Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë sot për gjendjen e vështirë ekonomike. Këshilltari për Çështjet Ekonomike, Dorian Teliti, bëri të ditur se në vitin 2018, falimentuan mbi 15 mijë biznese, ose 62% më shumë se një vit më parë dhe shkak qenë gjobat e taksidarëve, taksat e tarifat e rritura, shtrenjtimi i energjisë dhe i ujit.
“Nga 1 janari hyri në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e taksës së pronës. Bizneset do të paguajnë 2 deri në 4 herë më shumë, shtoi Teliti. Situata e rëndë ka vetëm një ilaç për ta kuruar: zbatimin e planit të Partisë Demokratike për rimëkëmbjen e biznesit dhe të ekonomisë nëpërmjet uljes së ndjeshme të taksave”. Katër hapat e këtij plani janë:
Taksa e sheshtë 9%
Përjashtimi nga skema e tvsh-së për bizneset me xhiro deri në 120 milionë lekë
Ulja me 300 lekë për litër e karburantit
Anulimi i çdo koncesioni korruptiv do ta çlirojnë ekonominë nga një grusht oligarkësh, që grabisin pasuritë e shqiptarëve në zyrën e kryeministrit!
Deklarata e plotë e Dorian Telitit:
Nëse shumica e shqiptarëve lejon që t’i qeverisë sërish Edi Rama, 2019-a do të jetë edhe më keq për ekonominë e çdo familje që mbahet me një biznes të vogël.
Viti 2018 është shënuar në llogaritë e ekonomisë shqiptare si një nga vitet më të këqija të qeverisjes së Edi Ramës. 15 340 biznese kanë falimentuar nga janari deri në dhjetor.
Kush thotë se këto janë kompani bixhozi, gënjen! Të tilla, të regjistruara në Qendrën e Bizneseve numërohen me gishtat e një dore. 15 340 mijë bizneset e mbyllura në një vit janë të qytetarëve të zakonshëm, sipërmarrës të vegjël e të mesëm që e kanë ulur qepenin nga taksat dhe tarifat lokale të rritura 2-3 herë, nga energjia 30% më e shtrenjtë, nga fatura e ujit 44 % më e shtrenjtë! 2018-a është edhe më keq se një vit më parë.
Mbi 15 mijë biznese të falimentuara do të thotë 62 % biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së. A ka patur kompani të reja, që janë hapur, ndërkohë që biznesi i ndershëm falimentonte?
Të gjithë e dimë që po! DH Albania, kompania fantazëm që u regjistrua në korrik dhe brenda pak javësh mori 50 milionë euro tendera, është fytyra e ekonomisë që ka ndërtuar Edi Rama: falimentim me taksa dhe gjoba të rënda për shqiptarët e zakonshëm, miliona euro për kompanitë e parajsave fiskale, me të cilat ndan pushtetin.
Nëse shumica e shqiptarëve lejon që t’i qeverisë sërish Edi Rama, 2019- a do të jetë edhe më keq për ekonominë e çdo familje që mbahet me një biznes të vogël, do të jetë më keq për këdo që bën biznes të ndershëm dhe nuk vjedh nga paratë publike.
Prej 1 janarit ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për të mbidyfishuar taksën e pronës. Çdo biznes që akoma nuk e ka ulur qepenin, do të paguajë 2-4 herë më shtrenjtë për vendin ku ushtron aktivitetin e tij.
Nëse qeveria nis zbatimin e koncesionit të kasave të reja fiskale, çdo biznesi i duhet të paguajë 600-1000 mijë euro të tjera për të zëvendësuar sistemin, nëpërmjet të cilit do të transmetojë në qendër çdo veprim në dyqanin e tij.
Situata e rëndë ka vetëm një ilaç për ta kuruar: zbatimin e planit të Partisë Demokratike për rimëkëmbjen e biznesit dhe të ekonomisë nëpërmjet uljes së ndjeshme të taksave.
Taksa e sheshtë 9% – Përjashtimi nga skema e tvsh-së për bizneset me xhiro deri në 120 milionë lekë – Ulja me 300 lekë për litër e karburantit – Anulimi i çdo koncesioni korruptiv do ta çlirojnë ekonominë nga një grusht oligarkësh, që grabisin pasuritë e shqiptarëve në zyrën e kryeministrit!