Luis Enrique ka kërkuar shpeshherë në media që arbitrat të jenë më të kujdesshëm ndaj Neymarit. Trajneri i Barcelonës është i shqetësuar që ndaj tij shkaktohen shumë ndërhyrje të gabuara dhe mbrojtësit mundohen që ta ndalin në mënyrë të pandershme.
“Neymar rrezikon të dëmtohet rëndë, nëse nuk është i kujdesshëm. Duke qenë se nuk e ndalojnë dot sportivisht, atij i ndërhyjnë shumë ashpër dhe arbitrat duhet ta mbrojnë. Nuk është normale kjo gjë”, tha Luis Enrique pak kohë më parë”. Në fakt, edhe statistikat i japin të drejtë, pasi sulmuesi i katalanasve është lojtari që ka pësuar më tepër faulle në kampionatin spanjoll.
Ai është në krye të listës me 108 ndërhyrje të gabuara në dëm të tij, duke lënë pas Dani Sebajos të Betisit me 85 dhe Petros të Betsit me 76. Pavarësisht se në organikën e vet Barça ka mjaft lojtarë të tjerë që janë driblues të mirë, përfshirë edhe Messin, askush prej tyre nuk ka mundur të përfshihet në listën e dhjetë të parëve në këtë klasifikim.
Përgjatë këtij edicioni, Neymar ka ndryshuar edhe stilin e tij të lojës, duke marrë shumë aksione individuale në fushë dhe më pas të shërbejë me asiste për partnerët e repartit të avancuar, çka ka dhënë shumë efektivitet para portës. Ajo që bie në sy në renditjen e futbollistëve më “të dhunuar” është se pjesa më e madhe e tyre janë lojtarë që luajnë në krah të mesfushës, të cilët kanë edhe më tepër liri për aksione individuale.