Nga Besart Logu
Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e masave të sigurimit ndaj Sali Berishës, ishte dikush tjetër më i intetesuar se vetë subjekti nën hetim. Bëhet fjalë për atë që ankohet në kongreset e partisë për “republikë prokurorësh” sepse po i arrestohen të gjithë bashkëpuntorët e tij. Ai që amniston të dënuarit për korrupsion si mesazh ndaj SPAK “se ju i arrestoni dhe ne i lirojmë”. Më i interesuar ishte ai që ka ngritur komision parlamentar vetëm për të goditur Prokurorinë e Posaçme, pasi sipas tij, ekzekutivi është pushtet i plotfuqishëm që jo vetëm nuk mund të preket por çdo institucion tjetër merr urdhëra e direktiva nga ai. Bëhet fjalë për Edi Ramën, autorin e pasurimit të fjalorit politik me nocionin e ri “noc rroku”.
Tashmë, asnjëri nga të tre liderët kryesor nuk e fsheh përplasjen që ka me SPAK. Berisha dhe Meta shajnë e shfryjnë, një herë duke e etiketuar si organizatë mafioze dhe një herë si reformë e Sorosit në shërbim të Ramës. Narrativë që maksimumi ngjit tek militanti sepse merr doza politike. Ndryshe nga dy të parët, Rama nuk shanë dhe etiketon. Nuk i shkon dot as narrativës me Xhorxh Soros sepse pretendon se është njeriu i tij. Gjithsesi, Rama po bën më shumë se Berisha-Meta. Ka zgjedhur rrugën institucionale për ta vënë nën fre SPAK-un, nëpërmjet komisionit “Xhafaj”. Nisëm që partnerët e izoluan që në fillim dhe po e mbajnë nën vëzhgim.
Gjithëkush mund të pyes; nëse Berisha me Metën në një farë mënyre justifikohen të sillen ashtu pasi janë nën masë arresti, po Edi Ramën çfarë e shqetëson që është futur në llogoren anti-SPAK?! Shumë e thjeshtë; procedimi i dy ish zyrtarëve të lartë të shtetit është këmbanë alarmi për atë. Në të tilla rastesh, në anglisht përdoret një shprehje: “Who’s next?!” që në shqip përkthehet “Kush e ka rradhën?!”
Prandaj, njeriu më i interesuar që vendimet e SPAK dhe GJKKO të shpallleshin të pavlefshme ishte Edi Rama. Delegjetimim më efikas për këto dy institucione se sa të cilësoheshin vendimet e tyre si antikushtetuese, nuk do të kishte. Vendime të cilat do të ishin material pune për Komisionin “Xhafaj”. Kështu që, dje Gjykata Kushtetuese jo vetëm mbylli ciklin e ankimimit për pavlefshmërinë e masave të sigurimit duke vendosur një standart tashmë se për “detyrim paraqitje” nuk nevojitet autorizim nga Kuvendi por përcolli një mesazh të fortë për këdo që beson te Reforma në Drejtësi: Kur bëhet fjalë për SPAK dhe GJKKO, pesha e politikanëve bëhet e papërfillshme!