Roma do të ndërtohet nga e para dhe në fundin e këtij sezoni pritet që të ketë një “casting” për trajnerin që do të drejtojë projektin e ri. Klaudio Ranieri e ka thënë hapur që nuk do të vazhdojë më dhe ai do të ketë rolin e këshilltarit pranë presidentit.
Për momentin, drejtuesit janë të pavendosur për profilin, nëse duhet një trajner me eksperiencë apo një trajner i ri. Në listën e parë është Stefano Pioli, një trajner që pëlqehet shumë nga drejtuesit. Po ashtu, nuk mungon as Masimiliano Alegri, i cili është një trajner fitues dhe në pritje të një telefonate për të rinisur sërish rrugëtimin në futboll.
Por mes emrave të shumtë janë edhe kandidatët më të rinj si Fabregas, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Komon dhe ka tërhequr vëmendjen e disa ekipeve të rëndësishme në Europë. Pa harruar edhe Fariolin që në vitin e parë me Ajaksin po fiton kampionatin. Një tjetër emër që ka interes për verdhekuqtë është edhe Kivu. Ai ndryshoi sezonin e Parmës.