Taksa e pronës do të futet në faturën e dritave. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka thënë në Komisionin e Ekonomisë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vlerësohet për momentin si agjenti më i përshtatshëm për mbledhjen e taksës së pronës që do të aplikohet pas pak ditësh.Sipas ministrit, impakti në buxhetet familjare do të jetë minimal për këtë taksë. Ahmetajt tha se, njësitë e pushtetit vendor kanë mundësinë që të reduktojnë deri në 30% të taksës, e kjo mund të ulë dhe më tej ndikimin në buxhetet familjare. Ndërkohë jo të gjithë do të paguajnë taksën e pronës. Qeveria ka menduar të përjashtojë kategoritë e personave në nevojë. Kështu, kryefamiljarët pensionistë në qytet apo fshat, kur jetojnë vetëm nuk do të paguajnë taksën e banesës. Edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përjashtohen nga taksa, ashtu si ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara dhe banesat sociale në pronësi të bashkive.Më pas, në listën e përjashtimit, të përcaktuar në ligjin e miratuar në nëntor të vitit 2017, janë të gjitha pronat shtetërore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, pasuritë shtetërore nën administrimin e shoqërive publike shtetërore, ndërtesat e komuniteteve fetare në funksion të veprimtarisë së tyre, si dhe objektet e kulturës. Qeveria ka menduar të përjashtojë nga taksa e pronës edhe hotelet/resortet me 4 dhe 5 yje, që marrin “status special” po me vendim qeverie.