulm…nga ankthi i amshimit.

“…Kur vdiq Fishta, na françeskanët patëm thirrë nji jezuit italjan, Fr. A.Sala, që ishte skulptor; ai i nxuer maskën mortore, të cilën na e pruni në dy kopje allçije. Prej tyne, një ish nxanës i liceut tonë, Tomë Leci, pat nxjerrë kallëpin nga i cili punoi edhe gjashtë copë të tjera, të cilat i shpërndamë ndër miq e dashamirë për t’i ruejtë, mbasi pushteti “i ri” përpiqej me zhdukë çdo gjurmë të Fishtës, e jo ma maskën e fytyrës së tij”, kujtoj fjalët e At Zef Pllumit , një prej pak të mbeturve gjallë nga njerëzit që e kanë njohur Fishtën. Por, françeskanët luftonin dhe e dinin se maska ishte më shumë se maskë…ajo përbënte vetë landën, ku ishin pjesëzat e shpirtit të poetit. Pse jo edhe mbrojtjen materiale e tokës ndaj tyre. Ishin kohë të këqija, për njerëzit e Zotit. E kush mund t’i zhdukte këto pjesëza… Ndaj, në dukje, askush nuk “kujtohej” për to.

MASKA E ENVERIT

Në fakt, pak kujtohen edhe sot për maskat mortore. Ndërsa, drejtorët e Institucioneve Qendrore, thjesht habiten dhe askund nuk bën përshtypje kërkesa për gjetjen e tyre. Madje, as njerëzve, që e kanë ndër ruajtje. “Ah…pa ta shohim edhe njëherë!”, reziston sërish njeriu i muzeut. I tejngathët, burokrati të radhës, para të cilit kam mbetur- duket se as nuk i bën aspak përshtypje, ekzistenca e maskës mortore të Enver Hoxhës. Është përgjegjësi i një biçim mini-arkivi, ku me elementë sigurie të shkallës së lartë, ruhen disa nga reliket e personazheve VIP të historisë shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar. Por, nuk i bën përshtypje ky rol, veçse ka gjëra interesante në dorë. Kërshëria ime mbetet në përpjesëtim të drejtë me indiferencën e tij. E përfytyroj si rojtarin e Kafkës, por kjo nuk më ndihmon, që t’i deshifroj ftohtësinë e frikshme. Jam në dëshirën e tij ose më thjesht nën autoritetin e begenisjes së tij. E këtë burokrati e di mirë. Prej javësh mundohem të bëj një research për maskat mortore të shqiptarëve. Por ajo më rezulton e pafat. E di se kjo traditë tejantike është përcjellë me besnikëri deri në ditët tona. Dhe, më shumë sesa besnikërinë ndaj të parëve thjesht e hamendësoj falë dhe leximeve- si një ruajtje nga zemëratat e Zotit të madh. Francezët e Revolucionit nga anatema shkallmuan gjithçka duke përfshirë dhe maskat e të parëve të tyre, ndërsa anglezët sqimatarë deri në fund ditën të ruajnë… Me këtë logjikë, mundohem të ndjek këtë rit sesi ka qenë në Shqipëri. Kam dëgjuar se ka ekzistuar maska e Avni Rustemit, di përpjekjen e françeskanëve për të pasur të ruajtur imazhin mortor të Gjergj Fishtës dhe më pas…përpjekjen e disave prej liderëve komunistë…Koha dhe kërkimi sërish nuk mjaftojnë. Ca më shumë, njerëzit që mund të thonë diçka. Për Mbretin nuk thonë asgjë. Askujt, qoftë edhe etnografëve tanë- duket se nuk i intrigon shumë qenësia dhe domethënia e maskave, të paktën e komunistëve. Jo çuditërisht, kujtesa të përçon direkt në librat e Hoxhës, që bajagi ruajnë një gamë të gjerë titujsh, ku Zoti shpesh nuk është argument i dorës së dytë dhe që duket nuk kanë qenë thjesht stoli në bibliotekën e tij. Të ketë pasur frikë Enveri nga Providenca?! Këtë askush nuk e di, por që Zoti ka qenë ide që atë e grishte nuk ishte e re. Me anatemën “de jure”… por nga ana tjetër dhe me kujdesin “e rastësishëm”… E tregojnë të skandalizuar Hoxhën për prishjen e Kishës së madhe të Vaut të Dejës (një nga trashëgimitë e pakta të periudhës romanike), paçka se nga ana tjetër nuk i bëri përshtypje fare shkatërrimi i një sistemi…të tërë fetar. Nga ta dish më…

MUNDIMI PËR…

Nga kjo gamë mendimesh të zgjon, ruajtësi mortor i tij. “Ja ku është”-e shoqëron veprimin e tij duke marrë plastmasin e pastër, që ka mbështjellë maskën që gjendet brenda një kutije… Enveri prehet symbyllazi. E këtë pozicion e ruan edhe mbi copëzën, që ia shtrojmë për t’i bërë kontrast, punimit në allçi. Këtë kujtoj, teksa punonjësi i Muzeut ka formuar kodin dhe ne futemi falë numrit të protokollit 3786. Ka qenë i vetmi element, që të identifikojmë sakaq Enverin strehuar në një kuti të thjeshtë kartoni. “Të ishte pak më andej…unë s’kam kohë…sepse më duhej të lëviznim”, më thotë me një aradhë fjalësh tutkuni burokrati, që unë e vlerësoj për skrupulozitetin. Teksa ai bën fjalë, unë i bëj vend Enverit. I rregulloj maskën, dorën ndanë dhe filloj fotografimin…

Kujtoj se kam kërkuar njëkohësisht me insistim dhe maskën mortore të Mbretit, por një premtim i stërgjatë…ka mbaruar me një përgjigje diplomatike të Zëdhënësit të Oborrit: “Nuk kanë gjë këtu. Nuk dihet gjë as në Paris”…Sikur të me ketë lexuar mendimin, burokrati i ri që kam përballë i Muzeut Kombëtar…më shpalos sakaq një dyzinë arsyesh për të mos fotografuar, por në fakt njerëzit e Muzeut janë kortezë. Të gjithë mbarojnë në një drejtim vektorial: Nuk bëhet! I kënaqur që begenisja shkon me fatin, ai kënaqet me telashin tim. Gruaja me të cilën kam ndarë shoqërinë dy orë më parë në Qendrën Ndërkombëtare (ku i shikoj më të tkurrura gjërat e Enverit, krahasuar me vite më parë- për të kërkuar Maskën funebre të Enverit) kanë rezultuar të pafata. Kam kërkuar me të në një nga qelat moderne të Piramidës, por pa bërë gjë. Kemi parë së bashku mes flamujve të mbetur, pambuqeve dhe fashave të kufomës, që rrethonin dikur arkivolin e tij. Pa rezultat sërish. Derisa një moment gruaja kthjellohet. “Ah…kemi dërguar disa gjëra në muze. Do shikojmë daljet. Atje duhet të jetë në Muze”. Ngaqë kisha ditë që e kërkoj maskën e Enverit, nuk i shfaq më shpresë. Por gruaja këmbëngul. “Do e gjesh më thotë”…me një dashamirësi, që unë e përkthej pak me keqësi, si heqje qafe. E njëjta “dalje” më është bërë në fakt dhe nga Arkivi i Shtetit. Por bindem, pavarësisht gjykimit dhe kthimit negativ se në botë nuk ka vetëm gënjeshtër. “Pse doni të bëni scoop me Enverin”, kujtoj fjalën e drejtoreshës së Arkivit, Znj. Nevila Nika, që është stepur disi. Në fakt, nuk dua të bëj scoop, por thjesht të tregojmë një ritual, që nuk i kanë shpëtuar dhe liderave të vendit. Por kjo është vështirë. Madje, kur flitet për Enverin vetë edhe më e vështirë. Dhe, për të treguar se nuk ka qenë thjesht pjesë e protokollit të kohës…akoma më e koklavitur. Maska e stilizuar e kokës së të famshmit Kara Mahmut Bushatliu, më ka shërbyer disi si argument. E kam parë në Cetinjë, dhe me kokën e tij është fillesa e çdo kërkimi për maskat. Malazezët me krenarinë e tyre, pak si shumë të stisur, e kanë shkruar pashai turk Kara Mahmut Bushatliu. “Po të ishte turk, nuk do ishte Kara (i zi-fermanli)”- jam munduar t’i shpjegoj cicerones në Cetinjë, por dukshëm, pa i ngjallur dhe vëmendjen më të vogël. Maska e vdekjes së Kara Mahmutit, që Faveirali e rrëfen në formën sesi Vladika i Malit të Zi ua tregonte miqve 2 shekuj më parë, më ka mbetur ngulur thellë në mëndje. I stilizuar dhe me një sqimë të këndshme, që e tregonte pas një mjekre rreth gojës alla-mousquetaires, ai prehet në muzeun e malazezëve…Ndërsa, mbetet kaq e vështirë t’u mbushësh mendjen njerëzve, ca më shumë atyre, që kanë lidhje me Arkivin për maskën e Enverit. “Sot po e dëgjoj për të parën herë”, – më thotë znj. Nika, një punonjëse e vjetër e Arkivit, duke më përcjellë e qetë”. Pak javë më vonë, e gjetëm veten në qerthullin për të gjetur dhe maska të tjera. Në një farë mënyre një përpjekje për të treguar sesa lidhja vdekja zotëron pak në jetën e gjallë…

PËR MASKAT E VDEKJES

Ajo që përcjellin librat është e thjeshtë. Ndërsa tek ne bërja e Maskës ka qenë një kulturë relativisht e re, ajo ka qenë shumë e rëndësishme në qytetërimet, ku kultura e varrimit mbetej e rëndësishme. Maskat antropomorfike kanë qenë përdorur shpesh në ceremonitë, që shoqëronin vdekjen dhe ikjen e shpirtit. Maskat funerale bëheshin menjëherë sa vdiste njeriu dhe ishte një detyrë për kristianët, që bëhej fill pas marrjes së kungatës së fundit. Përgjithësisht, qëllimi i tyre ishte përfaqësimi sa më i mirë i karakteristikave të të ndjerit, qoftë për ta nderuar, por edhe për të vendosur një lidhje përmes maskës me botën e shpirtrave. A mund ta ketë lënë si amanet Enveri apo ka qenë një ritual “i sforcuar” i njerëzve që e kanë rrethuar…Askujt nuk i ka hyrë më në punë ajo, dhe po të ishte për detyrën që ajo t’i mbetej artit, ajo do kryhej menjëherë, ndërsa ashtu si një ritual ajo është bërë në fund të ditëve të homazheve, kur e kishte humbur gati çdo funksion?! Historia, realizimin e maskës- e përmend si një fakt, që ka të bëjë me realitetin se ato janë përdorur për të detyruar shpirtin e të sapovdekurit që të nisej drejt botës së shpirtrave. Por, maskat janë përdorur që edhe të mbronin të ndjerin nga frika e marrjes së shpirtit të tij nga shpirtrat e këqij… Dhe, Enveri…

INTERMEXO- KTHIM NË HISTORI

Që nga Mbretëria e Mesme-kohë që përfshin kohën nga 2040 deri më 1786 përpara Krishtit dhe deri në shekullin e parë pas Krishtit, egjiptianët përdorin maskat e stilizuara me tiparet gjithsesi të përgjithësuara mbi fytyrën e të vdekurit. Maska funerale shërbente dhe si një guidë e të ndjerit, që ta kthente shpirtin e tij në vendin e amshuar. Ato janë bërë zakonisht me një rrobë që mbulohej me stuko apo pjesë plastike, që pastaj pikturoheshin. Faraoni Tutankahmon, 1350 vjet para Krishtit ka pasur një maskë të mrekullueshme, që ruhet ende. Një e tillë gjendet dhe në varret e kulturës mikenase, por edhe në perandorë të Lindjes…Por, ato janë edhe më tej në vende, që s’kanë lidhje me Euro-Azinë e sotme … Shumë nga maskat mortore të kulturës të Andeve kishin pjesë të heqshme… Njësoj ashtu edhe meksikanët antikë dhe kulturat e tjera… Në Romën e Lashtë, maska e të ndjerit mbahej nga një aktor, që shoqëronte korteun mortor. Kurse familjarët i përdornin ato edhe në kohën, kur kishte festime familjare. Të punuara me dyllë, ato punoheshin me kujdes mbi fytyrën e të vdekurit. Një teknikë për bërjen e maskave ekziston edhe për familjet mbretërore dhe fisnikërinë e Evropës nga Vitet e Mesjetës së Hershme përmes shekullit të XVIII.

FUNDI

Kështu merr jetë dhe përpjekja e maskës. Me pak fjalë, teksa fotografoj, kam mundur ti tregoj njeriut të muzeut se kjo maskë e ka një farë rëndësie, paçka se Ai mezi pret pas kurrizit tim, që unë të zhdukem një orë e më parë. Ashtu si orë më parë, kjo nuk i ka bërë përshtypje edhe një gruaje të re me theks verior. “A.. akoma me Enverin ti më thotë”… Më shkon huq një shpjegim i stërgjatë që bëj për Kara Mahmutin, që e kam pasur si arsye – mburojë…Gjithsesi kujtoj të bëj foto nga të gjitha anët…për Enverin. Nuk do e shoh më… Por duket se nuk mjaftojnë. Replika e tipareve të tij është larg përfytyrimeve të “Komandantit”, ndërsa, ai vetë tashmë ka mbetur në një kohë, që ne vdekëtarët nuk e kthejmë dot. Enveri vetë nuk sheh asgjë, por heshtazi është i paqtuar dhe qëndron mbi fundin e një cohe të zezë- i disiplinuar dhe i paqtë. Kjo figurë te kujton pak se ajo maskë nuk i hyn në punë askujt, veç të ndjerit. Madje edhe burokrati, që mezi më ka hequr udhë në mbretërinë e tij duket se bindet në fund. Duhet ta ketë prekur shumë herë, pa e ditur se ajo maskë ka lidhje me Enverin. “Ajo maska ashtu si u mor, nuk do kishte vlerë dhe nuk është shfrytëzuar, ndaj askush nuk e kërkonte më. Qoftë edhe skulptorët. I pari që mund ta kërkoja isha unë, që do bëja monumentin, por vetë kisha vizatuar për së gjalli, më kujtohen fjalët e Dhramit. Nga kufoma nuk mbeti asgjë nga freskia e vizatimeve dhe e karakterit të tij”. Në fakt, mbeti kjo kujtesë për tu treguar njerëzve fundin e tij dhe më shumë ndoshta…atë që nuk është thënë kurrë paqtimin e vonuar me Hyjninë…para të cilës ai po i dorëzohej pa zë, pas një jete të stërmundimshme, që kishte përcjellë kundër Mbretërisë së Qiellit nga toka…

Fshhshhhhhhff… Maska është futur në qese me kujdes nga burokrati, që ma bën me kokë të largohem, ndërsa kjo zhurmë e mbytur më shërben që ti jap fund përpjekjes sime…ashtu si edhe Enveri të prehet sërish sakaq në vendin e tij. Secili në punë të vet në këtë vjeshtë të 2006..

SI U PUNUA MASKA E ENVERIT MUNTAZ DHRAMI-SKULPTORI I TIJ

“Më thanë mua që të bëj maskën e Enverit. U propozova që ajo duhej të bëhej shpejt. Nuk ramë dakord sepse Nexhmija na tha se i prishet lëkura, ndërsa ne duhet të kishim kontakt me portretin e tij. Insistova por ata pretendonin se prishej lëkura. Ne u thamë që nuk prishej lëkura, ndërsa ata vazhdonin të këmbëngulnin. Sulo (Gradeci), pastaj, na komunikoi që kjo do të bëhej, por pasi të mbaronin homazhet . Kaloi një javë që u bënë homazhet, ndërsa trupi degradohej dhe fytyrës i iknin ato tiparet karakteristike. Në fund, atë ditë që do merreshim me maskën, ishte transformuar fizionomia e tij. Format ishin ndryshuar, hunda e kishte humbur profilin e vet dhe çdo ishte jashtë karakterit, por ne e morëm maskën. Meqë ishte një urdhër i tij, e përgatitën dy mjeshtra. Ishin Agim Zela dhe Dilaver Kamberi. Punuan me kujdes. Unë isha si mbikëqyrës sepse ata djem të ishin vetë mjeshtra. Kishin bërë maska edhe të njerëzve të tjerë. E dinin atë punë, ndërsa unë vetë nuk e dija atë punë. Kështu doli ajo punë nga dora e këtyre formatorëve. Ata ishin mjeshtra, sepse kishin bërë detaje dhe të njerëzve të tjerë. Se ku iku më pas, ne nuk dimë asgjë. Por, ajo maska ashtu si u mor, nuk do kishte vlerë dhe nuk është shfrytëzuar dhe askush nuk e kërkonte më. Qoftë edhe skulptorët. I pari që mund ta kërkoja isha unë, që do bëja monumentin, por nuk më duhej sepse kisha vizatuar për së gjalli. Nga kufoma e tij nuk mbeti asgjë nga freskia e vizatimeve dhe e karakterit të tij”.

DHRAMI: ISHTE NJË PERSONAZH I KËNDSHËM

“Ka pozuar në Drilon. Ishte i këndshëm. I vështirë pak si tip. Ndërtonte bisedë komode dhe ngaqë ishim gjirokastritë… bënim humor, sepse ai e kuptonte humorin. Nganjëherë na ikte nga pozicioni, por na e kthente kur e kuptonte se: kur plaket njeriu bëhet pak më i heshtur… I kujtova një histori me një oficerin e vet që më tha ta bëja të bukur, dhe ai ma ktheu me një poezi, që kishte bërë një vajzë për Viktor Hygoin dhe që thoshte se çdo moshë ka bukurinë e vet. Në fakt në varrezë, kur shkoi me ushtarakët ishte shumë impozant. Kujdes me vizat se do më bësh si Mao Ce Duni- më qeshte. Një herë tjetër bëra një vizatim dhe më doli më tepër tek sytë…Nuk e kisha llogaritur mirë. Mora një letër nga pas dhe një letër tjetër më vonë. Ai e pa…Mirë, më tha. Por duket që je gjirokastrit se e ke bërë me tre letra…Nuk më doli letra-u justifikova. Ishte një burrë me kulturë dhe ndërtonte biseda interesante. Ndërsa, Vilsonit (Kilica) që do bënte një tablo për Enverin, iu kthye me një bisedë për mozaikun duke i folur për ato të Ravenës dhe të Venecias sepse e dinte që ai po punonte për atë Mozaikun e madh në muze. Nuk i lexoi natën dhe na i tha në mëngjez… Janë pesë me hiç ato që thonë se është pa kulturë… dhe pa shkollë…?!”-ngre pak zërin ai.

MASKA E VDEKJES

Maska e vdekjes është një masë e punuar plastike ose dylli, e cila i bëhet një njeriu menjëherë pas vdekjes. Maskat e vdekjes mund të paraqesin momentin e fundit të jetës dhe në fakt realizohen për të krijuar portretet më pas nga artistët. Kjo të bën që të identifikosh lehtë sot -pikturat që janë bërë duke u mbështetur mbi maskat e vdekjes, për arsye të prekjes karakteristike të tipareve, që shkaktohen nga pesha e masës plastike, gjatë bërjes së përzierjes. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ka qenë e përbashkët për maskat e vdekjes që të përdoreshin si pjesë e paraqitjes së të ndjerit dhe në funeralet shtetërore. Gjatë shekullit të XVIII dhe XIX ato janë përdorur në mënyrë të vazhdueshme për të regjistruar karakteristikat e trupit me qëllim identifikimi. Kohë më vonë, ky funksion është zgjidhur me anë të fotos. Aktori Tor Johnson, p.sh. është subjekt i njërës prej maskave më të famshme të gjithë kohërave. Ngjashmëria e tij është përdorur në maskën universale të Halloween dhe duket se mbetet ende një nga më të përdorshmet, edhe sot e kësaj dite. Një thënie tregon se modeli i tij është punuar mbi maskën e tij të vdekjes. Të tjerë mendojnë se është bërë në një nga momentet e filmave të tij të horrorit. (Marrë nga Wikipedia)

KUSH E KA PASUR TJETËR MASKËN NË SHQIPËRI

Përveç maskës së Kara Mahmut Bushatliut, që ruhet në Muzeun e madh historik të Cetinjës, nuk ka referenca të shumta për maska të tjera. Por ruhet mirë, ajo e ish liderave të socializmit Alqi Kondi, Gogo Nushi, Hysni Kapo, ndërsa flitet se janë dhe ato të Gjergj Fishtës dhe Avni Rustemit…

MASKA E ENVERIT

Ajo ka numrin e matrikulimit 3786 dhe është në objektet që prehet në dhomën e objekteve të veçanta të Muzeut Kombëtar. Në një kuti të zakonshme kartoni e mbështjellë me plastmas së bashku me pëllëmbën e dorës së djathtë. Janë punuar me allçi nga dy mjeshtra. Ishin Agim Zela dhe Dilaver Kamberi, kujton skulptori Muntaz Dhrami.

Exit mobile version