Para se të nisë pushimet verore në Ibiza të Spanjës, sulmuesi i Barcelonës, Neymar foli ekskluzivisht për “Barca TV” për ndjesitë që i dhanë dy trofetë e fituar në fund të sezonit, titulli kampion dhe Kupa e Mbretit, të cilëve u shtohet edhe Superkupa e Europës dhe Botërori i Klubeve. “Jam shumë i lumtur me sezonin tim të tretë te Barcelona, pasi kemi vijuar duke fituar trofe të rëndësishëm. Bëmë një punë shumë të mirë përgjatë sezonit dhe mbyllja e tij me dy trofe, ishte perfekte”, u shpreh Neymar.
Pyetja rreth marrëdhënieve të tij me Lionel Mesin nuk mungon në çdo prononcim publik të 24-vjeçarit, por përgjigjja është gjithmonë e njëjtë. “Qëllimi im është të luaj sa më mirë dhe të ndihmoj ekipin. Besoj se po përmirësohet vit pas viti. Mesi? Të gjithë e dimë se ai është më i miri në botë, dhe nuk ekziston asnjë mundësi që dukush tjetër të jetë më i mirë se ai”, tha ai.
Kohët e fundit janë shtuar spekullimet për oferta marramendëse nga klubet më të mëdha europiane si Manchester United, PSG dhe Real i Madridit, por Neymar tha se është një lojtar i Barcelonës, duke nënkuptuar se shumë shpejt mund të nënshkruajë marrëveshjen e re me klubin blaugrana.