Jose Murinjo rikthehet të flasë për merkaton e futbollit dhe veçanërisht për Neymar. Pasi tha pak ditë më parë, sigurisht me shaka, se vlente një stërlinë më shumë sesa ylli brazilian, “Special One” është ndalur sërish në koston e futbollistëve të blerë nga Manchester United.
Shuma prej 222 milionë eurosh e paguar nga Paris SG për blerjen e “O Ney” nga Barcelona, për portugezin përbën pikën e kthesës. “U treguam inteligjentë, pasi më 31 gusht, Lukaku mund të kishte kushtuar plot 150 milionë, ndërsa Matiç të paktën 60-70 milionë. Neymar përmbysi gjithçka”, thotë Mou.
“Djajtë e kuq” faktikisht kanë shpenzuar vetëm 85 mln për sulmuesin belg dhe 45 për mesfushorin serb, por Murinjo duket se ka pasur të drejtë një vit më parë, kur deklaronte se Paul Pogba nuk do të mbetej për një kohë të gjatë futbollisti më i kushtueshëm, pas transferimit të tij tek United nga Juventusi për 105 milionë euro.
E duke u rikthyer te merkatoja e kësaj vere, Murinjo thotë se, “nëse transferimi më i shtrenjtë do të mbetej Pogba, sot Coutinho do të ishte me siguri lojtar i Barcelonës për 101 milionë stërlina”.
Diego Costa rikthehet në Londër. Pasi kaloi një verë të tensionuar për shkak të marrëdhënieve të tij me klubin e Chelsea-t, sulmuesi ka zbarkuar sërish në Angli, ku me të gjitha gjasat do të kthehet të stërvitet nën urdhrat e Antonio Conte-s. Trajneri italian e ka përfshirë 28-vjeçarin në listën për kampionatin, por jo në atë të Champions League. Ndërkohë, sipas gazetës “Marca”, lojtari ka akord me Atl. Madrid për kalimin në Spanjë, në janar.
Presidenti i Barcelona-s, Josep Bartomeu foli për merkaton e ekipit katalanas. Numri një i blaugranave deklaroi se është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion. Përsa i përket Paulo Dybala-së, 54-vjeçari tha se argjentinasi është lojtar i Juventusit dhe Barcelona ka shumë respekt për klubin bardhezi, si dhe presidentin e tyre, Andrea Agnelli.