Tashmë është zyrtare, Neymar dhe Barcelona do të ndjekin të njëjtën rrugë deri në vitin 2021. Klubi katalanas ka arritur marrëveshjen me sulmuesin që ishte vendosur në shënjestër të disa prej klubeve më të pasura të planetit. Lajmin e konfirmon vetë braziliani, i cili shkruan në profilin e tij në Twitter se është shumë i lumtur që do të vazhdojë te Barcelona ku po përjeton një ëndërr. “Rroftë Barcelona, Rroftë Katalonja”, e përfundon komentin e tij sulmuesi i Selecaos që në këtë mënyrë u jep fund zërave për një largim të mundshëm nga skuadra spanjolle. Kontrata e vjetër e Neymar skadonte në vitin 2018, por klubi e ka zgjatur me tre vjet duke e rritur klauzolën e largimit nga 190 në 220 milionë euro.
Një shumë e tillë do të jetë shumë e vështirë për t’u paguar edhe për klube si Paris Saint Germain apo Manchester United. Sipas mediave spanjolle, Neymar do të përfitojë 15 milionë euro në sezon nga 9.2 që arkëtonte me kontratën e vjetër. 24-vjeçari numëron 93 ndeshje në La Liga ku ka shënuar 55 gola që prej vitit 2013 kur mbërriti në Spanjë nga Santosi. Manchester United dhe Paris St-Germain tentuan ta joshin me kontrata faraonike duke përfituar edhe nga problemet financiare që po kalon familja e tij, por Barcelona nxitoi për të qartësuar situatën, duke arritur të bindë qendërsulmuesin, i cili do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës blaugrana edhe për 5 sezone. Me Barcelonën Neymar ka fituar 2 tituj në Spanjë, dy Kupa Mbreti dhe UEFA Champions League në vitin 2015.